“Përgjatë vitit 2013 në Shqipëri është rritur korrupsioni”. Ky ka qenë konstatimi i bërë sot nga organizata “Transparency International Albania”, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e 116-të, nga 177 shtete gjithsej.
TIA i uli disa pikë më poshtë Shqipërinë dhe Kosovën, krahasuar me vitin e kaluar, për sa i përket perceptimit të korrupsionit. Në një listë prej 177 shtetesh, Shqipëria renditet në vendin e 116-të, nga vendi i 113-të që ishte një vit më parë, ndërsa Kosova renditet në vendin e 111-të, nga vendi i 106-të që zinte më parë.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria edhe Kosova janë më poshtë se Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia dhe Moldavia.
Rënie vërehet edhe për sa i përket rezultatit të arritur nga këto dy vende në perceptimin e korrupsionit. Shqipëria nga 33 pikë që kishte vitin e kaluar, bie në 31, ndërsa Kosova nga 34 në 33 pikë.
Kosova këtë vit radhitet përpara Shqipërisë, në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë). Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë.
Në fakt, janë vetëm Kosova dhe Shqipëria dy vendet që janë radhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit.
Dy vendet me rezultatin më të lartë janë Danimarka dhe Zvicra, të cilat kanë bërë përparësi në luftën kundër korrupsionit.
Në raportin e saj, Transparency International thotë se treguesit e këtij viti janë një paralajmërim se shpërdorimi i pushtetit dhe ryshfetet vazhdojnë t'u sjellin shkatërrime shoqërive kudo në botë.
Përmirësime në krahasim me vitin e kaluar kanë shënuar edhe Kroacia në vendin e 57-të nga vendi 62, Serbia në vendin e 72-të nga 80, kurse Maqedonia është radhitur në vendin e 67-të nga pozita e 69-të që ishte vitin e kaluar.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, Danimarka dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë, kurse vendet e fundit i ndajnë Afganistani, Koreja Veriore dhe Somalia.