Emrat e deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë janë përcaktuar që të hënën, kur u shpallën listat e kandidatëve. Dhe ndonëse e gjitha gara elektorale zhvillohet vetëm për të mësuar maksimumi vetëm emrat e dhjetë deputetëve, (130 të tjerë e kanë të sigurt hyrjen në Kuvend), shpallja e listave zyrtare të partive të mëdha, nuk kaloi pa komente. Kushdo që kishte një zë publik dha mendimin e tij, shpesh edhe në kufinj ekstremë. Normalisht të dy kryetarët e partive të mëdha, PS e PD i quajtën listat e tyre, lista fitoreje, komentatorë kritikë me qeverisjen, ishin kritikë me të dy listat, sidomos me mënyrën e përzgjedhjes, mungesën e kritereve të qarta për deputetët e emëruar, renditjen e tyre dhe mbi të gjitha, me veton e kryetarëve të partive për të përpiluar listat.
Kritikë ndaj listave ishin dhe të mbeturit jashtë tyre. Ilir Gjoni e të tjerë në PS, vetëm Mark Marku në PD, i kanë kundërshtuar fort dhe ashpër. “...kryetari nuk e pa të arsyeshme që të isha anëtar i kooperativës së tij që gjithsesi, ngeli e tipit të ulët. Por kjo nuk ka rëndësi. Tani më e rëndësishme është të fitojmë betejën që kemi para. Me kryetarin merremi pas 24 qershorit”, thotë me zemëratë Gjoni. “Pse nuk kishte vend për demokratët dhe kishte për Kastriot Islamin, ministër i Edukimit në kohën e Ramiz Alisë?”, ironizon i lënduar Marku.
Deputetët e tjerë të PD, të parikonfirmuar në lista, në shumicën dërmuese ose heshtën, ose e pranuan në heshtje, si një vendim të drejtë largimin e tyre nga Kuvendi. Edhe një pjesë e madhe e deputetëve socialistë bënë të njëjtën gjë.
Çfarë thonë për listat Sali Berisha, Edi Rama, Mero Baze, Mustafa Nano e Andrea Stefani. Revista Java ka zgjedhur disa citime të tyre për të dhënë një tablo me dritëhije të lajmit që nuk ishte lajm për publikimin e listave zyrtare.
Sali Berisha
“23 qershori po vjen, unë ftoj ta shndërrojmë këtë fushatë në betejen tonë më të civilizuar. Në këtë garë ne u kemi sjellë kandidatët më të shkëlqyer, por veç listës kemi listën e veprave që i paraqesim tek secili. Nuk kemi vetëm listën e veprave, por listën e veprave që do realizojmë bashkë ne projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar.
Mbrëmë në mesnatë dorëzuam listën e ekipit të ri parlamentar qeverisës, ekipit të fitores për 4 vitet që vijnë. Impakti i saj publik ishte shumë pozitiv. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të mi për kontributin dhe mbështetjen tejet të çmuar në 4 vitet që shkuan, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Punësim, Mirënie dhe Integrim, të ecim së bashku drejt mandatit të tretë, mandatit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Europiane. Fitore”. Ajo është listë e shkëlqyer fitoreje”.
Edi Rama
“PS i hapi rrugën një fitoreje me një skuadër kombëtare që pa asnjë dyshim do të luftojë në çdo qark për të fituar. Ju do të keni në dispozicion emrat, por unë do të nënvizoj se jam shumë krenar që kam patur privilegj të punoj, të bashkëpunoj me burrat dhe gratë të një grupi parlamentar që është në përfundim të mandatit të vet, të cilët, edhe pse nuk u përfshinë në listën e skuadrës së 23 qershorit në përgjithësi kanë treguar mirëkuptim, por edhe ndjenjë të fortë përkatësie ndaj PS, me sinqeritet dhe me prova konkrete, duke pranuar madje në disa raste të përfshihen në pjesë jo të drejtpërdrejtë fituese... kemi bërë një zgjedhje të qartë. Duam një skuadër që të fitojë dhe nesër të tregojë koherencë, kohezion që axhenda kombëtare dhe e PS është mbi cdo axhendë personale. Të tregojë që jemi këtu së bashku për të bërë gjërat që themi, ndaj janë bërë disa zgjedhje për të mos u përfshirë në skuadrën e re anëtarë të kryesisë së PS”.
Mero Baze
“Euforia e marrëveshjes me Ilir Metën është sfumuar duke asgjësuar disa avantazhe që sillte ky bashkim. ...një listë e mirë deputetësh është një listë që përfaqëson tiparet e opozitës, konsekuencën, begraundin opozitar, majtizmin në rastin konkret të kësaj opozite, dhe disa simbole besimi tek morali dhe ndershmëria në politikë, që edhe pse duken jashtë mode, për mua mendoj se vlejnë ende më shumë se sa paratë. Lista e PS ka plot diamante të fshehura nën baltën që ka ndotur listat. Lista e PD-së është një fitore e fëmijëve të Berishës për të zhdukur nga PD çdokënd që nuk kanë pasur nën kontroll dhe i kanë hapur kështu rrugë marrjes së plotë të kontrollit mbi partinë.
Kanë lënë jashtë liste emrat më të shquar të PD-së, intelektualët më të spikatur dhe e kanë mbushur listën me njerëz ordinerë që janë të punësuarit informalë të fëmijëve të Berishës. Ka ngelë jashtë liste Ilir Rusmali dhe ka hyrë shoferi Shkëlzenit, që quhet prefekt në Tiranë, kanë lënë jashtë liste Mark Markun, student i Dhjetorit dhe kanë futur Kastriot Islamin që u ka mbyllur studentëve universitetin në vitin 1991, kanë hequr Jemin Gjanën dhe kanë futur një biznesmen lojërash fati… Është një spastrim i menduar për çdo figurë të PD-së që mund të bëjë rezistencë në emër të biografisë së tij politike. Janë lënë thjesht njerëzit që i kanë shërbyer djalit dhe vajzës së Berishës”.
Mustafa Nano
“Është një shthurje totale. Kanë tejkaluar çdo përfytyrim që mund të kishim ne për pacipësinë e tyre. Fjala vjen, nëse deri më sot ka pasur 5 për qind meritokraci brenda partive, me këto lista po shkojmë te 1 për qind meritokraci. Të liqtë e të paaftët kanë zaptuar pothuaj 100 për qind të hapësirës politike e publike. Në të djathtë kanë hequr Mark Markun e Selami Xhepën, të vetmit që kishin pak respekt për veten, dhe në vend të tyre kanë vënë tre socialistët që i shërbyen Berishës në një moment delikat të tijin (!!!). Gjë e paprecedent, e paskrupullt, e ububushme. Ka mbetur akoma ndonjë emër i fismë atje, si Visar Zhiti, Halim Kosova, Dashamir Shehi, dhe e di? Inatin nuk e kam më me të liqtë tani. As me Berishën. E kam me këta që janë të fisëm. Nuk do duhej t’ia bënin këtë shërbim Berishës.
Në të majtë, me listat është demonstruar që Edi Rama ka një projekt për ta bërë partinë totalisht të tijën. Me sa duket, ka në plan të rrijë aty, edhe nëse do të humbasë. Ngjarja ‘Kokëdhima’ nuk e ka të keqen që ka kandiduar Koço Kokëdhima, a thua se Kokëdhima bart ndonjë virus të çuditshëm. Kokëdhima është një si të tjerët nëpër lista. Prandaj e keqja është gjetkë; është që Rama po ndërton një parti miqsh, që nuk ka ndërmend ta lëshojë më”.
Andrea Stefani
“...nuk kam pasur ndonjë kureshtje bajagi të madhe për listat e deputetëve. Ndoshta ngaqë përvoja e këtyre 20 e kusur viteve tranzicion, më ka dhënë të kuptoj se cili është “koeficienti” i virtytit, vesit apo mëkatit në klasën e parlamentarëve shqiptarë, koeficient që nuk besoj se mund të ndryshojë me një palë zgjedhjeje. Por, mbi të gjitha, nuk kam qenë kureshtar për listat sepse më shumë se te pushtetet, shumicat, parlamentet, qeveritë e “virtytshme”, besoj tek krijimi i një sistemi institucionesh që e detyron politikën të jetë e virtytshme. I shëndetshëm nuk është besimi mesianik te politika, por mosbesimi medisonian tek politikanët. Madje, sekreti i një politike të mirë publike, është të gjesh formulën sesi të kontrollohen politikanët dhe qeveritë, pushteti i tyre në mënyrë që të mos mbifuqizohen për t’u bërë të rrezikshëm për publikun. Prandaj nuk kam pritur me makth të qëmtoj listat e opozitës qoftë edhe me shpresën e mirë për të gjetur aty vetëm engjëj, apo qoftë dhe me merakun se mos nxjerr aty këtu kokën ndonjë djall.
Skenaret e pas 23 qershorit, PD
Nëse PD arrin të fitojë zgjedhjet dhe një mandat të tretë qeverisës, triumfi i saj do të ketë vetëm një emër, Sali Berisha. Kryeministri jetëgjatë dhe kontravers shqiptar, ka monopolizuar gjithçka në këtë parti dhe këtu nuk ka më lajm, por vetëm realitet të vazhdueshëm. Sali Berisha do të gëzojë euforinë e mandatit të tretë, por ai e di më mirë se kushdo tjetër se vendi është në krizë të thellë ekonomike dhe se të gjitha shpresat për vijimësinë e qeverisjes së tij do t’i bazojë jo tek maxhoranca e tij, por tek dobësia e kundërshtarit të mundur. Nëse humbet, me të gjitha gjasat, ai do të tërhiqet nga vija e parë e frontit. Do të quhet kryetar nderi i PD-së apo do të ketë një emër tjetër që do të konsiderohet formalisht si i pari i PD-së, ky është vetëm një detaj. PD do të vazhdojë të drejtohet direkt nga Sali Berisha edhe në formë, edhe në përmbajtje. Një mundësi kjo, që të mbajë ende të mbyllur në shishe pasionet e “djajve” politikë që do të vazhdojnë të luftojnë jo më në heshtje njëri-tjetrin për atë që ka munguar gjithmonë në PD: cili është numri dy i kësaj partie?
Skenaret e pas 23 qershorit, PS
Personalizimi i fortë që i është bërë vendimmarrjes në PS dhe sidomos lista e deputetëve, e përzgjedhur prej atij vetë, e bën Edi Ramën, në rast fitoreje, automatikisht “atin” e këtij djali të mezipritur nga socialistët. Të gjithë pa përjashtim do të mblidhen rreth tij dhe fitorja do të koagulojë të gjitha emocionet e ndryshme dhe të ndryshueshme në PS në veçanti dhe në të majtën shqiptare në përgjithësi. Në rast të kundërt, nëse Rama humbet, edhe nëse do të ketë ende vullnet për të qëndruar në krye të PS-së, ky do të jetë një mision pothuaj i pamundur. Ajo çfarë ndodhi në 2009-ën me LMN e Malajt, Islamit e të tjerëve do të jetë vetëm një shëtitje në krahasim me zemëratën e të gjithëve që do t’ja personalizojnë disfatën Ramës. Ka dhe një element tjetër që e ndryshon dramatikisht peisazhin e të majtës: Ilir Meta. Kryetari i LSI do të jetë me të gjitha gjasat pika tjetër e rëndesës së të majtës, poli i ri i saj, tek e cila do të rendë sidomos pjesa “zyrtare” e PS-së.