Supergoli në "Elbasan Arena" do të kishte marrë vlera të shumta në rast se pasohej nga një tjetër gol pak minuta më vonë. Por, futbolli është i tillë, një herë të gëzon pa fund dhe një herë tjetër të trishton.
Realdo Fili ishte protagonisti i mbrëmjes së djeshme. Me golin spektakolar të shënuar me fillimin e pjesës së dytë ngriti peshë zemrat e tifozëve të Partizanit.
Në një intervistë për "Panorama Sport", sulmuesi i të kuqve tregon emocionet e golit të parë në Ligën e Kampioneve dhe dëshpërimin për rastin e humbur.
Ai thotë se besonte shumë tek e djathta, prandaj vendosi ta godiste menjëherë topin. Fili tregon idhullin e tij dhe flet gjithashtu për shanset që ka Partizani për t'u kualifikuar në raundin tjetër.
Nga Apolonia te goli në Champions. E kishit menduar një hap të tillë në karrierë?
Është kënaqësi e veçantë të jesh lojtar i Partizanit. Golin në Champions e kisha menduar prej kohësh dhe jam shumë i lumtur që u bë realitet. Përjetova një emocion të papërshkrueshëm. Ishte më e bukur nga sa e kisha menduar.
Për më tepër ishte një supergol.
Për mua është gjithmonë njëlloj çdo gol, mjafton të kalojë vijën fatale dhe të shkojë në rrjetë. Por jam shumë i lumtur për cilësinë e golit.
Në të djathtë ishte duke ardhur edhe Vila. Kishit edhe mundësi për të pasuar, apo besuat verbërisht tek e djathta?
Nuk e pashë për të thënë të vërtetën. Besova shumë te goditja ime në atë moment dhe e realizova.
Kush ju uroi i pari për golin. Kujt ia dedikuat atë?
Shokët e ekipit dhe stafi. Ata janë gjithmonë pranë meje. Golin ia dedikoj familjes sime, e cila më ka mbështetur dhe më mbështet gjithmonë.
Nga frymëzohet Fili. Cili është idhulli juaj?
Që kur kam qenë fëmijë kam pasur idhull Kristiano Ronaldon. Ai mbetet ende frymëzimi im dhe përpiqem gjithmonë të shoh lëvizjet që bën në fushën e lojës për të qenë një lojtar më i rrezikshëm.
Për fat të keq humbët një rast të mirë për të shënuar golin e dytë. Çfarë ndodhi?
Nuk mund të them çfarë ndodhi, por do të punoj shumë edhe në këtë aspekt për t'u përmirësuar. Më vjen shumë keq që nuk arrita të shënoj edhe golin e dytë. Është një gabim që duhet ta rregulloj në të ardhmen.
Tani jeni duke mbajtur peshën kryesore të sulmit të Partizanit pas largimit të Sukajt. Keni më shumë presion apo përgjegjësi?
Mendoj se kam më shumë përgjegjësi dhe unë mundohem të jap gjithmonë më të mirën time për të shpërblyer besimin që më ka dhënë trajneri. Punoj fort në çdo stërvitje për të ndihmuar skuadrën në ndeshjet që luajmë.
Si është të punosh me trajnerin Sormani?
Ndihem shumë mirë me të dhe shpresoj të arrijmë suksese të mëdha së bashku. Është një trajner punëtor, i cili u jep besim lojtarëve të tij.
Çfarë ju tha pas ndeshjes?
Ai na mbështet gjithmonë dhe na karikon ashtu si në stërvitje. Tha fjalë të mira për ndeshjen që zhvilluam.
Sa shanse ka Partizani për t'u kualifikuar sepse Ferencvaroshi tregoi se nuk është i pathyeshëm?
Sigurisht që kemi shanset tona dhe në ndeshjen e kthimit do të provojmë të bëjmë atë që bëmë sot (dje). Jam i bindur se mund t'ia dalim.
GENTJAN ALINANI