Qeveria italiane miratoi më 19 shtator 2013 ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë elektrike nga TEC-i i Porto Romanos në drejtim të Italisë. Në Durrës nuk është ndërtuar ndonjë TEC me qymyr nga ENEL-i. Linja energjisë do të fillojë nga bregdeti shqiptar, do të mbërrijë në Polignano dhe që andej do të shtrihet në territoret e qyteteve / komunave të Mola-s, Conversano-s, Rutigliano-s, Turi-t dhe Casamassima-s. Linja elektrike nga Porto Romano-ja fut 6 qytete italiane në ‘luftë’, kështu njofton e përditshmja puljeze “Gazzetta del Mezzogiorno”.
Ky projekt, i cili tashmë ka marrë miratimet të ndryshme, përfshirë departamentin e energjisë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për llogari të “Enel Produzione Spa” dhe, që prek rajonin e Sud Est Barese-s, po turbullon ujërat, thotë gazeta. Në komunat e Sud Est-it, po kërkojnë detaje për këtë projekt, sidomos në zonat ku do të ngrihen kantieret dhe mbi ndikimin në mjedis dhe në një territor, në të cilin ka shumë vende arkeologjike dhe zona të mbrojtura. Të parët që përhapën lajmin ishin aktivistët e lëvizjes “Schittulli”.
Lucia Brescia, këshilltare bashkiake në Polignano dhe pedagoge në liceun shkencor “Simone” në Conversano, kërkoi në administratën bashkiake të qytetit të saj mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak. Iniciativa anti-Porto Romano janë ndërmarrë dhe nga bashki / komuna të tjera. Problemi po shkon dhe në parlament. Sipas gazetës, linja e transmetimit të energjisë elektrike do të fillojë nga TEC-i me qymyr në Porto Romano, qyteti i Durrësit, Shqipëri, deri në bregdetin e Polignano-s dhe prej këtej në Sud Est.
Projekti mban firmën e “Enel Produzione”-s dhe ka miratim ministror për një lidhje me gjatësi 31 km në tokë dhe 27 km në det, i quajtur teknikisht “linjë tregtare”, me rrymë të vazhdueshme deri në 500 megavat, për të importuar energji nga TEC-i shqiptar me qymyr, që do të hyjë në funksionim në qershor 2014. Ndërkaq Bashkia e Durrësit dhe komuniteti i qytetit dhe komunës së Katundit të Ri, si dhe shoqatat mjedisore me këshillën e ambasadës amerikane, kanë kundërshtuar qeverinë e mëparshme për lejen e ndërtimit të TEC-it. Deri dhe ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit Ferdinand Xhaferaj, në fushatën elektorale të 2011-ës përballë rivalit të tij Vangjush Dako, premtoi kundërshtimin e vendimit të kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha.