Ishte Susanne Klatten, 46 vjeçe. "U njohëm në Insbruk. Helg ishte shumë i sjellshëm, i dashur dhe mjaft i kujdesshëm. Më pëlqente mënyra se si i bënte gjërat", tregon zonja Klatten. Pas atij takimi "tête-à -tête" (kokë më kokë) dalëngadalë vijuan edhe të tjerë më të shpeshtë. "Me Sgarbi-n jam takuar disa herë në 2007-ën, në Monako të Bavarisë, Francë dhe Zvicër", më pas shton: "Dëshironte gjithmonë të fliste për historitë e tij, për jetën fatkeqe dhe vështirësitë e shumta. U shokova kur pashë se jetonte në një shtëpi kaq të varfër".
Për Sgarbi-n flasin edhe viktima të tjera, nga të cilat ai ka përfituar: "Do t‘i blija një vilë në liqenin e Zyrih-ut, thotë njëra, me një garazh të madh për një supermakinë". Një tjetër flet për një festë të madhe 60-vjeçaresh, ku të gjitha ishin dashuruar pas bukuroshit Helg.
Në shtator të 2007-ës, Helg i thotë Susanne Klatten se i nevojiteshin shtatë milionë euro, sepse kishte përfunduar në duart e mafies amerikane për një aksident automobilistik, ku kishte vrarë pa dashje një fëmijë. Paratë i duheshin "për të shmangur pasojat më të rënda", pas një seance gjyqësore. Pa u menduar dy herë, pasanikja Susanne ia dha menjëherë. Helg ia tregonte shumë herë historinë e tij: "Ishte shumë i saktë, jepte gjithmonë të njëjtin version". Ata kishin bërë pakt që Helg do t‘ia kthente të gjitha paratë. "Më siguronte gjithmonë se do të mi kthente, madje dyfishin", shton ajo duke thënë se ishte e sigurt që ato euro ai nuk do t‘ia kthente kurrë. "E njoh vlerën e parasë, nëse do t‘i kisha sërish në duar ato shtatë milionë, do t‘i dhuroja për bamirësi". Është një shumë e madhe që ka shkuar në Monako për një garazh të rëndomtë, sepse "zonjës BMW" i rëndonte dhe nuk dinte se nga t‘i çonte. Por ja ku fillon edhe ankthi. Dy muaj më vonë, më 2 nëntor, Susanne Klatten merr një telefonatë anonime, ku e kërcënojnë se do të publikojnë fotot vulgare të takimeve të saj me Helg Sgarbi-n. Duke qenë se nuk kishte zgjidhje tjetër, gruaja vendosi t‘i tregonte gjithçka bashkëshortit dhe familjes, më pas iu drejtua policisë. Më 12 dhjetor të 2007-ës ajo merr një pako anonime, brenda së cilës kishte një letër dhe një DVD. Sgarbi kërkonte 49 milionë, po iu dhanë vetëm 14 milionë euro. Gjatë takimit ai u arrestua nga policia. Sipas gjykatës, videoja ishte realizuar nga një italian që bashkëpunonte me Sgarbi-n; regjisori, kur çifti takohej në hotel, filmonte gjithçka nga një tjetër dhomë komunikuese.
Sipas informacioneve të fundit, Susanne Klatten, aksionerja kryesore e BMW-së, gruaja më e pasur e Gjermanisë dhe e pesta e botës, që është përfshirë nga skandali i fundit, ka bërë të ditur përmes zëdhënësit të saj se nuk do të divorcohet nga bashkëshorti Jan Klatten. Në fillim hidhej hipoteza se "Cosa Nostra" dëshironte të fuste duart në aksionet e BMW-së: "Kjo është e gjitha një gënjeshtër. Kërkesat e zhigolosë mbeteshin vetëm te paratë", ka theksuar zëdhënësi i zonjës. "Në këtë situatë të vështirë, familja është në krahun tim dhe më jep një forcë të madhe", ka thënë Susanne, nënë e tre fëmijëve.
Susanne Klatten, bashkë me nënën Johanna dhe vëllain Stephan, gëzojnë 46 për qind të aksioneve të BMW-së. E gjithë pasuria e saj arrin në 13 miliardë dollarë.
Gazeta: Shqip