Premio dhe falje. Kastrioti i bën të gjitha përpara finales që do të luajë sot në Dibër ndaj Korabit vendës. Një sfidë që, sipas të gjitha gjasave, do të vendosë se cila skuadër do të ngjitet në Superiore. Në këtë takim, skuadra e drejtuar nga Elvis Plori luan për dy rezultate, barazimin dhe fitoren.
Gjatë paradites së djeshme, lojtarët e Kastriotit së bashku me teknikun Plori, përpara nisjes drejt Peshkopisë, janë lutur në njërën prej xhamive të qytetit të Krujës. Ndërkaq, drejtuesit e klubit kanë premtuar një superpremio në rast suksesi. Plot 50 mijë euro është shuma që ka vendosur në dispozicion të ekipit presidenca krutane. Të pranishëm në stërvitjen e fundit të zhvilluar dje në Krujë për të karikuar ekipin ishin presidenti Alban Vogli dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi. Është menduar edhe për tifozët dhe në dispozicion të tyre janë vendosur 10 autobusë falas që do të nisen nga Kruja dhe Fushë-Kruja.
Plori
Në lidhje me këtë sfidë, trajneri i skuadrës, Elvis Plori, u shpreh: "Ekipin e kam të plotë dhe jam shumë i bindur se me këtë grup do jem pjesë e Superiores vitin tjetër. Është derdhur shumë djersë dhe kemi sakrifikuar shumë për të arritur këtë objektiv që i kemi vënë vetes që në fillim. Nuk kam asgjë me dy ekipet e tjera rivale që kemi pasur gjatë të gjithë kampionatit, por faktet dhe mënyra se si shkoi kjo garë, flet vetë se çfarë kemi bërë dhe dhënë ne deri tani, edhe pse u penalizuam me tri pikë.
Pavarësisht edhe marrëveshjeve që patën dy klubet e tjera me njëra-tjetrën, përsëri ne jemi të parët dhe shkojmë me kokën lart në këtë takim. Shkojmë me besim të madh dhe entuziazëm në këtë transfertë. Jam krenar për këtë ekip dhe këtë grup lojtarësh, të cilët kanë një harmoni të jashtëzakonshme me njëri-tjetrin. Kjo harmoni dhe kompaktësi që kanë do të na japë atë që meritojmë", përfundon prononcimin për gazetën trajneri Elvis Plori.
Pergatiti: Liridon Pasha