Trans Adriatic Pipeline (TAP) do të nisë në afërsi të Fierit projektin për një stacion kompresorësh, i cili do të hapë një front punimesh edhe për firmat lokale të ndërtimit. Dje TAP njoftoi se po vazhdon parakualifikimin e furnizuesve potencialë për ndërtimin e gazsjellësit natyror me presion të lartë prej 870 km, së bashku me infrastrukturën mbështetëse në Greqi, Shqipëri dhe Detin Adriatik dhe zonën tokësore në jug të Italisë. Kjo është kontrata e tretë që shpallet nga TAP-i në Fletoren Zyrtare të BE-së. Dy stacione kompresorësh do të jenë të nevojshme për të transportuar 10 bcm gazi natyror në vit, përgjatë gjithë rrugës së gazsjellësit nga lindja në perëndim. Kontrata do të përfshijë punimet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një stacioni kompresori në Shqipëri, afër Fierit, dhe një stacion kompresori në Greqi, saktësohet në ftesën për tender.
Kompanitë që janë të interesuara për t’u parakualifikuar për këtë kontratë duhet të plotësojnë një pyetësor parakualifikimi nga TAP jo më vonë se 16.06.2014. Vetëm një numër i përzgjedhur i kompanive të parakualifikuara do të ftohen në fazën tenderuese të procesit të prokurimit të organizuar nga TAP-i për ndërtimin e stacioneve të kompresorëve. “Vëllimi i punimeve për këtë kontratë është pak a shumë kompleks. Kontraktorët potencialë duhet të tregojnë ekspertizë shumë specifike në ndërtimin e stacioneve të kompresorëve të gazit natyror, po ashtu dhe përvojë në shumë fusha të infrastrukturës së energjisë, përfshirë aftësi të forta të menaxhimit të projektit”, tha Knut Steinar Kvindesland, drejtor i prokurimeve në TAP. Kontraktorët do të jenë përgjegjës për të siguruar më tej nënkontraktorët shtesë për të zbatuar pjesë specifike të kontratës.
Pritet që kjo të krijojë punësim shtesë dhe mundësi ekonomike në rajon, thuhet në njoftimin e TAP-it. Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve planifikohet të fillojë në vitin 2016 dhe do të duhen rreth dy vjet që ai të përfundojë. Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve ishte parashikuar të niste tremujorin e katërt të vitit 2015, por ky afat i ri u vendos në dhjetor 2013. Faza aktuale parakualifikuese është e treta, pas njoftimit të kontratave për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri dhe shërbimeve për ndërtimin e gazsjellësit në tokë në Greqi dhe Shqipëri.
Njoftimi tjetër i kontratës, që do të bëhet nga TAP-i, në javët në vijim, do të jetë parakualifikimi i kompanive që do të bëjnë furnizimin me turbo-kompresorë dhe valvula me diametër të gjerë.