Supervjedhja inventarizuesit dhe urdhri u firmosen nga guvernatori

Supervjedhja, inventarizuesit dhe urdhri u firmosen nga guvernatori

5 mijë lekëshi

I dyshuari kryesor për vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë, shtetasi A. Bitraj, ka deklaruar se nga arka stok dhe arka në veprim ka marrë vetëm nga këto prerje

Prerjet e tjera

Prokuroria e Tiranës ka në shqyrtim materialin për të gjitha prerjet e tjera. Pasi, pavarësisht deklarimeve të të dyshuarit kryesor, organi i prokurorisë po kryen verifikime të plota

Kontrollet 12-mujore nuk zbuluan zhvatjen katërvjeçare


Një urdhër i guvernatorit Ardian Fullani, i ka hapur rrugë inventarit njëvjeçar në Bankën e Shqipërisë, që nuk konstatoi sasinë e parave të vjedhura nga Ardian Bitraj, në Departamentin e Emisionit në Linzë. Prokuroria thotë se ka sekuestruar urdhrat e kontrollit në BSH, të cilat janë me firmën e Fullanit, ndërsa mësohet se ai caktonte edhe personat që do të kryenin inventarin. Nga hetimet e deritanishme janë vënë nën akuzë 17 persona, ndërsa akuza thotë se ende nuk ka mbyllur përgjegjësitë e punonjësve të bankës, pasi hetimet mund të shtrihen edhe te drejtuesit kryesorë. Megjithatë, në fillim të muajit shtator, pas pyetjeve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe të guvernatorit, do të ndahen edhe përgjegjësitë, ku pritet që nën hetim të merren pikërisht personat që kanë kryer të tjera audite në departamentin X. Akuza saktëson se, tashmë në fokus të hetimeve do të jenë pikërisht urdhrat e guvernatorit, të nxjerra për auditet apo edhe për kontrollet, kryesisht në Thesarin e Shtetit në Linzë.

1 vit kontroll

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka sekuestruar në Bankën e Shqipërisë urdhrat për kontrollet dhe auditet periodike në degën e Thesarit të Shtetit. Hetuesit kanë siguruar edhe urdhrin e Fullanit, që urdhëronte nisjen e kontrollit në të gjitha departamentet, pikërisht për konstatimet për vjedhje. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se kontrolli ka nisur më datë 14 dhjetor 2012 për të përfunduar më 24 dhjetor 2013. Megjithatë, nga këqyrja e kolive në arkën për veprim, rezulton se tetë kolitë e prekura, në të cilat janë vjedhur lekët, kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme, fakt i cili nëse do të ishte zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare, do të ishin konstatuar dhe pasojat do të ishin më të lehta, pra Banka e Shqipërisë nuk do të vazhdohej të vidhej deri më datë 21 korrik 2014. Akuza thotë se komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes së inventarizimit, nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin tetë kolitë e prekura, të cilat do të krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. “Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga kryetari Bahri Allushi, dhe anëtarët Fatbardha Gurthi, Ilir Dedja dhe Mehdi Molla. Gjithashtu, përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola”, saktëson akuza.

Prerja 5 mijë lekëshe

Sipas akuzës, në dokumentacionin e inventarizimit që kanë shqyrtuar hetuesit në kuadër të hetimeve për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, ndër të tjera, fokusi është vendosur te sasia e një prerjeje monedhe, në vlerën 5000 lekë të reja. Edhe në urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës, lëshuar për 7 anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Bankës së Shqipërisë, janë përmendur detaje mbi sasinë e inventarizuar të kësaj prerjeje. Theksimi i sasisë së kësaj prerjeje është rrjedhojë e faktit se i dyshuari kryesor për vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë, shtetasi A. Bitraj, ka deklaruar se nga arka stok dhe arka në veprim ka marrë vetëm nga këto prerje. Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës ka në shqyrtim materialin për të gjitha prerjet e tjera. Pasi, pavarësisht deklarimeve të të dyshuarit kryesor, organi i prokurorisë po kryen verifikime të plota.

Sipas raportit përfundimtar të Komisionit të Inventarizimit për vitin 2013, ka rezultuar se gjendja faktike e kësaj monedhe (5000 lekë) në kolitë me para përputhej me pasqyrat e kontabilitetit që kishin në dispozicion paraprakisht anëtarët e Komisionit të Inventarizimit. Po njëlloj, sipas raportit përfundimtar të Komisionit të Inventarizimit për vitin 2012, ka rezultuar se gjendja faktike e kësaj monedhe (5000 lekë) në kolitë me para përputhej me pasqyrat e kontabilitetit që kishin në dispozicion paraprakisht anëtarët e Komisionit të Inventarizimit. “Ka rezultuar se anëtarët e Komisionit të Inventarizimit akuzohen për ‘shpërdorim detyre’, pasi në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk kanë verifikuar një më një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 (tetë) arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin, në kundërshtim të rregullores ‘Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë’. Verifikimi me përzgjedhje, jo me pak se 5% e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej të kryhej për të gjitha kolitë. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do të krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama