TVSH ? Kolonel Bunker

TVSH ? Kolonel Bunker
Kemi kronometruar minutazhin e 7 edicioneve të lajmeve në TVSH, të ndarë në tre ditë të njëpasnjëshme. Ja cilat janë, hapësirat që zënë gjatë këtyre transmetimeve mazhoranca qeverisëse, opozita, Berisha, Topalli, Rama. Megjithatë në bunkerin TVSH është e vështirë që të dëgjosh një interpretim ndryshe... nga kolonelët e rinj të medias shqiptare

Nëse do të pyetej John Reith, drejtori i parë i përgjithshëm i BBC në vitet 1924 dhe 1938, se në çfarë konsistonte shërbimi publik i radiotelevizionit, përgjigjja e tij do të kishte formën e një formule të përmbledhur, por shumë të qartë, në vetëm tri fjalë: edukim, informim dhe argëtim. Definicioni i Reith, në atë kohë, sigurisht që nuk mori parasysh vrullin që do të përfshinte në ditët tona tregun mediatik, dhe sidomos atë të televizioneve. Investitorët privatë dhe teknologjitë e reja e kanë fituar prej kohësh davanë me të vetmin televizion publik shqiptar, TVSH-në. Mund të zgjedhësh mes dhjetëra e dhjetëra stacioneve, të argëtohesh, të humbasësh, të  meditosh, të informohesh, sipas shijeve të tua.

Të paslindurit e viteve ’90, mund të vënë bast se as që mund të kenë ndalur ndonjëherë me telekomandën në dorë përpara ekranit tonë publik. Madje, si idhnakë, mund ta konsiderojnë atë “televizion pleqsh”, edhe pse as këta nuk radhiten më ndër fanatikët. Zor se mund të gjesh sot nostalgjikë që në xhiron e telekomandës e ndalin vëmendjen tek TVSH-ja. Shumëkush mendon që, jo vetëm që nuk është më ‘ajo e para’, po është bërë edhe më keq.

Një ekran televiziv, që kërkon ta quajë veten televizion publik, që vihet në shërbim të këtij të fundit, ka detyrën e parë dhe të vetme të ofrohet si hapësira televizive e konfrontimit të ideve dhe të pjesëmarrjes në diskutimin publik. E meqë kështu nuk ka qenë asnjëherë, as edhe një ditë të vetme, atëherë i miri publik, me gjithë heterogjenitetin e vet, duket se ka zgjedhur ta evitojë sa të mundet këtë pjesëmarrje, që, në fund të fundit, as nuk ofrohet. Ai është tërhequr butë për të qëndruar një spektator i thjeshtë i teatrit të politikës. Madje, spektator me raste.

Por në këtë injorim që i bën ekranit të TVSH-së, ai harron shpesh që nga xhepat e tij vilen taksa çdo muaj të bekuar për të financuar këtë televizion. E megjithatë, programacioni është gati inekzistent dhe as që bëhet fjalë të hyjë në vallen e konkurrencës me ekranet e tjera, figura është e dobët, zëri vjen e shkon si piskamë e pastaj kumbon, argëtimi i të gjitha moshave është gati-gati patetik, edicionet informative janë të njëjtat e përsërisin të njëjtat lajme, deri edhe në tri ditë radhazi, e shpesh, programi në vazhdim është vetëm një tejzgjatje e lodhshme që të përplas fytyrës një kronikë të plotë të fjalës së të parit të burrave, në shesh të burrave... “Të nderuar teleshikues, pas këtij edicioni informativ do të keni mundësinë të ndiqni të plotë fjalën e Z/Zj... Qeveri”. Për të dëgjuar fjalën e ‘magjistarit’ të radhës, që pa iu dridhur qerpiku fare ka zënë edhe gati të gjithë hapësirën e lajmeve të ditës, duhet vërtet një durim prej derri, që askush nuk e ka më, qoftë ky edhe simpatizant i flaktë i njërit kah apo tjetrit.
Në revistë duam t’i bëjmë gjërat sa më konkrete.

Kemi monitoruar shtatë edicione të njëpasnjëshme lajmesh në Televizionin Publik Shqiptar, në hapësirën kohore prej datës 9 deri në 11 prill. Kemi kronometruar çdo minutë e sekondë të këtyre transmetimeve. Për fat të keq, nuk gabuam në frikën që kishim pasur: nga tabelat që kemi ndërtuar me të dhënat e përftuara, vihet re qartë se raporti i minutazhit që zë mazhoranca qeverisëse dhe lideri i saj, kundrejt hapësirës kohore që i lihet opozitës (shpesh nuk ka fare të tillë), jo vetëm që nuk është tregues i një balancimi, por përkundrazi, flet për një zaptim në kuptimin e plotë të fjalës. Me fjalë të tjera, kemi një televizion publik totalisht të zhbalancuar. Gjëegjëza? Sa i balancuar është një televizion publik nga ...TVSH-ja deri në ...10??

Gjatë një edicioni kryesor lajmesh, i cili zgjat 37 minuta, 23 minuta të tij e zënë lajmet për qeverinë dhe kryetarin e mazhorancës Berisha, - pa përmendur këtu se, nga këto, 8 minuta i zë vetëm ligjërata e plotë e tij, ose e kryeparlamentares Topalli, - dhe vetëm dy minuta i jepet e drejta ndonjë lajmi për opozitën dhe kryetarin e saj, të pluskojë atypari, të cilit, ndryshe nga të sipërpërmendurit, edhe kur vjen radha e kronikës, i ndërpritet fjala në grykë, ndërsa nuk është vështirë të dallosh që, kur flasin kryetarët e qeverisjes, minutazhi është në dispozicion deri edhe të duartrokitjeve pas fjalimit.

Veç kësaj, mazhoranca qeverisëse dhe liderët i saj, i kanë gjithmonë të rezervuara 20 minutat e para. Në rast se i vjen radha, edhe atëherë, opozita mund të flasë vetëm pas minutës së 20-të të edicionit të lajmeve. Sigurisht që përmendet pastaj bollshëm, bëhet bozë në lajmet për rrethet (vetëm në rrethet ku qeveris opozita ama). Për këto pjesë të vendit që mbështesin opozitën, TVSH-ja raporton në mënyrë ekskluzive për dështimet e pushtetit lokal, kanalizime, përmbytje, prerje drurësh, inerte lart e poshtë, kabllo, rrugë të prishura... (a thua se vetëm Saranda, Elbasani, Vlora e të tjerë si këta kanë kësi problemesh...) në përpjekje për ta bërë opozitën të duket keq.

E që të mos harrojmë ta përmendim. Kur flitet për “lajme shkurt”, për TVSH-në do të thotë, jo lajme të shkurtuara, por lajmet pa informacionin dhe aktivitetin e opozitës.
Por nuk është kjo pjesa më për të ardhur keq. Historia përsëritet në të gjitha kanalet televizive. Sipas politikës editoriale të secilit, kanë edhe të përkëdhelurit e tyre. Të gjithë kanë mundësi të zgjedhin të dëgjojnë atë që duan (dhe me cilësi shumë të mirë pamore). Për të ardhur keq është që ne, të gjithë, paguajmë (dhe jo pak) për të parë një televizion që se shohim të gjithë.

Si televizioni i vetëm publik në vend, supozohet të përfaqësojë interesin publik dhe të servirë informacion edukues dhe argëtues në mënyrë të paanshme e profesionale. Të paktën, ky është formulimi zyrtar i qëllimit të ekzistencës së këtij institucioni, i cili për vitin 2012, përfitoi nga buxheti i shtetit rreth 3.2 milionë euro, e thënë ndryshe para të taksapaguesve shqiptarë, të të gjitha ngjyrimeve politike qofshin këta, për të përmbushur qëllimin dhe misionin e tij.

Por TVSH-ja e ka bërë të udhës tashmë të zgjedhë ngjyrën që do, dhe zgjedh gjithmonë ngjyrën në pushtet, ose më saktë është ngjyra që e sjell atë si ia do mideja dhe ekrani i varfër bindet, pa një pa dy. Në këtë marrëveshje të heshtur ai e ka fort mirë të qartë se këtej e tutje ylberi ka vetëm një ngjyrë dhe gjithçka do të transmetohet për oreksin e njërës palë të taksapaguesve të tij. Të tjerët, po ua ka qejfi, le të kalojnë ylberin e të bashkohen me ngjyrën që është atë mandat në modë. Gjithsesi, si ta kenë, duan s’duan, ‘gjobën’ do e paguajnë, bashkë me faturën e dritave, çdo muaj.
Për vitin e shkuar, shuma e parashikuar nga buxheti i shtetit për Televizionin Publik Shqiptar, ishte 3.15 milionë euro. Mos u çudisni, nuk është gjë fare krahasuar me 4 milionë eurot e akorduara në 2010-ën dhe 3.85 milionë eurot e akorduara në 2009-ën. E shumëpërfolura krizë, përveçse shkurtoi buxhetin e TVSH-së, por rriti edhe taksën që qytetarët paguajnë për të. Në fund të muajit dhjetor 2010, u vendos dyfishimi i taksës për TVSH-në, me një tarifë fikse prej 1200 lekësh në vit që çdo familje duhet të paguajë me faturën e energjisë elektrike. Para këtij vendimi, kjo tarifë ishte në nivelin e 600 lekëve (2010), pas një rritjeje të mëparshme që e kish çuar në këtë nivel detyrimin fillestar prej vetëm 500 lekësh (2009).
 
Sa paguajnë shqiptarët për TVSH-në?

Sipas INSTAT, në vend llogariten rreth 791 mijë familje, nga të cilat 12.4 për qind konsiderohen në kategorinë me të ardhura të ulëta. Në rastin që bëhet fjalë për 700 mijë familje që detyrohen të paguajnë këtë taksë, shifra totale do të ishte diku te 6 milionë eurot. Por, qeveria ka parashikuar afërsisht vetëm gjysmën e kësaj shifre në buxhetin që i akordon Televizionit Publik Shqiptar, çka do të thotë se të paktën gjysma e shqiptarëve nuk e shohin të arsyeshme të paguajnë për këtë “shërbim publik”. Dhe nuk do të ishte krejt e gabuar, po të mendosh se ‘të paktën’ gjysma e tyre i përkasin forcës politike që qëndron në opozitë dhe që paguajnë taksa rregullisht për të parë e dëgjuar një televizion që nuk duan ta shohin, që jo vetëm nuk i jep sadopak zë idealit të tyre, por shfrytëzon çdo hapësirë të mundshme për të sharë e shfryrë kundër tij.
 
Vlerësimet

Statuti i Televizionit Publik Shqiptar thotë në përgjithësi gjëra të bukura e të virtytshme. “Si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit të shërbimit publik kombëtar, RTSH-ja realizon shërbime cilësore radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit… RTSH-ja zotohet për një mbulim të paanshëm të lajmeve të vendit dhe ndërkombëtare…”.

Ky është thjesht mesazhi promocional i shërbimit në fjalë. Realiteti faktik paraqitet krejt i ndryshëm. Sipas një publikimi të Institutit të medias, edicionet e lajmeve dhe njëanshmëria politike kanë marrë kritika të vazhdueshme. “TVSH gjatë vitit 2010 i ka shërbyer interesave të qeverisë, duke kundërshtuar hapur ligjin, i cili kërkon respektimin e pavarësisë redaksionale nga media publike”, referuar në këtë publikim.

Dhe nuk mbaron me kaq. Sipas vlerësimit të përvitshëm për lirinë dhe standardet e medias në botë, “Media Sustainability Index”, raporti i vitit 2011, thekson se gjatë vitit të fundit, njëanshmëria e hapur politike e Televizionit Publik Shqiptar është bërë veçanërisht problematike. “TVSH-ja u ka shërbyer ngushtë interesave të qeverisë në pushtet, duke shkelur haptazi një ligj që sanksionon pavarësinë redaksionale të medias publike”, nënvizohet në raport.
Gjejeni tani, sa i balancuar mund të jetë një televizion publik ...nga TVSH-ja..., deri në 10?!
 
 
Agron Tufa: TVSH, më duket e balancuar!
Për çështjen në fjalë, më vjen keq të të zhgënjej, sepse nuk dëshiroj t’i përsëris nga e para gjërat që kam thënë e stërthënë në intervistat e fundit , në Komision Parlamentar të Mediave, në prani të gazetarëve etj., etj. Por edhe për arsyen se:
1. Këshilli Drejtues i RTSH-së mblidhet një herë në muaj, dhe nuk jemi ne që bëjmë jetën e përditshme të institucionit. Këto gjëra jua jep me hollësitë e duhura Drejtori i Përgjithshëm.

2. Unë, që prej gushtit pres zëvendësimin dhe e konsideroj të mbaruar mandatin tim.

3. KKRT bën monitorime në tym, aspak të besueshme, dhe nuk vë në dijeni RTSH-në për monitorimet gjoja të kryera, që për mua janë si fatura e dritave afrofe.

4. Në kohën e partive politike fusin kohën e qeverisë, që prodhon përditë lajm, ndërsa në ligj bëhet fjalë vetëm për partitë. Futja e aktiviteteve qeveritare, ministra, kryeministra, takime të qeverisë, nuk duhet të llogariten si kohë politike, sepse nuk e ka në ligj. Gjejeni ligjin dhe konsultohuni nëse nuk është kështu.

5. TVSH ka përqindjen më të vogël të animit politik (dhe vetëm në edicion lajmesh bëhet fjalë, i cili zë 3% të programeve të përgjithshme të RTSH). RTSH-ja ka animin më të vogël politik, krahasuar me Sodomën e Gomorën e anësisë e mercenarizmit politik të TV Klan, Top Channel, Vizion plus, ABC news, News 24 etj. Pa krahasime të tilla nuk ka vlerë gjykimi i RTSH-së.

6. Puna e KD RTSH, edhe pse nuk ia ka dalë të zhdukë vesin e vjetër të animit, e ka zvogëluar disi. Më shumë se kaq është e pamundur.
7. Shifrat e reklamuara nga KKRT janë kryekëput gënjeshtra dhe unë i kam hedhur poshtë, pasi nuk kanë asnjë hollësi se si, kur, kush dhe në ç’kriter janë mbështetur monitorimet që ata pretendojnë.
 
Lutfi Dervishi: E balancuar? Përfaqësuese? Profesionale?

Këto tre pyetje janë thelbi i një televizioni publik. Dhe besoj se pyetja është për lajmet! Mjerisht, TVSH nuk i jep përgjigje pozitive asnjë prej pyetjeve tuaja. Përkundrazi. Është modeli i mirë se si nuk duhet të jetë një televizion (aq më tepër publik). Është modeli që e ka lënë pas edhe bota arabe (televizioni i qilimit të kuq të “lajmeve” të tipit: me kë u takua filani dhe kush e priti filanen”). Pas daljes së Al Xhazirës, dhe televizioni i botës arabe ia ka lënë historisë këto “lajme”.

Ka një mungesë dëshire për të bërë lajme për publikun. Sepse, edhe kur dëgjoj deputetë të nderuar të Kuvendit, kërkojnë llogari për mungesë balance, dhe me këtë kuptojnë se, nëse qeveria dhe kryeministri, ta zëmë, kanë dalë 100 orë në TV, - për t’u balancuar do të duhet të ketë 100 orë opozita!

Koncepti është i gabuar... d.m.th. hajde të balancojmë propagandën!

Një televizion për publikun do të thotë që drejtuesit e tij, redaktorët të përcaktojnë se çfarë informacioni është lajm ose jo vetëm në bazë të ndërgjegjes së tyre profesionale! Një televizion për publikun do të thotë që kamera të jetë drejtuar nga salla dhe jo gjithë kohën nga skena. Si traditë vijmë nga shoqëria e propagandës dhe thashethemit dhe jo e lajmeve dhe informacionit. Kjo inerci është e pranishme sot e gjithë ditën. Studentët e gazetarisë e kanë shumë të qartë se çfarë kriteresh ka një informacion për t’u quajtur lajm. Lajmi për TVSH-në është se nuk transmeton lajme, ajo pasqyron aktivitete, kryeministrin, qeverinë,  opozitën (në përmasa liliputiane), është pasqyrë, ku sheh atë që dëshiron politika, por nuk është filtër që t’i japë publikut “produkte” të kontrolluara! Të kërkosh “produkte cilësore”, sot për sot, më duket po aq realiste sa përpjekja e dikurshme për të rritur banane në Sarandë!...

Kam interesa krejt të tjera. Më shumë se kaq nuk mundem. Për më gjerë, drejtohuni tek Drejtori i RTSH-së.
 
 
Wikileaks: Drejtori Dervishi dhe presioni i qeverisë

TVSH, kanali televiziv publik i Shqipërisë ka ndërruar drejtues pas pushimit të ish-drejtuesit të saj në fillim të muajit, Lutfi Dervishi. Ky stacion nuk mbahet të ketë ndonjë teknologji të avancuar apo staf shumë eficient dhe shihet si zëri i qeverisë. (Shënim: Ky nuk është i vetmi televizion në Tiranë, pasi ka shumë stacione të tjera televizive që shprehin këndvështrime të ndryshme). Nën drejtimin e Lutfi Dervishit, televizioni publik pësoi një distancim nga fokusimi i plotë i qeverisë drejt programeve  më të ekuilibruara, një ndryshim ky jo i padashur nga shikuesit, të cilët ishin përgjigjur pozitivisht qëndrimit të mos fokusimit total ndaj qeverisë dhe të përfshirjes më tepër të cështjeve sociale dhe ngjarjeve të Gërdecit në 15 mars. Ndërkohë që shikueshmëria rritej gjatë drejtimit të zotit Dervishi, ai filloi të merrte telefonata nga ministrat e qeverisë të cilët shprehnin pakënaqësinë e tyre për mbulimin jofavorizues. Përgjigja e Dervishit: “Lajmet janë realiste.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama