TK me 134 milione leke borxhe as Sela dhe Trebicka sjane likuiduar plotesisht

'TK me 134 milione leke borxhe, as Sela dhe Trebicka s'jane likuiduar plotesisht'

Loja e dashurisë dhe e rastësisë” e Marivaux, me regji të Hervin Çulit, pas premierës së suksesshme në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, do të prezantohet për publikun e kryeqytetit në Teatrin Kombëtar. Çuli tregon gjatë një interviste për rikthimin e tij si regjisor në TK, por edhe për ndryshimet që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Katër artistë, sapo kanë nënshkruar kontratat 3 mujore.

Ata janë: Eftiola Laçka, Ervin Bejleri, Lulëzim Zeqja dhe Florian Agalliu. “Institucioni ka borxh rreth 135 milionë lekë, ndaj projekteve artistike, ndaj shpenzimeve operative dhe ndaj artistëve. Po ju përmend vetëm një fakt të dhembshëm, Fatos Sela dhe Roland Trebicka nuk kanë marrë nga teatri, një shumë të hollash”, thotë Çuli. Shfaqja “Loja e dashurisë dhe e rastësisë” prezantohet nga datat 14-16, ora 19:00 në TK.

Zoti Çuli, riktheheni në teatër pas tetë vjetësh, si ndiheni?

 Rikthimi im në teatër erdhi rastësisht. Unë e kam realizuar këtë shfaqje në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, kur nuk e kisha idenë se ku do të isha sot. Kam shtatë vjet që e kam ëndërr prezantimin e një shfaqjeje në TK, por kam qenë i përjashtuar. Prandaj absolutisht, që nuk do të vazhdoj ta përjashtoj më veten time. Gjithë karrierën artistike dhe pjesën më të bukur të jetës sime e kam kaluar me projektet që kam vënë në TK. Jam i lumtur që pas tetë vjetësh po bëj premierën e parë në TK.

 Shfaqja e fundit që keni prezantuar në TK, cila ka qenë?

Shfaqja e fundit që kam prezantuar në TK ka qenë “Xhaxha Vanja”, kësaj here rikthehem me komedinë “Loja e dashurisë dhe e rastësisë”. Është një mall i madh për mua, sepse skenën e TK-së kam tetë vjet pa e prekur dhe pa e shijuar. Teatri Kombëtar për mua ka qenë si një shtëpi.

Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur gjatë mungesës suaj?

Keq më vjen të them se, disa kolosë të teatrit si Agim Qirjaqi e Roland Trebicka nuk i gjej më sot. Ata kanë qenë miqtë e mi. Së fundmi, edhe Fatos Sela, ka qenë një mik shumë i mirë për mua, por edhe një nga aktorët e mi të preferuar. Unë nuk i shikoj më ata në këtë oborr. Tani ka më shumë rini, që presin te dyert e Teatrit Kombëtar, në këtë institucion që ka degraduar nga viti në vit. Shpresoj që ky institucion të hapet për të gjithë aktorët shqiptarë. Të mos jetë pronë vetëm e atyre që kanë marrë rrogën në teatër, qoftë nga ana financiare, qoftë nga ana artistike. Edhe pse nuk është e lehtë, shpresojmë që t’i rregullojmë dhe t’i çojmë gjërat atje ku duhet.

Ka borxhe të mbartur institucioni i Teatrit Kombëtar?

 Institucioni ka borxh rreth 135 milionë lekë, ndaj projekteve artistike dhe   ndaj shpenzimeve operative. Kjo do të thotë se, teatri u ka borxhe edhe artistëve apo firmave të ndryshme, që janë kontraktuar në teatër dhe nuk janë likuiduar. Ka borxhe te KESH, tek ujësjellësi, kudo ka borxhe. Po ju përmend vetëm një fakt të dhembshëm që, Fatos Sela dhe Roland Trebicka, sot, kanë në teatër një shumë të hollash, që nuk i kanë marrë. Ky është një fakt i dhembshëm, që tregon se si është menaxhuar ky institucion. Tregon se si janë firmosur pa kriter vendime dhe cilësime artistike, se si firma të ndryshme janë ende pa likuiduar etj. Është një amulli totale, që duhet ta riorganizojmë   patjetër.

Keni filluar konkretisht nga puna?

Momentalisht, kam emëruar për 3 muaj, katër aktorë të rinj me kontratë në TK, për t’u likuiduar borxhin, por edhe që pagesën mos ta marrin si aktorë të jashtëm. Ata janë: Eftiola Laçka, Ervin Bejleri, Lulëzim Zeqja dhe Florian Agalliu. Ndonëse janë me kontratë 3-mujore, ata do të ndihen si gjithë të tjerët që kanë qenë këtu, sepse shpeshherë dera e teatrit ka qenë e mbyllur për ta. Kjo do të jetë një kontratë 3-mujore, ashtu sikurse të gjithë aktorët e Teatrit Kombëtar do të jenë me kontrata të    përkohshme.

Për këtë gjë, mund të ketë edhe kontestime...

 Unë nuk jam nga ata persona, që duhet ta vras mendjen për këtë gjë, sepse kam marrë përsipër një barrë, që duhet ta çoj deri në fund. Aktorët duhet të jenë në skenë, nuk mund të vazhdojnë të jenë njerëz që marrin rrogën dhe që nuk luajnë për vite e vite të tëra në teatër. Edhe po të ketë reagime, unë do t’i përballoj.

Rikthehemi te“Loja e dashurisë dhe e rastësisë”, sa përshtatet kjo shfaqje me aktualitetin?

Vepra është si një karamele e bukur, i  reziston çdo kohe. Kjo ndoshta, sepse ka në thelbin e saj triumfin e dashurisë, përballë interesit. Bashkimi që duan t’i bëjnë dy prindërit këtyre dy të rinjve, është konflikt interesi, sepse ata i përkasin klasës së lartë sociale. Mesazhi i saj ngelet i përjetshëm, sepse aty triumfon dashuria. Sot jetojmë në një realitet, ku çdo gjë është matematikë. Triumfi i dashurisë mbi arsyet duhet të triumfojë. Duhet të kthehemi edhe një herë te vlerat e dikurshme të njerëzimit.

Një nga aktoret e “Loja e dashurisë dhe e rastësisë” është edhe bashkëshortja juaj, Adelina. Si është të bashkëpunosh me të në skenë?

Ne bashkë, kemi bashkëpunuar në disa vepra në Durrës. Ajo do të rrijë ca kohë atje, nuk mund të luajë më me mua. Këtë ia kam bërë të qartë. Ajo do të penalizohet për këtë gjë. Ka qenë një bashkëpunim i mirë, për një arsye, sepse unë drejtoj e ajo bindet (qesh). Unë jam i madhi, ajo është e vogla, por ajo duke iu bindur kësaj gjëje, po ngrihet në karrierë dhe po bën role shumë të mira.

Shfaqja flet për të anasjellën, që femra nuk nënshtrohet lehtë...

Unë nuk thashë se ajo po nënshtrohet. Thatë që bindet? Unë tani jam drejtor i TK-së, regjisor po ashtu. Nëse nuk më bindet tani, kur do të bindet (qesh). Në shtëpi e bën ‘ligjin’ ajo, kështu që, e kompensojmë njëri-tjetrin.

Si u prit shfaqja në teatrin e Durrësit?

Në Durrës, shfaqja pati një lidhje organike të paimagjinueshme me publikun. Unë nuk isha i përqendruar 100 për qind aty, sepse kam qenë sa te konkursi për drejtorë, sa te TK. Por pas punës që kisha këtej, shkoja në prova. Më ka ndihmuar dëshira e aktorëve për ta çuar deri në fund këtë shfaqje. Unë kam dhënë dy shfaqje “Shërbëtori i dy zotërinjve” dhe “Loja e dashurisë dhe e rastësisë”, por nuk ka ndodhur që në dhjetë shfaqje salla të jetë plot e përplot me publik.

Jeni më tepër për vënien në skenë të komedive?

Unë kam qenë një njeri, që kam vënë në TK dy drama dhe një komedi. Në Durrës kam qenë pak më i prirur drejt komedisë, sepse duhet të kuptojmë që po dole nga Tirana, mënyra se si publiku e koncepton teatrin është më lozonjare. Kanë nevojë për më tepër humor.

Por edhe këtu, tani në të tri skenat e teatrit, po shfaqen komedi?

 E qeshura është qetësuese, por në këto tetë vjet në TK, veprat më të mira që janë vendosur kanë qenë drama të fuqishme si, “Shtrigat e Salemit” dhe “Pamje nga ura”. Publiku në radhë të parë do të bukurën, do të përzgjedhë atë që është më e mira. Patjetër që edhe e qeshura e çliron njeriun, ndoshta sepse nga hallet e shumta, njerëzit kanë nevojë të qeshin.     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama