Shqipëria ka shënuar hapa pas në luftën kundër korrupsionit përgjatë vitit 2013. Organizata ndërkombëtare “Transparency International” publikoi dje raportin e përvitshëm mbi gjendjen e korrupsionit në vende të ndryshme të botës, ku Danimarka renditet si vendi më pak i korruptuar, ndërsa Somalia si vendi më i korruptuar. Ndërkohë që në Shqipëri dhe Kosovë gjendja e korrupsionit rezulton të jetë përkeqësuar në raport me një vit më parë. Shqipëria zbret në vendin e 116-të nga i 113-ti, ndërsa Kosova bie në të 111-in nga i 106-ti. Kështu sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel korrupsioni me Nepalin dhe Vietnamin, si dhe duke mbetur pas Nigerisë, Etiopisë dhe Indonezisë.
“Transparency International” tërheq vëmendjen dhe apelon se në Shqipëri korrupsioni po shfaqet me një fizionomi të re, e cila ka gjetur një shtrat politik favorizues, duke u paraqitur me karakteristika të tilla, siç janë sistemi i ri i pastrimit të parave, financimi i partive dhe fushatave elektorale nga biznese të paligjshme, kapja e shtetit nëpërmjet kontrollit të sistemeve të prokurimeve dhe privatizimeve, aksesi shtetëror në trafiqet e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, monopolet ekonomikë në sektorët strategjikë të ekonomisë, paprekshmëria dhe imuniteti i krijuar i zyrtarëve të lartë ndaj ligjit dhe sistemit të drejtësisë, moszbatimi i ligjit dhe mungesa e kulturës së ndëshkueshmërisë në vend”, – theksoi Ines Hila, koordinatorja e programit për Shqipërinë.
Ndërkohë që sa i përket Europës dhe Ballkanit, Shqipëria renditet në vend të fundit. Fushat, të cilat qytetarët shqiptarë mendojnë se kanë më shumë korrupsion janë gjyqësori dhe policia. Sa i përket Ballkanit vlen të përmendet se Greqia, një vend që po përjeton krizë të thellë ekonomike, këtë vit për shkak të reformave që ka ndërmarrë qeveria por edhe për shkak të përcaktimit të një koordinatori kombëtar antikorrupsion, ajo ka shënuar një rritje në renditje. Në përgjithësi, Transparency International thotë se treguesit e këtij viti janë një paralajmërim se shpërdorimi i pushtetit, allishverishet e fshehta dhe ryshfetet vazhdojnë t’u sjellin shkatërrime shoqërive kudo në botë.
Në raportin e këtij viti, shumica e vendeve kanë marrë më pak se 50 pikë, në një shkallë nga zero në 100, ku zero tregon korrupsion të lartë dhe numri 100 tregon për një standard të lartë në këtë fushë. 2/3-ta e 177 vendeve të botës të përfshira në listën vjetore për perceptimin e korrupsionit, janë në një gjendje tepër kritike. Somalinë në vendin e fundit e pasojnë Afganistani dhe Koreja e Veriut, secili vend me nga 8 pikë. Danimarka dhe Zelanda e Re paraqiten më mirë nga të gjitha vendet, me 91 pikë, të pasuara nga Finlanda, Suedia dhe Norvegjia. Australia dhe Kanadaja zënë vendin e 81-të në listë, ndërsa Britania e Madhe ndodhet në vendin e 76-të. Shtetet e Bashkuara ndodhen në të njëjtin nivel me Uruguain, në atë 73.