Supersfida e javës së parafundit të kampi onatit mes Skënderbeut dhe Partizanit po pritet me interes të madh nga ana e tifozëve korçarë.
Përballja e së premtes, e cila do të jetë përcaktuesja e titullit kampion për këtë edicion futbollistik, ka filluar të marrë një rëndësi të veçantë që në ditët e para të kësaj jave.
Në të gjithë ambientet e qytetit flitet vetëm për këtë përballje, në fund të së cilës korçarët mund të festojnë titullin e gjashtë kampion rresht.
Natyrisht që pritshmëria e tifozëve është mjaft e madhe dhe ata duan që edhe lojtarët të jenë të impenjuar dhe ta konsiderojnë si një finale këtë ndeshje, ashtu siç kanë bërë edhe ata vetë.
Organizimet nga ana e ultrasve kanë nisur prej disa ditësh dhe pritet që koreografia e tifozëve në stadium të jetë vërtet madhështore.
Duhet thënë se bindja e të gjithëve në Korçë është se skuadra e tyre do të arrijë të marrë fitoren ose barazimin ndaj Partizanit, në mënyrë që ta festojë titullin kampion në shtëpi.
Biletat
Rreth mesditës së djeshme, në Korçë kanë dalë në treg pak më shumë se 3 mijë bileta, por shitja e tyre ka ecur me ritme të çmendura, duke konfirmuar interesimin që kanë tifozët vendës për këtë përballje.
Dje në mbrëmje, në Korçë ishin shitur rreth 3000 bileta, pra vetëm në ditën e parë, duke detyruar kompaninë menaxhuese që të printojë menjëherë bileta të tjera për këtë sfidë. Duke parë ritmin me të cilin po ecën shitja, sipas të gjitha gjasave, stadiumi i Skënderbeut në ndeshjen ndaj Partizanit do të jetë i mbushur në kapacitetin e tij maksimal, që është rreth 6 mijë tifozë.
Natyrisht që një numër i tillë mbështetësish do të bëjë që atmosfera të jetë elektrizuese, siç edhe i ka hije një takimi vendimtar për fitimin e titullit kampion.
Ndeshjet mes dy ekipeve vitet e fundit kanë qenë shumë interesante dhe pjesëmarrja në shkallët e stadiumit ka qenë e lartë nga vendësit, por edhe nga tifozët miq që kanë udhëtuar nga Tirana.
LLAZI SARO