Trans Adriatic Pipeline (TAP) ka publikuar njoftimin e dytë për kontratë (faza parakualifikuese) për një prokurim të madh për ndërtimet inxhinierike (EPC) në Gazetën Zyrtare të BE-së – “The EU Gazette”. Qëllimi i kësaj kontrate lidhet me punimet inxhinierike, prokurimet dhe ndërtimin e rreth 760 kilometrave të tubacionit në tokë me diametër 1.2 metra që lidh dy vendet Shqipëri dhe Greqi. Njoftimi aktual është i dyti, pas një njoftimi për ndërtimin e rrugëve dhe urave shqiptare të publikuar në 15 prill 2014. Përveç ndërtimit të gazsjellësit, kontrata do të përfshijë ndërtimin e 32 stacioneve valvolash përgjatë rrugës.
Ndërtimi i gazsjellësit planifikohet të fillojë në vitin 2016 dhe do të ndahet në pesë lote – tre në Greqi dhe dy në Shqipëri. Vlerësim më i lartë i TAP-it do të jetë 1 800 metra në Shqipëri dhe gazsjellësi do të ndeshë përgjatë gjurmës me shumë rrugë dhe lumenj.
Sipas njoftimit, kompanitë që janë të interesuara në fazën e para kualifikimit për kontratën e ndërtimit të gazsjellësit në tokë duhet të kërkojnë një pyetësor para kualifikimi nga TAP, jo më vonë se 26.05.2014. Vetëm një numër i përzgjedhur kompanish që kanë plotësuar para kualifikimin do të ftohen që të marrin pjesë në fazat e tenderimit të procesit të prokurimeve të TAP për dertimin në tokë të gazsjellësit.
Knut Steinar Kvindesland, drejtor i prokurimeve në TAP, tha: “Kjo është një nga kontratat më të mëdha që TAP planifikon të realizojë. Përzgjedhja e ofertuesve potencialë do të jetë e rreptë. Një kërkesë kyçe, që kontraktorët tanë duhet të përmbushin lidhet me standardet e larta në shëndet, siguri dhe mjedis dhe politikës së TAP-it për zero dëme”.
Kontraktorët e EPC të TAP-it do të jenë përgjegjës për të siguruar nënkontraktorë shtesë për të zbatuar pjesë specifike të kontratës, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi shtesë për ekonominë dhe punësimin në rajon.
Njoftimi i ardhshëm për kontratë, që do të publikohet nga TAP në javët në vijim, do të jetë ai për para kualifikimin e kompanive për ndërtimin e stacioneve të kompresorëve.
Parakualifikimi i kompanive për pjesën italiane në tokë do të njoftohet më vonë, si pjesë e një kontrate tjetër.
Në prill u rishikua procesi i prokurimeve
Në prill 2014, pas një rishikimi të strategjisë dhe afateve, TAP vendosi të ri-prezantojë procesin e vet të prokurimeve dhe si rrjedhojë filluan proceset e reja të para kualifikimit për mallra dhe shërbime. Procesi i rishikuar synon të japë mundësinë maksimale për furnitorët kombëtarë dhe ndërkombëtare, që të marrin pjesë në projekt. TAP ka inkurajuar të gjitha kompanitë me përvojë domethënëse – përfshirë ato që kanë aplikuar më parë, që të marrin pjesë në raundet e reja të para kualifikimit.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi i gjatë përafërsisht 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit greko-turk në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të arrijë në brigjet e Italisë jugore.
Trajektorja e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz për disa vende të Evropës JugLindore duke përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë etj. Pika ku TAP hyn në tokë në Itali ofron mundësi të shumëfishta për transportin e mëtejshëm të gazit natyror kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria
TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tij;ai do të jetë një burim kryesor për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe nuk ka varësi nga grantet ose subvencionet. Pas shitjeve të para në Gjeorgji dhe Turqi të targetuara për fundin e vitit 2018, prurjet e para të gazit në Evropë do të ndodhin pas rreth një viti. Aksionarët e TAP janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (16%), Total (10%), E.ON (9%) dhe Axpo (5%).