Suus ne Eurovizion fushata promovuese nis nga Mali i Zi

'Suus' ne Eurovizion, fushata promovuese nis nga Mali i Zi
Ekipi promovues i këngës “Suus” ka lajmëruar “fushatën” për promovimin e këngës në disa prej vendeve pjesëmarrëse në “Eurosong”. Udhëtimi ka nisur me Malin e Zi, për të vazhduar me vende të tjera pjesëmarrëse. Klipi është hedhur në faqen zyrtare të Eurovizionit dhe komentet rreth këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë kanë qenë të shumta. Madje dhe vetë këngëtarët pjesëmarrës në intervistat e tyre kanë veçuar zërin dhe këngën e Rona Nishliut.  Përfaqësuesja e San Marinos, Valentina Monetta, ka vlerësuar si pretendente të forta italianen Nina Zilli dhe shqiptaren Rona Nishliu. “Ka shumë këngë të bukura këtë vit në Eurosong, por si më të mirat unë do të veçoja “La-more e Femmina” të përfaqësueses së Italisë Nina Zilli-it, dhe “Suus” të Rona Nishliut. Gjithashtu dhe Trackshittaz (Austri) ka gjithashtu një këngë pretendente”- është shprehur në intervistën e saj këngëtarja Valentina Monetta. “Shpresoj që anëtarët e jurisë, të cilët supozohet se janë ‘ekspertë’, do t’ia japin vendin e parë, sepse ajo me të vërtetë e meriton. Njerëzit e vendit tim mbase do të votojnë për këngët e Turqisë, Greqisë, Qipros.

Por unë do të votoj për të, një milion herë dhe shumë shpresoj që do ta shoh në finale. 12 pikë nga Izraeli”, është një nga komentet që i janë adresuar videoklipit të këngës “Suus” në adresën zyrtare të eurovision.tv. Por komentet admiruese për këngën nuk janë barometri i vetëm që dëshmojnë se kjo këngë ka zgjuar kërshëri. Videoklipi i këngës me të cilën Rona Nishliu do të përfaqësojë Shqipërinë në garën më të madhe të këngës europiane, për më pak se tri javë, prej kohës së lançimit, ka marrë mbi dyqind mijë klikime në faqen zyrtare. Për këngëtaren Rona Nishliu rezultatet e deritanishme të “Suus” janë të mira. “Janë të kënaqshme dhe janë motiv për punë të mëtejshme”- ka thënë Nishliu. Por Nishliu në faqen zyrtare të Festivalit Europian të Këngës nuk ka dashur që përmes këtij suksesi online të barazojë atë çfarë e pret në netët e festivalit dhe në vlerësimin e jurive të vendeve pjesëmarrëse. “Vendimtare për gjithçka do të jetë performanca e 22 majit.

Për këtë jemi duke u munduar që gjatë gjithë kohës të kërkojmë mbështetjen e shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë ajo. Sipas Nishliut, në kuadër të përpjekjeve për një promovim sa më të gjerë të këngës, ekipi i ‘Suus’ do të udhëtojë nëpër disa vende pjesëmarrëse në “Eurosong”. Fushata tashmë ka nisur me prezantimin e Nishliut në disa emisione televizive për kanalet e Radiotelevizionit të Malit të Zi dhe do të zgjasë deri në ditët e para të majit. Me këngën ‘Suus’, e cila është kompozuar nga Florent Boshnjaku, Rona Nishliu ka fituar në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Triumfi në këtë festival tradicional të këngës shqiptare i ka mundësuar këngës ‘Suus’ rrugëtimin drejt Bakusë, në Azerbajxhan. Rona Nishliu do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë, më 22 maj, ndërkaq, sipas shortit, ajo këndon e pesta me radhë. Videoklipi i këngës është realizuar nën regji të Bekim Lumit dhe realizim të produksionit “Kooperativa”.

Rona Nishliu, në shkurt të këtij viti, udhëtoi në Los Anxheles, ku regjistroi këngën “Suus” në dy studio prestigjioze Ocean Way Recording dhe Capitol Records, ndërsa përpunimi i saj është bërë në studion muzikore Sterling, në Nju-Jork. Kënga nga versioni origjinal që fitoi dhe festivalin e RTSH-së është shkurtuar deri në 3 minuta, në mënyrë që të përmbushë të gjitha kriteret e Eurosongut. “Suus” është regjistruar aty ku dikur kanë trokitur edhe  “The Beatles”, Frank Sinatra, Ray Charles, Lady Gagaetj. Tekstin e këngës “Suus” e ka shkruar vetë Rona. Ndërkaq klipi është realizuar në Kosovë me kostumografi nga Flutura Dedinja, skenografinë Alban Muja, për ndriçimin është kujdesur Samir Karahoda, postproduksion Arian Rexhepi.

Puna humanitare një pikë më shumë për këngëtaren shqiptare

Ajo që spikat në vlerësimet që i bëhen këngëtares shqiptare përveç zërit të veçantë është dhe veprimtaria e saj humanitare, që duket se ka nisur qysh në vitin 2009, ku ajo ka dhënë një sërë koncertesh humanitare në Kosovë, vit që ajo u bë pjesëmarrëse edhe si lektore në një mision të UNDP-së për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e vullnetarizmit te të rinjtë. Përveç kësaj, Rona Nishliu është aktiviste në mbrojtje të njerëzve me autizëm. Ajo është pjesëtare e Institutit për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë së Kosovës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama