Ti bëre azape - s'u tremba,
ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite;
t'i shemba!
Tani,
tani,
atje ku ti,
o Mal i Zi,
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!
Sot!
Shkon
e valon
parmenda!
T'i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t'u zhduk
si në ujë.
I bie arë mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas
me gaz
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
jetë pas jetë!
Dhe ndie qysh flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:
"Ta mbroni dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam.
Ta mbroni dhenë
që e ushqej
dhe sot si dje,
me kurmin tim.
Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun
me grushte plot -
po kurrë lotë,
as sot, as mot!
Se loti është robëri,
gjaku - liri!"