Super mamate

Super mamatë

Mund të fitosh dhe të jesh e suksesshme edhe duke vendosur në shtrat fëmijën ose mes biberonëve dhe panolinave. Për shumë gra të qenit nënë nuk është më një vështirësi që i pengon të ecin përpara në punën e tyre, përkundrazi një ngjarje që i bën të rikthehen, madje edhe më suksesshëm se më parë: me dëshira, ambicione dhe agresivitet. Rasti më i ri është ai i belges 26-vjeçare, Kim Clijsters, që u bë nëna e parë që fiton një "Grand Slam" pas Evonne Goolagong që triumfoi në Wimbeldon në vitin 1980. Në fotografinë përfundimtare në Nju Jork dallohet qartë ajo me kupën, Jada Ellkien, vajzën e saj 18-muajshe dhe të atin e vajzës, Bryan Lungh, lojtar basketbolli në NBA.

Mrekullia qëndron në faktin se Kim, gjatë klasifikimit ka hyrë në "Us Open" pas dy sezonesh pushim. Nuk donte të fitonte, thjesht të kapte ritmin. "Nuk kam fjalë. Gjithçka është fantastike". Nëse do të fitojë edhe "Roger Federe", gruaja e të cilit ka sjellë në jetë dy binjakë, nuk do të jetë ndonjë mrekulli aq e madhe sa ajo e Kim, meqë tenistët njëkohësisht edhe baballarë kanë fituar vetëm dhjetë nga 115 Slamet e fundit. Nga viti 1980 kishin fituar tetë, ndërsa shtatë prej tyre nuk e kishin përsëritur më suksesin. Babai më i mirë i tenisit është Connors me 3 Slame të fituar pas lindjes së Brett-it të tij.

Thuhet se te gratë, pas lindjes ka ndryshime hormonale dhe fizike, ndërsa te burrat një ndryshim në nivel mendor. Në të vërtetë, nuk është vetëm sporti që duhet t‘u japë besim nënave dhe të mos i konsiderojë më dinozaurë në zhdukje e sipër, por edhe shoqëria që ka më pak frikë nga gratë shtatzëna dhe të mos i konsiderojë ato si qenie inferiore, të paafta të punojnë, të marrin përsipër angazhime, të marrin përgjegjësi. Carme Chadon, ministrja spanjolle e Mbrojtjes, fluturoi në Afganistan pak ditë para lindjes, ndërsa europarlamentarja Hanne Dahl, mamaja daneze 39 vjeç e mori beben e saj në diskutimet në sallë, për të mos hequr dorë nga angazhimet e saj politike.

Rakia Dati, ish-ministrja e Drejtësisë franceze u kthye në punë pesë ditë pas lindjes së vajzës, Zohra. Është për t‘u mrekulluar nga gjithë këto supermama apo për gratë ky është një tjetër moment i lodhshëm në jetën e tyre? "Në disa vende të Europës duket anormale ajo që në shumë vende është normale. Statistikat thonë se aty ku gratë punojnë fertiliteti rritet". Në fakt, të dëgjosh ato, sportistet e tjera që i kanë bërë të dyja, edhe nënën edhe karrierën, mëmësia është si një lloj dopingu. Kampionia olimpike e vrapit irlandezja Sonia O‘sullivan thotë: "Për mua ka qenë njëlloj sikur të stërvitesha në lartësi".

Sprinterja Evelyn Ashford tregon: "Të kesh fëmijë të jep më shumë forcë se një kuti e plotë me vitamina apo steroidë. Valentina Vezali, kampionia 31-vjeçare e skermës u rikthye në punë vetëm 18 ditë pas lindjes së djalit me të njëjtat projekte, me të njëjtën fantazi dhe me të njëjtët kilogramë si më parë. Madje pa hequr dorë nga ambicia për të fituar për të katërtën herë botërorin e skermës. Dara Torres, notarja amerikane, 42 vjeçe, për pesë olimpiada rresht tregoi se asgjë nuk e ka penguar të vazhdonte ëndrrën e saj. Shumë herë është tërhequr dhe shumë herë është rikthyer. Vajza e saj, Tara Grace, erdhi në jetë më 2006-ën. Kur ishte shtatzënë Dara nuk linte ditë pa shkuar në pishinë për të larguar të vjellat. "Më mirë të villja në pishinë sesa jashtë. Aty ndihem si në shtëpi", thoshte ajo. Të jetë në formë i kushton 100 mijë dollarë në vit.

Stafi i saj është i përbërë nga tre trajnerë, dy fizioterapistë, dy masazhatorë dhe një bebisiter. Atletja e maratonave, Paula Radcliffe, ishte e aftë që nëntë muaj pas lindjes të Islas të fitonte sërish në Nju Jork. Paula u stërvit deri një ditë përpara lindjes dhe e nisi sërish aty ku e kishte lënë 12 ditë më pas. Ky ishte programi i saj gjatë pesë muajve të parë të shtatzënisë: stërvitje dy herë në ditë, 75 minuta vrap në mëngjes dhe 45 në darkë. "Të gjithë më shihnin si të isha e çmendur". Nga muaji i gjashtë i shtatzënisë i ngadalësova paksa ritmet: por bëja shumë not, biçikletë dhe një orë vrap. "Bën me të vërtetë një përjashtim, por sipas asaj që dihet gjatë shtatzënisë lehtësohet transporti i oksigjenit drejt muskujve", ishte komenti i James Pivarnik i Universitetit të Miçiganit. Një tjetër rast i paprecedentë, Ingrid Krisitiansen, në vitin 1983 fitoi maratonën e Houstonit pesë muaj pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. Edhe Catriona Mathew, një lojtare golfi skoceze, këtë vit fitoi "British Open" dhjetë javë pasi kishte lindur.

Ellis Cashmore, sociologu anglez që merret me sportin në Stafforshire University shpjegon se nënat janë më të zonjat në të gjitha disiplinat e tij: "Kapaciteti aerobik përmirësohet me 30 për qind gjatë shtatzënisë. Niveli i lartë i progresteronit përmirëson forcën dhe fleksibilitetin e muskujve. Por nuk është e thënë që psikologjikisht të gjitha nënat të reagojnë në të njëjtën mënyrë. Ka edhe nga ato që nuk mund të kenë më shpirt gare, sepse janë shumë të përqendruara mbi fëmijën". Greg Whyte, profesor i shkencës së aplikuar në sport në "Liverpool John Moores University" flet për të gjitha avantazhet: "Duke u rritur niveli i hormoneve, përfshi këtu edhe testosteronin, trupi fiton elasticitet". Mendohet se ky fat është aq i vërtetë sa në vitet ‘70-‘80 thuhej se Gjermania Lindore guxoi të bënte eksperimente mbi atletet, të cilat më pas u detyruan të abortonin.

Një studim i kryer në vitin 1991 tregoi se transporti i oksigjenit përmirësohet me shtatë për qind tetë muaj pas lindjes, ndërsa një tjetër kërkim i publikuar në "Scandinaviian Journal of Medicie and Science in Sports", në vitin 1997 tregoi se 11 për qind e atleteve të përkushtuara ndaj provave të rezistencës dhe sporteve të tjera të këtij lloji kanë performanca më të mira pas lindjes. Shkenca përpiqet të japë mbështetjen e saj ndërsa Kim Clijsters në emër të të gjitha nënave do të luante vetëm tenis dhe të tregonte se edhe ajo mund të ecte me ritëm të shpejtë.

 

 

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama