THEMELET E PAVARESISE

THEMELET E PAVARESISE
Fototeka “Marubi” është një monument madhështor i kulturës moderne shqiptare, i krahasueshëm me simotrat e krijuara në rajonin tonë dhe shumë më gjerë. Ajo e ka nisur dhe vijuar jetën e saj në kohëra të paimagjinueshme për një zhvillim të tillë

Delegatët e Shkodrës, qyteti më i zhvilluar i trevave shqiptare, aso kohe u nisën për në Kuvendin e Prizrenit, pasi i kishin dërguar kryetarit të Kongresit të Berlinit, lordit Bikonsfild, përkujtesën (memorandumin) e tyre të datës 13 qershor 1878

Të dy këta klerikë myslimanë iu kundërvunë vendimeve të fuqive të mëdha të Europës dhe urdhrave të sulltanit për lëshimin e trojeve shqiptare Malit të Zi

SHKODËR 1878, dëshmitë fotografike

Marrëveshja historike e shqiptarëve mes vetes nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit

Themelet e pavarësisë, 100-vjetorin e së cilës po kremtojmë këtë vit, u hodhën në qershor të vitit 1878, me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me të shqiptarët arritën marrëveshjen historike të sanksionuar në dokumentet programore të datave 13 dhe 15 qershor 1878, të cilat sanksionuan kërkesën për pavarësi të shpallur në përkujtesën e shkodranëve dhe në programin autonomist të Lidhjes dhe të mbarë Rilindjes. Këto dokumente shënojnë gurin e qoshes jo vetëm në themelet e pavarësisë, por dhe të nacionalizmit politik shqiptar. Lufta e popullit tone për vënien në jetë të tyre nën udhëheqjen e Lidhjes dokumentohet jo vetëm me anë të dëshmive dokumentare, por dhe përmes dëshmive të hershme fotografike.

Fototeka “Marubi” është një monument madhështor i kulturës moderne shqiptare, i krahasueshëm me simotrat e krijuara në rajonin tonë dhe shumë më gjerë. Ajo e ka nisur dhe vijuar jetën e saj në kohëra të paimagjinueshme për një zhvillim të tillë. Fotot e para në Shkodër janë realizuar në vitin 1858, jo më vonë se 19 vjet që nga koha e lindjes së këtij arti. Ky fakt historik është zyrtarizuar edhe nga Akademia Franceze.

Mund të diskutohet se cila është fotografia e parë dhe kush është personi i parë i fotografuar nga themeluesi i dinastisë së fotografëve më të parë shqiptarë Pjetër Marubi. Ai ishte përfaqësues i Italisë garibaldine e maxiniane dhe njëkohësisht artist e dokumentarist i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nuk është çudi që një nga portretet më të parë të realizuar prej tij të jetë ai i Hamza Kazazit dhe pse jo dhe ato të udhëheqësve të tjerë të lëvizjeve qytetare në Shkodër. Jemi në kohën kur Shqipëria për afro dyzet vjet vlonte nga kryengritje masive, kurse Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit, njihte lëvizje të fuqishme qytetare, të drejtuara prej Hamza Kazazit, Dasho Shkrelit, Sheh Shamisë e të tjerëve. Ndërsa lufta e armatosur në viset e tjera të Rumelisë ende nuk ngrihej përtej lëvizjeve të kaçakëve e komitëve.

Portretet e para të P. Marubit dëshmojnë gjithashtu, që qysh në mesin e shekullit XIX qytetarët myslimanë shkodranë dhe jo vetëm ata, nuk e kishin për “gjynah” të dilnin në fotografi si në vise të tjera të Rumelisë.

Fototeka “Marubi” na sjell shumë dëshmi të tjera historike, etnografike, arkitektonike e artistike, midis tyre dhe fotografinë e rrallë të delegatëve të kthyer nga Kuvendi themelues i Lidhjes së Prizrenit.

Fondi i fotografive të periudhës së Lidhjes së Prizrenit edhe sot e kësaj dite mbetet i kufizuar. Një pasurim me shumë vlera shënoi zbulimi i kësaj fotografie, më 1978-n. Ajo ka rëndësi jo vetëm për historinë e fotografisë shqiptare. Si dëshmi edhe ajo vetë ka historinë e vet të dokumentuar dhe jep edhe fakte tejet të rëndësishme dhe interesante jo vetëm për Shkodrën në momente vendimtare të atyre ditëve kur u themelua Lidhja.

Fotografia u zbulua në fototekën “Marubi” dhe u botua në revistën “Ylli” nga etnologu i mirënjohur Kahreman Ulqini në prag të veprimtarive të organizuara në kuadër të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Fotografia u përfshi në Albumin “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës”, të botuar po nga prof. Kahremani, më 1982-shin. Botuesi identifikoi dhe personat e fiksuar në fotografi. Me të u pasurua ndjeshëm fondi i dëshmive fotografike për periudhën e Lidhjes.

Delegatët e Shkodrës, qyteti më i zhvilluar i trevave shqiptare aso kohe, u nisën për në Kuvendin e Prizrenit, pasi i kishin dërguar kryetarit të Kongresit të Berlinit, lordit Bikonsfild, përkujtesën (memorandumin) e tyre të datës 13 qershor 1878. Në të ata argumentuan historikisht dhe shprehën në mënyrë mjeshtërore kërkesën e nënshkruar nga qindra shkodranë për pavarësinë e Shqipërisë. Ndër bashkautorët kryesorë të saj njihen Pjetër Gurakuqi dhe Daut Boriçi. Fotot e tyre, dhe sidomos ajo e Pjetër Gurakuqit, duhet të gjenden patjetër midis xhamave të shumtë në fototekën e Marubëve, që kishin miqësi të ngushtë jo vetëm me Pjetrin, por edhe me djalin e tij, Luigjin.

Lordi Bikonsfild, tek i cili shkodranët kishin pasur mjaft shpresë, bënte të qartë ato ditë se Kongresi i Berlinit, i kryesuar prej tij, nuk ishte mbledhur për t’i dhënë fund sundimit osman në Ballkan, por për t’i zgjatur jetën atij. Prandaj, as Kongresi dhe as kryetari i tij nuk treguan qoftë dhe vëmendjen më të vogël ndaj kërkesës së shkodranëve për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve. Në këto rrethana, delegatët e Shkodrës në Prizren, duke iu përshtatur politikës së Fuqive të Europës për ruajtjen e statukuosë në Ballkan, hoqën dorë nga kërkesa e porsashpallur për pavarësinë. Ata miratuan dokumentet e para programore të Kuvendit të Prizrenit për mbrojtjen deri në fund të trojeve amtare nga copëtimi dhe për sigurimin, një herë për një herë, vetëm të autonomisë për Vilajetin shqiptar. Edhe ndaj protestave të Lidhjes kundër copëtimit të trojeve shqiptare dhe kërkesës së saj për autonomi, Kongresi bëri veshin e shurdhër.

Në fotografi, në mesin e delegatëve shkodranë shohim Isuf Sokolin, veprimtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit që me formimin e saj, konsekuent në përpjekjet për sendërtimin dhe vënien në jetë të programit të Lidhjes. Shumë i vendosur ai u tregua në mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe në mënyrë të veçantë në mbrojtjen e Ulqinit. Ai, edhe kur jo pak krerë të Lidhjes në veri dhe në jug të vendit hoqën dorë nga rezistenca e armatosur, qëndroi deri në fund heroik, në ballë të mbrojtësve të qytetit bregdetar veriperëndimor.

Në krah të djathtë të Isuf Sokolit është kleriku mysliman Isuf efendi Sykniqi nga Podgorica. Rast shumë i rrallë asokohe dhe më vonë, që klerikët dhe besimtarët myslimanë të dilnin në fotografi. Ai nuk duhet ngatërruar me emnakun e tij po nga Podgorica, veprimtarin e ditëve të para të Lidhjes, Isuf efendi Uruçin, deputet i vilajetit të Shkodrës në Parlamentin e parë osman. Ato ditë ai vijonte të luftonte nga foltorja e Parlamentit dhe përmes protestave e përkujtesave të njëpasnjëshme kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Të dy këta klerikë myslimanë iu kundërvunë vendimeve të fuqive të mëdha të Europës dhe urdhrave të sulltanit për lëshimin e trojeve shqiptare Malit të Zi. Në këtë qëndrim të vendosur të popullit tonë u bashkua edhe Salih efendi Hylja me fetfanë, sentencën fetare-juridike, me të cilën justifikoi luftën e bashkëqytetarëve të tij dhe të vullnetarëve shkodranë kundër ushtrive të sulltan Abdylhamidit, njëkohësisht kalif i të gjithë myslimanëve në botë.

Në cep, me veshje jo fort alla turka, është Xhemal Qoku, i biri i Iljaz pashë Dibrës, të cilin Kuvendi themelues i Lidhjes së Prizrenit e kishte zgjedhur kryetar të Lidhjes Shqiptare. Mbërritja e tij në Shkodër së bashku me delegatët e këtij qyteti, më 2 korrik 1878, flet qartë në dy drejtime. Së pari, kjo dëshmi e rrallë fotografike flet për autoritetin e Iljaz pashë Dibrës, të cilin Kuvendi i Prizrenit e zgjodhi kryetar jo vetëm për arsye moshe, çka e provon zgjedhja e tij edhe në krye të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes. Së dyti, prania e Xhemal beut në Shkodër në ato ditë vendimtare flet për rëndësinë që i jepte udhëheqja e Lidhjes Shqiptare kësaj treve si avanpost i luftës së popullit tonë për mbrojtjen e trevave të planifikuara në Shën Stefan dhe pas disa ditësh edhe në Berlin për t’ua ceduar qarqeve shoviniste fqinje që nga Plava dhe Gucia, Hoti e Gruda e deri në Ulqin. Ai vinte në qytetin që nuk e kishte harruar ndihmën që vullnetarët dibranë me Iljaz Qokun në krye u kishin dhënë para afro 20 vjetësh në luftërat e tyre kundër sulmeve të shovinistëve malazezë.

Në krah të majtë të Isuf Sokolit shohim Selim Bushatin të veshur me fustanellë, pinjoll i vezirëve gjysmë autonomë të Shkodrës, pasardhës i Karamahmud pashës, të cilin bashkëkohësit e krahasuan me “Më të shkëlqyeshmin Kastriot”, vazhdues të të cilit ai e pati shpallur veten.

Sipër, në fotografi janë rreshtuar krerët e Malësisë, i treti nga e djathta është Çun Mula, kryebajraktari i kësaj krahine. Ata dallohen qartë dhe në fotografinë e shtabit të forcave që mbrojtën Plavën dhe Gucinë, e njohur prej kohësh dhe të botuar nga Xhafer Belegu. Përfaqësuesit e Malësisë së Mbishkodrës në Kuvendin e Prizrenit janë fotografuar aty së bashku me dy nga themeluesit e Lidhjes së sapoformuar, dhe njëkohësisht udhëheqës të shquar të saj, Ali pashë Gucia dhe Haxhi Mulla Zeka. Sigurisht kjo foto është realizuar para kësaj për të cilën po bëjmë fjalë. Kush ka qenë autori, nuk kemi dijeni.

Në fotografinë e realizuar nga Marubi, siç pohon valiu i Shkodrës Hysejn Hysniu, mungojnë delegatët e Mirditës me në krye Gjon Markun. Atyre në ato ditë nuk iu bashkua Preng Bid Doda, i lidhur ende fort pas synimeve të ngushta lokaliste. Synimet e tij ato ditë nuk përputheshin me platformën kombëtare mbifetare të Kuvendit të Prizrenit dhe të Lidhjes Shqiptare që doli prej tij. Megjithatë, më pas e gjejmë përkrah Hodo Sokolit, në krye të forcave vullnetare që do të luftojnë për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës.

Pjesëmarrja e malësorëve katolikë të Mbishkodrës, të fotografuar nga Marubi, dhe e mirditasve, të cilët, sipas dëshmive dokumentare, nuk përfshihen në fotografi, në Kuvendin historik të Prizrenit qysh në ditët e para të themelimit të Lidhjes, dëshmon qartë se Kuvendi nuk u dominua, siç pretendohet, nga elementët sulltanikë dhe islamikë. Delegatët atdhetarë të Kosovës dhe të Dibrës e pas pak edhe ata të Shkodrës, i mposhtën forcat regresive në Kuvend. Delegatëve të Janinës nuk i mbeti gjë tjetër veçse të miratojnë aktet e 15 qershorit, përfshijë dhe Kararnamenë aq të përfolur gabimisht, me apo pa dashje, si islamike.

Kjo fotografi historike me vlera të veçanta dokumentuese ka historinë e vet të dokumentuar.

Valiu i Shkodrës, Hysejn Hysni pasha, këtë fotografi me kërkesë nga lart e dërgon në Stamboll. Bie në sy fakti, se ai në shkresën përcjellëse dërguar Portës së Lartë, organizatën e porsaformuar në Prizren e quan, me plot gojën, ndryshe nga sa pretendohet dhe sot e kësaj dite, Lidhje Shqiptare. Për Lidhjen në shumë botime për vitet 1878-1881, mëtohet se ishte pikërisht ky pasha që paska ushtruar, kinse ndikim vendimtar, të paktën në ditët e para të ekzistencës së saj, për formimin e një lidhjeje sulltanike dhe islamike. Jemi më 29 korrik 1878, një muaj e gjysmë nga dita e themelimit të Lidhjes. Kuvendi i Prizrenit karakterizohet, ndryshe nga sa pretendohet, qysh në fillim të punimeve të tij nga një “frymë e re”, nga “fryma nacionale”, sepse themeluesit i dhanë Lidhjes, siç e dëshmon dhe vetë pashaj osman, që në ditën e parë “fytyrë kombëtare”.

Nga valiu i Shkodrës marrim vesh, gjithashtu, se këta delegatë kishin dalë në fotografi edhe kur qenë nisur për në Prizren për të marrë pjesë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare. Është po Hysejn Hysni pasha, i cili njofton se pjesëtarët e Mirditës në këtë delegacion nuk figurojnë në fotografi. Ka mundësi që ata të kenë ndjekur një rrugë më të shkurtër për t’u kthye në vendet e tyre.

Shkresa e Hysejn Hysni pashës, Valiu dhe komandant i Shkodrës, gjeneral divizioni, e vulosur me nënshkrimin e tij, datë 29 korrik 1878 përfundon, duke na sqaruar edhe teknologjinë e kohës për ruajtjen e tyre:

“Pasi që u plotësuan, dhe na ranë në dorë dy copë fotografi, me qëllim që t’i shohë Lartmadhëria e tij sulltani duke i mbështjellë në llamarinë të punuar Jua dërgojmë dhe paraqesim”.

Nga dokumentacioni që ka shoqëruar këtë fotografi historike rezulton se vetë sulltani është interesuar drejtpërsëdrejti për pjesëmarrësit e Kuvendit themelues të Lidhjes së Prizrenit. Abdylhamiti ka qenë jo vetëm i pasionuar pas shpikjeve të reja si fotografia. Ai ka qenë edhe shumë i interesuar për to, si dhe për telegrafin dhe hekurudhat. Për shtrirjen e tyre përdori huat kolosale të marra nga bankat perëndimore. (Siç thuhet, ai ka pasur shumë frikë vetëm nga telefoni. Nga frika se mos i bënin ndonjë atentat ai nuk lejoi që ta aplikonin këtë shpikje të fundit në pallatin e tij, në Jëlldiz Qoshkun e famshëm). Sulltani e dinte vlerën e arritjeve më të reja të shkencës dhe të teknologjisë për sundimin e perandorisë së tij të gjerë që nga Shqipëria e deri thellë në Arabi.

Në Bibliotekën e Universitetit të Stambollit ruhet fondi me albumet e fotografive të grumbulluara nga Abdylhamidi. Dy herë, duke shfrytëzuar qëndrimin në këtë qytet për kërkime në Arkivin Osman të Kryeministrisë jam orvatur të bëj sondazhe në të pa ndonjë rezultat. Pavarësisht nga kjo, kërkimet në këtë drejtim duhen vijuar në Stamboll dhe në Ballkan e vende të tjera, sepse në vitet ‘70-‘80 të shekullit XIX, në trojet shqiptare studio fotografike, përveç se në Shkodër, ka pasur dhe në qytetet Janinë, Manastir etj. Në to duhet të ketë dëshmi të shumta fotografike rreth ngjarjeve të vrullshme të viteve 1878-1881 dhe të mëvonshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama