TIRANË, 12 Tetor/ATSH/.- Presidentit i Republikës, Bujar Nishani, i dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për sulmet terroriste në Ankara, ku humbën jetën dhjetëra persona ndërsa u lënduan qindra të tjerë.
"Me ndjenjë të thellë hidhërimi, i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave, popullit mik turk, Juve dhe qeverisë suaj. I dënoj me forcë këto akte të urryera terroriste, që synojnë të frikësojnë popullin turk dhe të destabilizojnë Turqinë, një vend mik dhe partner strategjik", citohet mesazhi i Presidentit.
Ju siguroj, Zoti President, se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi pranë familjarëve të viktimave dhe popullit turk, si dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë personave të lënduar!, përfundon mesazhin ngushëllues kreu i shtetit. /a.s/ /a.ke/