Supervjedhja ne Banken e Shqiperise arrestohet guvernatori Ardian Fullani

Supervjedhja ne Banken e Shqiperise, arrestohet guvernatori Ardian Fullani

Arrestohet për shpërdorim detyre Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë. Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje pasdite Gjykatës së Shkallës së Parë arrestimin e Fullanit, kërkesë e cila u pranua, ndërsa disa minuta më pas, agjentët e policisë kanë shkuar në afërsi të zyrës së guvernatorit, duke i vënë prangat. Kërkesa e prokurorisë erdhi pas dëshmive të dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, të cilat shpjeguan me detaje mangësitë në Bankën e Shqipërisë. Prokurori Ramadan Troci, me një lëvizje surprizë dhe pas “miratimit” nga akuza qendrore, kërkoi arrestimin e drejtuesit të BSH-së, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre, akuzë e cila parashikon një dënim deri në shtatë vjet burg.

 

Momenti i arrestimit

 

Një video ekskluzive e transmetuar mbrëmë në Top Channel tregon momentet e arrestimit të guvernatorit Fullani. Agjentët e policisë, të cilët kishin veshur disa jelekë me mbishkrimin “policia”, i kanë zënë “pritë” automjetit me targa TR 0270 Z, me të cilin udhëtonte guvernatori. Dy agjentë policie i bënë me shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalonte. Më pas, kanë shkuar në derën e pasagjerit, në krahun e djathtë të autoveturës dhe i kërkuan Fullanit të zbriste. Në të njëjtën kohë, shoqëruesit e guvernatorit, kanë zbritur nga makina, por nuk bënë rezistencë, duke shkuar vetëm në afërsi të Fullanit. Ky i fundit, siç duket edhe nga videoja, i kërkon arsyet e ndalimit dhe pas një komunikimi të shkurtër me agjentët, ka pranuar të zbresë. Mësohet se efektivët e policisë i kanë vënë prangat guvernatorit dhe janë drejtuar nga automjeti i tyre, një BMW, pa targa policie. Guvernatori u shoqërua në Policinë e Tiranës, ku dhe iu komunikua vendimi i Gjykatës së Tiranës.

 

Arresti me burg

 

Prokuroria e Përgjithshme doli dje në mbrëmje me një njoftim për shtyp, duke shpjeguar arsyet e arrestimit të Fullanit, ndërsa listoi shkeljet e tij, të zbuluara gjatë hetimeve 45-ditore. Drejtorja e Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme, Fjorida Ballauri, tha se me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e arrestit me burg për Ardian Fullanin dhe Elivar Golemin, inspektore e përgjithshme në Bankën e Shqipërisë, të akuzuar për shpërdorim detyre. “Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Policia e Tiranës pasditen e së premtes, më datë 5 shtator 2014”, tha Ballauri, ndërsa shtoi se “në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

 

Pesë shkeljet

 

Ballauri tha se, në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasi Ardian Fullani, në cilësinë e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin. “Së pari, ai nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejt administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve procedurale për përdorimin e mjeteve financiare”, tha Ballauri, ndërsa më pas lexoi edhe shkeljen e dytë. “Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të Departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti.

 

Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave”, pohon akuza. Shkelja e tretë konsiston se: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. “Së katërti, guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar”, tha Ballauri, ndërsa shkelja e pesë është se, në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

 

 

 

Shkeljet e Fullanit

 

1

 

Zv.guvernatori

 

Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni

 

2

 

Rregulloret

 

Nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë. S’ka miratuar për një kohë të gjatë rregullore për Thesarin e Shtetit

 

3

 

S’dëgjoi Këshillin

 

Nuk mori masat ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Mund të përmendet zbatimi i politikave për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme

 

4

 

Përditshmëria në BSH

 

Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të BSH-së, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar

 

5

 

Audituesi

 

Guvernatori në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person

 

Neni 248

 

Shpërdorimi i detyrës

 

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama