Bylisi po ia del të mbajë ende veten në garë për një vend në Superiore, edhe pse një pjesë e mirë ishin skeptikë për shanset që do të kishin mallakastriotët për të mbijetuar. Dënimet e katër futbollistëve u duk sikur ia bënë akoma më të vështirë rrugën kësaj skuadre drejt qëndrimit, por gjithsesi me merkaton e janarit skuadra u përforcua dhe ende vijon të mbahet fort për t'iu larguar vendit të parafundit. Ajo që ra më shumë në sy gjatë kësaj merkatoje ishte afrimi i tre lojtarëve të huaj në sulm: argjentinasi Varea, braziliani Edmilson, si edhe federimi i nigerianit Izuçuku.
Por, deri më tani, shifrat flasin kundër kësaj trioje që luan në repartin e avancuar, pasi vetëm Izuçuku ia ka dalë të shënojë të paktën një gol (edhe atë me 11- metërsh), ndërkohë që ka luajtur plot 683 minuta. Varea ka luajtur 420 minuta dhe nuk e ka provuar ende shijen e golit në kampionatin shqiptar.
Është edhe Edmilson që luan paksa më i tërhequr dhe në 414 minuta në këmbët e tij numëron 0 gola. Nëse Bylisi ka dalë i mundur nga fusha këtë pjesë të dytë të kampionatit ka qenë edhe për shkak të mungesës së cinizmit në sulm. Gjithsesi, në Ballsh shpresojnë që sulmi "i huaj" të shpërthejë të hënën në ndeshjen ndaj Laçit.