Me premtimin se mund t’i japë kujtdo, ose më mirë kujtdo që ka 3800 euro – beben e syrit të Elizabeth Taylor apo të Franc Sinatras, një klinikë e specializuar ka nxjerrë një teknikë që në më pak se 30 sekonda i ndryshon sytë e errët, të zinj apo gështenjë në bojëqielli. “Është ekuivalenti i botox për iridën”, tregon krijuesi i saj. Ky është një biznes që do të sjellë miliona euro fitime, sipas industrive të këtij sektori. Për këtë shpikje, që në pamje të parë të duket si një magji, numri i kërkesave është shumë i madh. Për momentin është ende në fazë eksperimentale dhe nuk mungojnë dyshimet nga ekspertët dhe mjekët mbi rreziqet që mund të sjellë kjo procedurë.
Ndërkaq, në kohën e globalizimit dhe të shkrirjes, kur në kryeqytetet multietnike si Londra dhe Nju Jorku ku përzihen raca të çdo pjese të botës, mund të thuhet se ka ende një kërkesë të madhe, në mos një dëshirë të masës për simbolin e padiskutueshëm të racës ariane, sytë bojëqielli (që mund të shoqërohen me flokë biondë, këta lehtësisht të arritshëm me një lyerje të shpejtë). Po, mbështet Gregg Homer, 55-vjeçari themelues i “Stroma medical”, një shoqërie kërkimi në fushën e kirurgjisë plastike, që ka krijuar sistemin për të ndryshuar ngjyrën e syve. “Nuk kam asgjë kundër syve me ngjyrë të errët, përkundrazi janë shumë të bukur”, thotë Homer që i ka sytë bojëqielli, por jo të bërë artificialisht. “Në jetën time kam takuar shumë njerëz që do të donin t’i kishin sytë bojëqielli.
Ashtu si shumë njerëz mund të ndryshojnë ngjyrën e flokëve ose përdorin kirurgjinë estetike për të modifikuar një tipar të pamjes së tij të jashtme, nuk shoh asgjë të keqe t’i ofrosh tregut atë që tregu vetë kërkon”. Procedura në vetvete funksionon kështu: një rreze lazer, e përqendruar për rreth 20 sekonda në beben e syrit, shkatërron shtresën e hollë të pigmentit që mbulon pjesën e ngjyrosur të syrit, që brenda pak javëve ndryshon nga e errët në të hapur, pra në bojëqielli. Procedura, thonë mjekët që e shohin si të dyshimtë këtë proces, mund të rrisë presionin e syrit.
Apo të zmadhojë beben e syrit në mënyrë anormale. Por nuk është e thënë që rezultati të jetë menjëherë i njëjtë për të dy sytë, pasi për të pasur një nuancë të theksuar ngjyre, duhet të jenë të nevojshme ndërhyrje të ndryshme. Një tjetër dyshim është i llojit antropologjik dhe social: Charles Darwin, në traktatin tij “The descent of man”, i konsideronte sytë bojëqielli një mjet për të rezultuar tërheqës për seksin tjetër, por teori të reja thonë se kjo ngjyrë sysh, që i detyrohet një mutacioni gjenetik rreth 20 mijë vjet më parë, mendohet se është pasojë e një lëkure ngjyrë të hapur, që marrin më pak diell, më shumë vitaminë D dhe i mbijetojnë më mirë të ftohtit, kushtet në të cilat jetonin paraardhësit tanë në Europën Veriore në kohën e gurit.
Me pak fjalë nuk do të ishte një shenjë bukurie. Është e sigurt që sot, rreth 90 për qind e popullsisë botërore i ka sytë me ngjyrë të errët. Nëse ndonjë pjesë e jona ëndërron t’i ketë sytë bojëqielli si Cameron Diaz dhe Daniel Craig deri tani ka pasur vetëm një mundësi: të vendoste lente me ngjyra. Kompania “Stroma” parashikon që brenda tre vjetësh të mbarojë faza eksperimentale dhe të merren licencat e nevojshme, një pjesë e mirë e njerëzve do të kenë mundësi të zgjedhin teknikën e tij me rreze lazer për të zgjedhur ngjyrën e syve, jo për një ditë apo për një mbrëmje, por përgjithnjë.
Simbolika
Syri si fjalë përdoret edhe për të shpjeguar ose përshkruar fenomene të tjera. Përveçse si organ i të parit e përdorim edhe për të emëruar të tjera objekte në formën e tij. Syri u bë dhe obsesioni i Xhorxh Bataille në veprën e tij “Kritika e syrit”. I mirë apo i keq, cila do qoftë ndjenja e këndvështrimit të tij, syri është gjithmonë subjekt shqetësimesh të forta dhe gjithsesi dhuron emocione të ndryshme. Bataille shkruan se nuk ka asgjë më mbresëlënëse se syri, asgjë më tërheqëse në trupin e njeriut ose të kafshëve. Nga ana tjetër, tundimi ekstrem shkon në limitet e tmerrit dhe ndoshta kjo është ajo që frymëzoi Salvador Dalin dhe Luis Bunuel në filmin "Chien andalou", ku një brisk kërcënon syrin e një gruaje të re dhe tërheqëse nën shikimin e një burri, i cili mban në dorë një lugë kafeje dhe papritur i lind dëshira për të marrë një sy të sajin.