Së shpejti nis ndërtimi i gazsjellësit TAP në Shqipëri, por para kësaj do të bëhet shpronësimi dhe kompensimi i pronarëve të tokës. “Shekulli” publikon detaje se, ku kalon dhe cilat janë efektet e këtij projekti te jeta e banorëve të këtyre fshatrave.
Qeveria jep lejen
Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i cili u mblodh dje nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, miratoi lejen zhvillimore komplekse të Fazës 1 për Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës. Aprovimi nga KKT është një prej lejeve më të rëndësishme që i jepet TAP AG, përmes të cilës kompania fillon aktivitetet e ndërtimit për Gazsjellësin Trans Adriatik. Ky aprovim do të ndiqet nga një fazë e dytë gjatë së cilës pritet të bëhet aprovimi i Lejes Komplekse Zhvillimore nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në pjesë, sipas të gjitha seksioneve dhe fazave të zhvillimit të sistemit të gazsjellësit TAP. Aktivitetet e ndërtimit do të nisin me rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve dytësore dhe urave në Shqipëri, duke nisur nga viti 2015. Leja është aprovuar mbi bazën e vendimit të KKT-së për Planit Sektorial Kombëtar për Projektin TAP të datës 4 korrik 2013. TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi i gjatë përafërsisht 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit greko-turk në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të arrijë në brigjet e Italisë jugore.
Tokat dhe pyjet që kompensohen
Projekti do të kërkojë zënien e përhershme të tokës për instalimet mbi sipërfaqe, p.sh. stacionet e kompresorëve, stacionet e valvulave të bllokimit, si dhe për rrugët që do të ndërtohen të reja ose ato që do të përmirësohen. Në total toka që do të merret për projektin TAP, sipas studimit të paraqitur qeverisë nga TAP AG, përbën një sipërfaqe afërsisht 73 ha për instalimet mbi tokë dhe rreth 140 ha për rrugë të reja ose të përmirësuara. Kjo zënie e tokës prek kryesisht toka bujqësore dhe pyje. Përveç kësaj, do të kërkohen edhe vende për depozitimin e gurëve të thërrmuar dhe tepricat nga gërmimet në seksionet malore. Pronarët aktualë të tokës do të kompensohen me vlerën e zëvendësimit (vlera e tregut plus kosto të mundshme të transaksioneve). Në bazë të marrëveshjeve, pronësia e disa rrugëve të reja që do të ndërtohen mund t’i kalohet administratës publike. Ndërtimi i gazsjellësit kërkon zënie të përkohshme të tokës në një sipërfaqe totale prej afërsisht 800 ha, e cila është rezultat i brezit të punimeve, shesheve të tubave dhe kampeve, etj. Niveli i shpyllëzimeve që kërkohen gjatë fazës së ndërtimit varion sipas rretheve, por në total janë 235 ha pyje që do të duhet të priten, sipërfaqe e cila përbën 30% të gjithë tokës që do të përdoret brenda brezit të punimeve.
Pas përfundimit të ndërtimit, do të ndërmerret rikthimi në gjendjen e mëparshme dhe mbjellja e pemëve përgjatë gjurmës së gazsjellësit, në përputhje me Planin e Rimëkëmbjes së Zonës dhe Planin e Menaxhimit të Peizazhit të projektit TAP. Për masat e rimëkëmbjes do të bihet dakord me pronarët ose përdoruesit e tokës dhe administratën lokale. Masat e mbrojtjes nga erozioni do të aplikohen siç kërkohen, do të rivendoset në gjendjen e mëparshme kullimi i tokës dhe do të riparohen sistemet e ujitjes apo rrugë e rrugica të zonës, nëse janë dëmtuar gjatë ndërtimit. Për të zgjidhur çështjet që lidhen me tokën dhe në veçanti me kompensimin e saj, TAP AG ka hartuar një Strategji për Blerjen e Tokës dhe Servitutin dhe një projekt Plan për Aksesin në Tokë. Sipas këtij plani, pronarët e tokës do të kompensohen për humbjet dhe dëmet e shkaktuara gjatë ndërtimit. Këtu përfshihen ndër të tjera, humbje të strukturave (p.sh. serra), të mbjella të përhershme dhe humbje të prodhimit bujqësor, etj. Kompensimi për zënien e përhershme apo të përkohshme të tokës do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar dhe financohet nga BERZH-i. TAP AG do të komunikojë me pronarët e përdoruesit privatë dhe publikë, si dhe do të lidhen marrëveshje mbi blerjen e tokës dhe të drejtat e servitutit shumë kohë para se të fillojë ndërtimi. Shoqëria TAP është duke identifikuar aktualisht pronat që ndikohen dhe çmimet përkatëse të tregut, të cilat do të përdoren si referencë për transaksionet përkatëse për tokën. Kufizimet e përdorimit të tokës Pronësia e tokës përgjatë gjurmës së gazsjellësit nuk do të ndryshojë, gjithsesi toka do t’i nënshtrohet servitutit, gjë e cila do të kufizojë disa përdorime në të ardhmen nga ana e pronarëve të tokës.
Kjo përfshin mbrojtjen e përhershme të brezit të gazsjellësit në një gjerësi 8m, ku nuk do të lejohet mbjellja e pemëve apo bimëve të përhershme me rrënjë të thella, për të mbrojtur paprekshmërinë e gazsjellësit. Sipas studimit që gjendet në dosjen për lejen zhvillimore të TAP AG, afërsisht 100 ha tokë bujqësore do t’i nënshtrohet këtij kufizimi. Punimet bujqësore me të mbjella njëvjeçare do të vazhdojnë pa problem pasi të jetë shtruar tubacioni, pasi mbulesa minimale mbi tubacion do të jetë jo më pak se 1 m. Pemë frutore etj. mund të mbillen sërish në brezin e punimeve gjatë procesit të rimëkëmbjes, por brezi i përhershëm për mbrojtjen e gazsjellësit duhet të ruhet i paprekur. Ky servitut mbi tokën do të kompensohet nga TAP AG. Kufizimi i ndërtimeve Përdorimi i tokës do të kufizohet edhe për zonat e sigurisë që do të kërkohen. Nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë lloj ndërtese brenda një distance 20 m nga gazsjellësi (zona e sigurisë). Midis distancës 30 dhe 200 m nga gazsjellësi (zona e zgjeruar e sigurisë), do të lejohen vetëm ndërtesa njëkatëshe, ndërsa projektet për ndërtime të planifikuara ( të tilla si projekte zhvillimi të hartuara nga bashkitë) janë të kufizuara të mos jenë afër më shumë se 200 m nga gazsjellësi.
Pronësia mbi tokën
Sipas studimit të TAP, toka e pyllëzuar në zonën e studimit është një përzierje e sipërfaqeve në pronësi publike (d.m.th. në pronësi të shtetit, por të menaxhuara nga komuna), sipërfaqe në pronësi private dhe atyre të mbrojtura. Raste të sipërfaqeve pyjore në pronësi private u deklaruan në rrethin e Korçës dhe atë të Devollit në rrëzë të malit Morava. Sipas ndarjes së tokës në fillim të viteve ’90, gjithë toka bujqësore ishte privatizuar dhe çdo familje kishte marrë në pronësi nga 1.5 deri në 5 ha tokë në disa parcela të ndryshme. Brenda zonës së studimit janë disa zona që kanë tokë shumë pjellore, të cilat janë ndarë në shumë parcela të vogla. Kjo është vënë re në zonën e kultivimit të mollëve në komunat Pojan, Progër dhe Bilisht në rrethet e Korçës e Devollit ku parcelat janë afërsisht 400 m të gjata dhe 50 m të gjera. Niveli i pronësisë mbi tokën është i lartë përgjatë zonës së studimit dhe nga 80% deri 100% të personave që u përgjigjën gjatë studimit, deklaruan se, ata e kishin në pronësi tokën që përdornin.
Ndërkaq u vërejtën probleme lidhur me dokumentacionin e pronësisë mbi tokën. Pronësia u diskutua në 12 takime me grupet e përfshira drejtpërdrejt në këtë aktivitet me pjesëmarrje të fermerëve, përveç ngritjes së këtij problemi në takime me komunitetin. Në Fier u deklaruan raste kur disa persona kishin marrë dokumentet e pronësisë në mënyrë që ta shisnin tokën e tyre dhe kishin zbuluar se dokumenti i pronësisë nuk përkonte me sipërfaqen e tokës që ata mendonin se e zotëronin. Kjo u raportua si një problem dhe si burim konflikti midis fqinjëve. Përveç problemeve që lidhen me dokumentet e titujve të pronësisë mbi tokën, shumë nga familjet e përfshira në studim deklaruan se kishin pasur në pronësi tokë para vitit 1945, e cila u ishte marrë gjatë komunizmit, por nuk u ishte rikthyer në vitet ’90. Numri më i lartë i familjeve të përfshira në studim, që deklaruan se kishin patur tokë në pronësi para vitit 1945, u vërejt në Skrapar (68% e familjeve të përfshira në studim) pasuar nga Devolli (50%), Berati (38%), Korça (36%) dhe Fieri (31%).
Shtrirja e tubacionit, nga kufiri deri në Adriatik
Gjurma e gazsjellësit shtrihet nga kufiri shqiptar-grek, kalon Stacionin e Kompresorëve në Bilisht, përmes një pllaje në lartësi ndërmjet 800 m dhe 900 m mbi nivelin e detit dhe kryesisht përmes tokave bujqësore në pellgun ujor të lumit Devoll. Tubacioni kalon lumin Devoll dhe vazhdon paralelisht me një linjë të tensionit të lartë dhe më pas kryqëzohet me një rrugë kryesore. Kjo pasohet nga disa kryqëzime me përrenj dhe me rrugë. Rruga kryesore Tiranë – Korçë do të kalohet nëpërmjet një metode pa hapjen e kanalit. Më tej gjurma shtrihet përreth kreshtës së malit të Moravës dhe ndjek pellgun ujor të lumit Devoll për të filluar ngjitjen gradualisht. Këtu ka shpate me pjerrësi mesatare dhe shpate anësore. Tubacioni i gazit do të kalojë në jug të Rezervuarit të Gjançit dhe vazhdon përmes kreshtave malore të ndryshme e përmes luginave, duke u ngjitur. Në këtë seksion gjurma e gazsjellësit ndjek për rreth 14 km vijën e Potomit, e cila është përzgjedhur për të shmangur masivin e malit të Ostrovicës.
Fillimi i punës nga ana lindore e gjurmës së Potomit do të bazohet në ndërtimin e rrugëve hyrëse të përkohshme dhe të përhershme, të cilat duhet të fillojnë më përpara dhe të përfundojnë në kohë. Gjurma e gazsjellësit shtrihet më tutje përgjatë anës veriore të masivit malor qendror. Lumi Osum do të kalohet disa herë, pjesërisht ose paralel me shtratin e lumit aktiv. Në zonën ku anashkalohet qyteti i Beratit, gjurma e gazsjellësit kryqëzohet me plantacione të shumta, në disa raste me me ullinj, duke bërë të domosdoshme përshtatje të vogla, për të minimizuar çdo ndikim mbi natyrën. Kapërcehet sërish shtrati i gjerë i lumit Osum bashkë me fushën që ndodhet në anë të lumit dhe që përmbytet prej tij. Më pas gjurma vijon nëpër tokë tërësisht bujqësore dhe kalon pranë disa guroreve të gurit gëlqeror, përmes një terreni pak a shumë kodrinor, me shpate të pjerrëta herë pas here, derisa arrin në fushën e Myzeqesë, ku kalon në veri të zonave industriale të vendburimit të naftës Patos – Marinëz, ku kapërcen lumin Seman. Më pas ajo kalon zonën e vendburimeve të naftës, që shfrytëzohen nga kompania Bankers Petroleum Albania. Gjurma e gazsjellësit kalon përmes një toke tërësisht bujqësore në fushën e Semanit, derisa kalon lumin Seman ndërmjet dy argjinaturave. Autostrada Tiranë – Fier kalohet pa hapjen e kanalit, duke përdorur metodën e shpimit, po ashtu edhe hekurudha. Edhe kryqëzimi me lumin Seman është planifikuar pa hapjen e kanalit. Gjurma e gazsjellësit kalon përmes një toke tërësisht bujqësore deri ku ajo kapërcen kanalin e madh vaditës. Stacioni i Kompresorëve në Fier është planifikuar të instalohet në perëndim të Fierit. Deri në zonën e daljes në det gazsjellësi do të kalojë përmes tokave me rërë të imët dhe në disa raste me dhe të shkrifët, me nivele të larta ujërash nëntokësorë.
Stacioni i ngjeshjes së gazit në Bilisht
Zona ku do të ngrihet stacioni ndodhet në qytetin e Bilishtit, pranë kufirit grek/shqiptar, në një pllajë pothuajse të sheshtë, në qendër të lumit të Devollit, e rrethuar nga kodrat. Fushat bujqësore që shtrihen përgjatë brigjeve të lumit në rrethin e Devollit janë të rrethuara nga fshatrat Trestenik, Vishoshicë dhe Kurilë. Largësia me kufijtë e fshatit Trestenik është 1.5 km dhe me Vishoshicën 1.25 km. Zona lidhet me fshatrat përreth me anë të rrugëve: një rrugë e shtruar vazhdon deri tek kufiri i parcelës ku do të ngrihet stacioni. Parcela e stacionit ka një sipërfaqe prej rreth 8,37 ha.
Vendbanimet ku kalon gazsjellësi, komunat bashkitë dhe fshatrat
Korça
Devoll
Bilisht
Vishocicë
Trestenik
Kuç
Bilisht
Progër
Cangonj
Vranisht
Progër
Mançurisht
Korça
Drenovë
Ravonik
Turan
Mollaj
Pulahë
Floq
Projan
Zëmblak
Plasë
Terrovë
Pendavinj
Qendër
Çiflik
Bulgarec
Malavec
Shamoll
Berat
Skrapar
Bogovë
Ustië
Valë
Çorovoda
Poliçan
Zgërbonjë
Potom
Backë
Qafë
Qendër
Arizaj
Buzuk
Çerenishte
Munushtir
Orizaj
Osoje
Polenë
Vendreshë
Therpel
Vëndreshë e vogël
Berat
Uznovë
Cukalat
Kutalli
Drenovicë
Kutalli
Pobrat
Protoduar
Rërëz-kumarak
Sqepur
Otllak
Moravë
Ullinjas
Çiflik
Poshnjë
Roshnik
Kodras
Tërpan
Tërpan
Ura Vajgurore
Guri i bardhë
Konisbaltë
Vokopolë
Velabisht
Duhanas
Malinat
Vërtop
Bregas
Fushë peshtan
Mbrakull
Vërtop
Vodicë
Fier
Dermenas
Hamil
Hoxharë
Sulaj
Mbrostar
Kallm i vogël
Mbrostar ura
Petovë
Verri
Imesht
Kurjan
Libofshë
Rreth Libofshë
Qendër
Mujalli
Roskovec
Strum
Topojë
Fushë
Kavaklli
Seman
Seman i ri
Topojë
Lushnjë
Bubullimë
Vajkan