Ta blesh apo ta meritosh diplomen?

Ta blesh apo ta meritosh diplomen?
Kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të studentëve që punojnë. Shpenzimet e mëdha janë një arsye shumë e fortë për këtë veprim. Nuk bëhet fjalë vetëm për tarifën e shkollës që rritet nga viti në vit apo për librat, që shumica duhen fotokopjuar për shkak të kostos së lartë, por edhe për ushqimin, si dhe kohën e të qëndruarit në lokale për shkak të orëve të gjata bosh. Por jo vetëm kaq. Duke filluar nga ky vit, për çdo provim të mbartur duhet një pagesë ekstra, e cila e ngre edhe më tepër koston. Nuk po përfshijmë këtu pagesën mujore të shtëpisë me qira apo konviktit. Duke qenë se kjo periudhë përkon edhe me pagesat vjetore të studentëve për tarifën e shkollës, “Shekulli” ka bërë një vëzhgim në Fakultetet e ndryshme të Tiranës, duke nxjerrë disa tarifa bazuar në dëshmitë e vetë studentëve.

Tarifa e shkollës

Nga një fakultet në tjetrin tarifat ndryshojnë. Tarifa këto të cilat, me sa shihet, janë të vendosura disi taktikisht nga drejtuesit e universiteteve. Kjo për faktin se degët më të kërkuara dhe më të njohura paguajnë më shumë se degët që janë më pak të pëlqyera. Për shembull, ndryshimi në pagesë midis degëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrorës me Fakultetin e Drejtësisë, përkon në dyfish të shifrës. Për degën e Juridikut në Fakultetin e Drejtësisë një student paguan 30 000 lekë në vit ndërkohë për Inxhinieri, Matematikë dhe për Informatikën në Fakultetin e Shkencave të Natyrës paguhet 16 000 lekë në vit. Përkatësisht në muaj një student i Juridikut paguan 2 500 lekë dhe një student i informatikës 1 333 lekë në muaj.

Ndërkohë, afër shifrës së Juridikut qëndron edhe Fakulteti i Ekonomisë, ku degët Financë dhe Menaxhim biznesi paguajnë 26 000 lekë në vit ose 2 166 lekë në muaj. Shifër të njëjtë kanë edhe degët Fizioterapi dhe Mjekësi e Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë. Por kur kalojmë në Universitetin Politeknik të Tiranës pagesat janë të ndryshme. Për degën e Inxhinierisë Elektrike studentët paguajnë 16 000 lekë në vit ose 1 333 lekë në muaj. Për Inxhinieri Telekomunikacioni paguhet 21 000 lekë në vit dhe përkatësisht 1 750 lekë në muaj. Kësaj pagese i qëndrojnë edhe studentët e Gazetarisë dhe Gjuhë-Letërsisë.

Shpenzimet për librat

Librat janë një tjetër pjesë e pagesave të studentëve në një vit të gjatë shkolle. Megjithatë këtu ndryshe nga tarifat e shkollës, qëndron një ekuilibër disi i çuditshëm. Ata që përbëjnë një veçanti janë studentët e Fakultetit të Mjeksisë, të cilët paguajnë relativisht shumë për librat e tyre. Librat në degë të ndryshme kushtojnë mbi 14 000 lekë në një vit shkollor. “Ka disa libra të cilat kushtojnë relativisht shumë dhe këtu mund të përmendësh Anatomoninë dhe Atlasin, që kushtojnë mbi 5 000 lekë. Në varësi të librit që zgjedh”, shprehet G.M., studente në vit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërkohë kur kalon nëpër fakultetet e tjera sheh një përafërsi të kostove të librave. Studentët tregojnë se në një vit shkollor librat e tyre kushtojnë në rreth 10 000 – 12 000 lekë në vit. Por duke i llogaritur ato në muaj për degët e mjekësisë kemi 1 166 lekë në muaj dhe për degët e tjera 833-1 000 lekë në muaj.

Fotokopjet

Fotokopjet dhe kafenetë janë bizneset më të suksesshme në zonat për rreth universitetit. Kjo pasi për t’u bërë bisht kostove të larta të librave, studentët janë të prirur t’i fotokopjojnë. “Ka libra që kushtojnë shumë dhe ne i fotokopjojmë ato”, shprehet A.M. student në Fakultetin e Shkencave Sociale. “Megjithatë profesorët janë përgjithësisht kundra fotokopjimit të librit, për faktin se i bëjnë vetë librat. Për këtë arsye kanë filluar të përdorin dy taktika detyruese për çdokënd. E para është fakti që ata lejojnë përdorimin e librit në provim, por me një kusht ai të jetë i blerë jo i fotokopjuar, pasi në të kundërt të merr librin ose edhe të nxjerr jashtë provimit. Një tjetër taktikë është firmosja. Në momentin që studenti paraqitet në seminar, profesori kërkon librin dhe fillon të firmosë. Kjo nënkupton që ti nuk mund të marrësh librin e dikujt që e ka mbaruar tashmë shkollën, sepse duhet ta blesh të ri”. Çmimi të cilin studentët paguajnë për një faqe të fotokopjuar varjon nga 2-3 lekë për faqe. “Përgjithësisht një libër kushton rreth 300 – 400 lekë”. Gjithashtu, studentët paguajnë edhe për printime. Printimi përdoret për prezantimin e detyrave të kursit të cilat përgjatë një viti shkollor mund variojnë në bazë të fakulteteve.

Mjetet shkollore

Nuk kanë se si të mos përmenden edhe shpenzimet që lidhen me mjetet shkollore, mjete këto që përkojnë në fletore, stilolapsa, lapsa etj. Fletoret sot nëpër universitete nuk përdoren vetëm për shënime, por përdoren edhe për provime. Kjo pasi për të bërë një provim apo edhe një kolokuium duhet të kesh një fletore boshe ku të zgjidhësh komplet tezën. Çdo ditë e më shumë provimet po nxjerrin jashtë përdorimit dyfletëshat dhe fletat A4, të cilat u përdornin më parë. Nëpër universitete të ndryshme përdoren fletore të bëra apostafat për këtë gjë. Për shembull, në Universitetin Bujqësor për të dhënë një provim duhet të përdorësh një fletore e cila blihet vetëm në librarinë e shkollës dhe kushton 25 lekë. Fletorja përmban edhe elementët e regjistrimit të studentit (emër, mbiemër, numër sekretimi, lënda, dega dhe firma). Ndërkohë, nëpër universitete dhe fakultete të tjera përdoren fletore të çfarëdoshme. Kostot e tyre variojnë 30-50 lekë për fletore. “Në një pjesë të madhe të provimeve dhe kolokuiumeve duhet të blejmë një fletore të re. Por ka edhe nga provime që zgjidhen në tezë”, shprehet Liljana Alla, studente në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ndërsa kostot e stilolapsave variojnë sipas dëshirave, nga 30-250 lekë.

Shpenzimet ekstra në shkollë

Janë shpenzime në të cilat shkolla ka një efekt indirekt. Kjo pasi orari i mësimeve nuk është kurrë i mirëkoordinuar. Për shembull, një student ka mësim orën e parë dhe më pas ka dy orë pushim dhe rifillon mësimin orën e katërt. Këto dy orë studentët janë të lirë të shkojnë ku të duan. Një pjesë zgjedhin biblotekën, një pjesë tjetër zgjedhin klasën bosh për të lexuar (nëse të lejojnë pasi edhe mund të të nxjerrin jashtë) etj. Pjesa tjetër zgjedh kafenetë. Nëpër zonat përreth fakulteteve dhe universiteteve kostot janë të ndryshme. Çmimi që duhet të paguash në kafe fillon nga 50 lekë për një kafe (60 – 80 lekë në varësi të lokalit), deri në 200 lekë për një gotë lëng frutash. Por jo vetëm kaq, oraret i detyrojnë studentët të qëndrojnë gjatë gjithë ditës në shkollë. Kjo është arsyeja edhe përse ata zgjedhin që të ushqehen në byrektoret, fast fude etj. Kosto në to fillon nga 25 lekë për një byrek deri në 250 lekë për një sufllaqe të hapur. Shpenzimet e lartpërmendura janë për një ditë. “Në një ditë shpenzoj mbi 100 lekë vetëm për të shtyrë kohën në mes të orëve boshe”, shprehet Melina Xhani, studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. “Kjo pasi kam orë boshe të cilat i kaloj në kafe mes miqve të klasës për të folur, plotësuar ndonjë detyrë, etj”.

Provimet me pagesë?!

Provimet gjithnjë janë një temë e nxehtë, pasi shpeshherë studentët ankohen dhe akuzojnë se japin shuma të mëdha parash për të marrë provimet (5 000 – 30 000 lekë për një provim).

Ajo çka po krijon shqetësim kohët e fundit tek studentët është një pagesë ekstra për çdo student për provimet e mbartura. Kjo nënkupton që, nëse dikush nuk arrin të kalojë në njërin nga provimet ose vendos ta shtyjë këtë provim me qëllim për të marrë një notë më të mirë, duhet të paguajë. Deri më sot kjo pagesë nuk ekzistonte, por këtë vit shkolla ka vendosur rregulla të reja.

Një student i Inxhinierisë Mekanike thotë se pagesa për provimet e mbartura është 2 000 lekë. Nga ana e vet, sekretaret shprehen: “Kush nuk e bën këtë pagesë, nuk futet në provim”. Kjo pagesë ndryshe nga çdo tarifë nuk bëhet në bankë apo në arkën e shkollës, por në sekretariat. Një pagesë e cila nuk merr mbrapsht një faturë tatimore apo një letër tjetër e cila vërteton pagesën e bërë. Por thjesht sekretariati vendos një shenjë tek lista e studentëve që vërteton pagesën e kryer. Ende nuk është aplikuar në çdo universitet dhe fakultet por pritet që shumë shpejt të bëhet e detyrueshme për çdokënd. Një praktikë të tillë, por e bazuar në kredite (500 lekë për kredit) është njoftuar se do të aplikohet në Fakultetin e Drejtësisë. Në rast se lënda për të cilën jepni provim ka 8 kredite, atëherë për të hyrë në vjeshtë, duhen paguar 4 000 lekë.

Por “thashethem” më i fundit nga studentët është shitja e krediteve. Një lëndë e caktuar mbart një numër të caktuar kreditesh dhe për t’u diplomuar duhet të kesh plot 160 kredite. Sipas zërave, 1 kredit mund të blihet në një të ardhme për shumën e 1 000 lekëve. Një gjë e tillë ngre dilemën, ia vlen një diplomë 160 000 lekë!

 

Abone studenti në “zhdukje”

Në koston e studentëve është edhe përdorimi i urbanit. Vite më parë Bashkia e Tiranës mundësoi disa abone për studentët, që kushtonin gjysmën e çmimit të abonesë së përgjithshme. Por kohët e fundit këto abone janë “zhdukur” nga qarkullimi. Në njërën nga pikat ku shiten abonetë për transportin urban, në qendrën e kryeqytetit, u shprehën: “Nuk shiten më abone studenti nga fatorinot apo në pikën tonë. Ato shiten vetëm nëpër shkolla”. Por nëpër shkolla me abonetë e studentit nuk merret askush. Ato nuk mund t’i gjesh. Megjithatë, duket se janë në përdorim në një “treg preferencial”. Jo çdo student arrin të marrë një abone studenti, ndaj nuk është çudi që shumë prej tyre përdoren nga njerëz në moshë më të madhe se një student i zakonshëm. Një abone studenti, nëse ke fat, kushton 600 lekë, ndërsa një abone e përgjithshme, për momentin, kushton 1 200 lekë.

Kostot

Kostoja e një viti universitar përmbledh paratë që i jep fakultetit për regjistrim, paratë për çdo provim të mbartur, paratë e librave të blerë me detyrim apo të fotokopjuara, paratë e ushqimit dhe kafesë që konsumon ndërsa je në shkollë, paratë “ekstra” për çdo provim, paratë e transportit.

Në një përllogaritje të thjeshtë, pa provimet, një student harxhon të paktën 8 000 lekë në muaj (mesatarisht do të shkonte rreth 15 000 lekë). Nëse do të përfshihen edhe provimet, tarifa do të rritet edhe më shumë. E nëse përfshihen edhe ushqimet, veshja dhe aktivitetet jashtë ambienteve të universitetit, atëherë nuk është çudi që shumë studentë, përveç parave të marra nga familja, i drejtohen edhe punës. Aty lind edhe dilema: është më mirë të shkosh në universitetin shtetëror e të paguash për çdo provim që s’mund ta marrësh apo të ndjekësh mënyrë e shkurtër të sigurimit të një diplome pa të gjitha këto probleme thjesht duke e blerë?!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama