Në valën e padive civile që po përballet kompania ajrore “Belle Air”, një tjetër padi është rregjistruar kundër saj, në gjykatën e Tiranës. Këtë herë është shoqëria “Tirana International Airport” (TIA) ajo që kërkon nga kompania ajrore pagimin e shumës financiare prej 297 mijë euro, shumë kjo që rrjedh detyrimet e mospagesës së parkimit të avjonëve dhe përdorimit për ulje-ngritje, të pistës së këtij aeroporti. Padia civile është rregjistruar në 10 janar të këtij viti, dhe se mban numrin 7218, ndërkohë që gjyqtar është zgjedhur Astrit Faqolli.
Në objektin e padisë civile kërkohet përmbushja e detyrimit kontraktual nga ana e “Belle Air”, ndaj paditësit të detyrimit prej 296,917 euro dhe kamat vonesat përkatëse mbi këtë detyrim që nga dita e lindjes së detyrimit, të siguruar nëpërmjet kontratës. Kjo padi kundër kompanisë në fjalë bëhet në një kohë kur kompania ajrore ka hyrë në proces falimentimi dhe se prokuroria Shqiptare dhe ajo Kosovare kanë nisur hetimet ndaj rastit në fjalë. Tre ditë më parë një eksperte vlerësuese i paraqiti aktin e ekspertimit të kapitalit financiar të kompanisë “Belle Air”, ku nënvizonte se kapitali financiar i kësaj kompanie është më i madhe se borxhi, që aktualisht ka kompania.
Nisur nga kjo situatë ekspertia ka propozuar që kompania mund të riorganizohet dhe të vijojë aktivitetin tregtal në kushte normale. Gjatë procesit të gjykimit për falimentimin, avokati mbrojtës i kompanisë “Belle Air”, i ka kërkuar trupit gjykues që të marrë masa të menjëhershme, me qëllim sigurimin e padisë, për të shpëtuar kompaninë ajrore nga zyrat përmbarimore që kanë filluar bllokimin e pasurive. Ndërkohë gjatë shqyrtimit të çështjes gjykata ka pranuar si palë në proces dhe tre shoqëri të tjera, të cilët janë kreditorët. Në 24 nëntor qindra qytetarëve iu bllokuan biletat e fluturimit me kompaninë “Belle Air”, pasi kjo e fundit deklaronte falimentin.
Momentalisht hetimi është në fazën fillestare të verifikimit të dokumentacionit, ndërkohë shumë shpejt pas kësaj pritet të merren në pyetje administratorët e kompanisë si dhe qytetarët që mbetën të bllokuar në terminalet e aeroporteve. Kompania “Belle Air” u vu në vështirësi financiare për shkak të një detyrimi prej 6.5 milion euro të papaguar drejtorisë së tatimeve.