TV Klan Anastas Angjeli Guvernatori i ri i Bankes se Shqiperise?

TV Klan: Anastas Angjeli, Guvernatori i ri i Bankes se Shqiperise?

Ndërkohë që Komisioni i Ekonomisë vazhdon me intensitet betejën hetimore me strukturat dhe zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, duke thirrur për të dëshmuar në Komision jo vetëm zyrtare aktuale, por dhe ish- zyrtarë që kanë kohë që janë larguar nga Banka, dy nga anëtarët e Komisionit bënë të ditur për Tv Klan, se që në fillim të nisjes së punës së këtij Komisioni është caktuar dhe Guvernatori i ri që do të drejtojë Bankën Qendrore të Shqipërisë.

 

Ai është deputeti socialist dhe ish-Ministri i Financave Anastas Angjeli.

 

Sipas po këtyrë burimeve Anastas Angjeli mbeti kandidatura definitive, pasi ra përfundimisht kandiatura tjetër e përfolur, ajo e Ministrit aktual të Finacave dhe ish-Guvernatorit Shkëlqim Cani.

 

Kandidatura e Canit ra pasi në kohën kur u vodh thesari në Krrabë në vitet 2000 mbante postin e Guvernatorit të Bankës.

 

Në krahasim me Canin, Anastas Angjeli vlerësohet si një njohës më i mirë i ekonomisë shqiptare dhe me një eksperiencë të admirueshme në momente kyçe të ekonomisë tonë.

 

Caktimi i emrit të Guvernatorit të ri paralelisht me nisjen e punës së Komisionit të Ekonomisë e ka bërë kryetarin e këtij Komisioni Erjon Braçe, që të përkushtohet ta përmbyllë sa më shpejt të ashtëqujturën betejë me strukturat aktuale të Bankës së Shqipërisë, madje ky nxitim e ka bërë të shkelë dhe ligjin, pranoi një nga anëtarët e Komisionit për Tv Klan.

 

Shkelje ligji cilësohet thirrja e Kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë për të dëshmuar në Komision, ashtu sikurse edhe thirrja e paraardhësve që kanë kohë që janë larguar nga Banka.

 

Vetë Kryeinspektorja Bankës në një letër drejtuar Komisionit në fjalë, pasi nuk pranoi të merret e pandehur nga ky Komision, i bëri evidente shkeljet e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, që më qëllimin e vetëm për të parë sa më shpejt Anastas Angjelin Guvernator të Bankës së Shqipërisë, nuk nguron ta shndërrojë Komisionin e Ekonomisë në Prokurori dhe në rastin më të mirë në Komision Hetimor.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama