Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Gjatë dëshmisë javën e kaluar në Kongres, sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tërhoqi vemendjen edhe për diçka tjetër – syzet e saj ishin jo të zakonshme. Ato përbëheshin nga lente të pajisura me “Prizëm Fresnel” që rregullojnë shikimin kur personi ka vizion të dyfishtë
Ekspertët thonë se goditja në kokë që zonja Klinton pësoi kur u rrëzua muajin e kaluar duket se ka ndikuar ekuilibrin extra-ocular (muskujt që kontrollojnë lëvizjen e syve). Vizioni i dyfishtë ndodh kur sytë marrin imazhe individualisht, duke bërë që truri t’i interpretojë ato jo paralelisht dhe lentet e pajisura me “Prizëm Fresnel”, si ato të zonjës Klinton, përdoren për të kompensuar devijimin midis syve.
Edhe një zëdhënës i Departamentit të Shtetit konfirmoi këto ditë gjatë një konference shtypi, se sekretarja Klinton kishte vënë syzet si pasojë e rënies dhe tronditjes që përjetoi muajin e kaluar, por nuk dha hollësi të mëtejshme.
Zonja Klinton u kthye në punë në fillim të këtij muaji, pas një pushimi të gjatë dhe shtrimi në spital. Fillimisht ajo u prek nga një virus në stomak dhe pastaj u trajtua për mpiksje gjaku që u shkaktua nga goditja në kokë si pasojë e një rrëzimi.
http://astritlulushi.wordpress.com/2013/01/27/syzet-e-sekretares-klinton/