“Ja erdha, erdha..”; “..edhe dy minuta se po më tregon ajo shoqja ime për atë motorin e ujit që kishte provuar gjatë pushimeve”; “O ma, ta tregova atë foton që kishte dalë djali i dajë Benit duke fluturuar me parashutë?”… Në çdo bisedë me të rinj, adoleshentë, pleq e fëmijë, të jeni të sigurt se diku, për dikë, do përmendet doemos fjala Facebook. Por, nëse për një shoqëri të rinjsh, tek e fundit ky nuk është ndonjë shqetësim i madh, dinë vetë si ta përdorin kohën e tyre, nuk ndodh e njëjta gjë me adoleshentët, apo akoma më keq, për më të vegjël se ta. Që është kthyer në maninë e të gjithëve, nuk është se po ju japim ndonjë sihariq të madh, e dini këtë, ama nuk dini shqetësimet që fshihen pas prindërve të këtyre fëmijëve. Julianne Moore as që ka ndër mend ta fsheh. ‘E spiunoj tim bir, i kontrolloj Facebook-un’- tregon në intervistën e saj.
Po personazhet tanë, a janë po kaq të shqetësuar? Ndoshta gjatë periudhës së pushimeve që sapo kaloi, nuk e vrisnin shumë mendjen. Po tani që ka filluar shkolla? A ndërhyjnë në oraret e tyre të pasdites?! Disa e bëjnë, të tjerë jo… besimplotë se vajza apo djali i është futur me kokë fizikës. Por nuk është vetëm ky shqetësimi i prindërve. Një përqindje e mirë adoleshentësh e shohin Facebook-un si një portë bamirëse për të krijuar njohje të reja (mos thoni që për të gjithë prindërit është e përtypshme kjo gjë). Mundet të jenë të rrezikshme! Dhe në fakt, rregullorja e Facebook-ut parashikon që të mos pranohen fëmijë nën moshën 13 vjeç, por të gjithë ata që e përdorin, e dinë mirë se nuk është asgjë të ndërrosh një shifër të vitit të lindjes e të bëhesh shumë shpejt pjesë e tij. Një pyetje me të drejtë prindërore është kjo “A do të dijë im bir të ruajë privatësinë e tij në një vend kaq të ekspozuar ndaj kuriozitetit publik, do të dijë t’i mbajë për vete gjërat intime, apo do të luajë ‘të mëdhenjsh’?”. Përpara këtyre pikëpyetjeve, shumë prindër tundohen nga mendimi për t’i përgjuar, duke u marrë fjalëkalimin, madje shkojnë deri atje sa hapin një adresë të tyre me emër fals, duke u hequr si një nga miqtë e fëmijës.
E pra, sepse rrjetet sociale nuk janë vetëm një vend jo i shëndetshëm, por mund të simulojnë negativisht kreativitetin dhe socializimin e fëmijëve (të rritur). Si mund të frenohet ky kreativitet i vrullshëm? Alarmi është dhënë nga një komunitet shkencor jo vetëm në USA e në gjithë Europën, por edhe fare pranë nesh, në Itali. Spitali “Bambino Gesu’ në Romë ka nxjerrë guidat e para.
“Facebook nuk është një dhomëz private e fëmijës tonë, është një dhomë në të cilën hyjnë qindra njerëz”, pohon Linda Philipps, psikologe dhe nënë e 8 fëmijëve nga 26 deri në 13 vjeç. “T’u shpjegojmë fëmijëve se duhet të mbrojnë informacionet delikate, adresat e shtëpisë apo shkollës, numrat e telefonave dhe t’i mësojmë se si.
“Të jesh i kujdesshëm, nuk do të thotë të gjykosh e aq më tepër të përgjosh, edhe pse po humbi besimi i fëmijës, është e vështirë ta rikuperosh”, thotë Stefano Vicari, neuropsikiatër i spitalit “Bambino Gesu”. “T’u japim fëmijëve informacione të sakta. Shkojmë, të paktën herët e para me ta dhe flasim së pari për anët pozitive të Facebook-ut, ndryshe do humbasim besueshmërinë”.
Pavarësisht këshillave, të jesh shoqëruesi i tyre i lundrimit në internet, nuk është fare e thjeshtë. Nuk e pranojnë të gjithë shoqërinë e prindërve në një botë që e quan krejt të tijën. Nëse doni të keni akses në botën e tyre, duhet të kujdeseni të mos i vini në siklet, duke mësuar nga ana tjetër vetë rregullat e pashkruara të rrjeteve sociale.
Kështu ata do të ndihen më të afërt. Pra, rruga e mesme, mes persekutimit dhe mosinteresimit, mund të jetë zgjidhja. Edhe pse Julianne More ka zgjedhur të parën…
Edmond Dragoti: Facebook? Lojë intelektuale me rrezik varësie
Ashtu siç pritej, qëndrimi i psikologut do ishte domosdo më i ekuilibruar sesa ai i një mamaje liberale apo një mamaje që, pavarësisht aktivitetit të saj, e ka mendjen se kë mund të ketë në linjë djali i saj adoleshent. “Në përgjithësi, qëndrimet nuk duhet të jenë të prera, është e rëndësishme që vendimet të merren bashkë nga prindi dhe fëmija”. Atyre më të mëdhenjve, u leverdis të jenë bindës në arsyet se pse duhet të jenë të kufizuara orët e shpenzuara në rrjete sociale. Masat drastike, si për shembull heqja e kompjuterit apo linjës së internetit nga shtëpia, nuk është zgjidhje. “Më e mira është që fëmijët të binden se kanë vetëm një kohë të caktuar për t’u argëtuar, sepse Facebook-u është kthyer si lojërat e bixhozit, ku fëmijët argëtohen njëri me tjetrin, por njohin dhe zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit”. Ashtu siç e përcakton Dragoti, një lojë inteligjente me rrezik varësie- krejt e ngjashme me lojërat e bixhozit. Nëse mania për t’u zhytur përherë në atë faqe teprohet, atëherë prindërit duhet të shqetësohen, por të veprojnë me maturi, e jo të shohin nga “vrima e çelësit” se ç’është duke bërë fëmija, thotë psikologu. “Një reagim i keq i prindit do kishte pasojë një reagim jo të mirë të fëmijës”.
Suzana Arbnori: Po, e kontrolloj Filipin”
Në shtëpinë Arbnori duket se rregullat janë vendosur që në mëngjes. Këtë përshtypje të paktën të lë gjithnjë një marrëdhënie e kujdesshme, e krijuar dhe e mbajtur mirë, nënë e bir, siç është ajo e saja me Filipin, djalin e saj të vogël. Filipi është në atë moshë kur të gjithë moshatarëve të tij gjimnazistë u duket se kanë bërë zbulime të mëdha e që nuk kanë nevojë për asnjë këshillë a mendim nga më të mëdhenj.
Ama, i biri i Suzana Arbnorit vetëm moshën ka të përbashkët me adoleshentët e tjerë, sepse nga marrëdhënia e të dyve që e ëma na tregon, raporti është krejt tjetër. “Nuk më ka fshehur ndonjëherë se çfarë është duke bërë në Facebook, madje shohim dhe komentojmë gjëra së bashku. Sepse edhe unë nuk e mohoj që jam kurioze dhe dua të di se ç’bën ai aty sa t’i zërë një kohë të mirë. Kështu që e pyes e marr përgjigje.
Tani secili prej nesh ka një adresë të vetën dhe gjërat janë të hapura për të gjithë”. Nuk është e lehtë të krijohet një marrëdhënie e tillë në shtëpi. Është shumë më i njohur opsioni minimizo i faqes “së ndaluar” (apo edhe faqeve të tjera), sa herë që dikush troket në derën e dhomës. Filipi nuk ka asgjë për të fshehur. Për më tepër që e ëma ka vënë re se koha që shpenzonte në internet, deri përpara fillimit të shkollës pak ditë më parë, ishte rreth dy orë, ndërsa tani është reduktuar në më pak se një. “Nuk i kam thënë të merret me mësimet më shumë sesa me argëtimin në Facebook. Ai është i ndërgjegjshëm vetë që koha e studimit është më e rëndësishme. Dje, për shembull, e pashë që u largua shpejt nga kompjuteri. Kur e shoh këtë gjë, jam e qetë, në të kundërt, në do ishte nevoja, do ndërhyja”.
Monika Lubonja: 2 Friend-sa ne
E keni parë gjithandej, kanë shkruar gazeta e revista që aktorja Monika Lubonja (edhe për shkak të bujarisë që ka treguar Zoti ndaj aktores duke ia kursyer gjithnjë dukshmërinë e viteve që ka) dhe vajza e saj Tea janë si dy shoqe. Që të dallosh të ëmën e Teas nga vajzat fare të reja, duhet të jesh e vëmendshme. Siç duket, raporti që të dyja tregojnë qoftë duke i parë në një fotografi, është në çdo rast. “Unë nuk ndërhyj në kohën e lirë të Teas, qoftë kjo për Facebook-un apo gjëra të tjera që ajo sheh të arsyeshme të bëjë. Mendoj që duhet të jetë e lirë dhe e zonja për t’i bërë mirë gjërat e saj. E shoh që, kur është e ulur në kompjuter, harxhon më shumë kohë duke marrë informacione që i duhen sesa në Facebook”. Po sikur Tea të përdorë atë opsionin minimizo? Prapë nuk dalin llogaritë, sepse mami Monika është vetë në Facebook, kështu që nuk mund të ketë të fshehta. “E rëndësishme është që të mos lërë pas dore librat, gjë që nuk e bën, mbase kjo siguri më ka bërë edhe mua të mos jem kurioze pas gjërave të saj apo t’i ndërhyj”. Ku ta gjesh një mami kështu!
Julianne Moore: Tim biri i kontrolloj Facebook-un
Flokë të kuq, të gjatë, fytyrë gjithë shkëlqim, pa moshë. Vishet thjeshtë, por të gjithë e vënë re gjithsesi. Pak aktore si ajo arrijnë të jenë simpatike, edhe kur personazhi që luajnë është negativ. Arsyeja është e thjeshtë, sepse Julianne Moore është autentike dhe nuk sillet si “Yll”. Asnjëherë! Edhe pse ka qenë 4 herë kandidate për Oskar, ndoshta ajo përveç Meryl Streep është e vetmja mbi të 50-at që xhiron filma njëri pas tjetrit. Në kohën e lirë shkruan libra argëtues për fëmijë. Në filmin komedi “Crazy, Stupid, Love” që pritet të dalë nëpër kinematë europiane, ajo është Emily, një grua që ka tradhtuar të shoqin me të cilin është lidhur qysh në fëmijëri dhe do të ndahet… Personalisht nuk është në këtë pikë. Aktorja rrëfehet për mediat italiane.
Pse një film tjetër mbi familjen, mbi raportet e vështira në çift?
Sepse, teksa lexova qysh në faqen e parë të skenarit frazën “Dua divorcin”, mendova: Qenka vërtet i fortë! Kam qeshur shumë dhe ishte si një puhizë e freskët. Pastaj, puna me Steve Carell, të cilin e adhuroj…
E vështirë të mbash gjallë romanticizmin në një lidhje për një kohë të gjatë. Këtë e thotë edhe filmi. Ju ç’mendoni?
Po, është vërtet e vështirë. Jam martuar që 15 vjeç. Nuk më duket e vërtetë, më duket sikur ka kaluar kaq pak kohë. Por, është e domosdoshme që të përpiqesh gjithmonë, të organizosh diçka ndryshe, të mos harrosh se arsyeja pse ekziston një familje është ekzistenca e një çifti. Ka shumë gjëra për të menduar: puna, fëmijët, çatia që duhet rregulluar apo qeni që është sëmurë… Edhe pse do të dalësh e të hash një darkë me burrin tënd, fëmijët ankohen: Nuk mund të dilni sërish.
Ju keni një djalë adoleshent…
Po, tashmë është 13 vjeç e gjysmë dhe mosha mes 12 e 13 ka qenë një sfidë e vërtetë. Vjen një ndryshim i madh në këtë moshë. Ngrihesh në mëngjes e thua: Zot i madh! Ka qenë bukur ta vëzhgosh. Çdo prind i sheh fëmijët e vet tek rriten, duke mbajtur frymën, sepse nuk do të donte t’i shihte kurrë të vuanin fizikisht dhe shpirtërisht. Deri më tani jam argëtuar dhe jam munduar ta frenoj kuriozitetin, p.sh të mos i lexoj mesazhet në telefon. Por, herë pas herë, bashkë me tim shoq i hedh nga një sy në Facebook, çka e quajmë “vëzhgim pa ndërhyrje”, sepse nuk hyjmë në mesazhet personale. Një herë, dikush kishte postuar një mesazh të tmerrshëm në faqen e tij dhe ne i kërkuam që ta fshinte. Atëherë na pyeti: Si e morët vesh? Dhe ne iu përgjigjëm: Sepse herë pas here i hedhim nga një sy. E bëjmë ne ose kujdestarja e tij, e cila na informon.
Rrëfehet ai tek ju?
Më tregon ndonjë aventurë sentimentale të tijën. Unë gjithnjë e pyes: Hë si shkon me këtë apo me atë vajzë…? Përpiqem të jem e qetë. Kur janë adoleshentë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe nuk e di se ç’mund të ndodhë kur të jetë 18 vjeç.
Po me vajzën, ç’marrëdhënie keni?
Vajza ime është 9 vjeç, është ende një fëmijë. Shpesh mbahemi për dore, përqafohemi dhe shohim filma bashkë. Mund t’i bëj ende këto gjëra me të. Së fundmi ka shpuar veshët dhe jemi argëtuar shumë, sepse ishim në Kaliforni. Djali kishte shkuar në kinema me tim shoq, por filmi nuk ishte i përshtatshëm për të. Kështu që, i propozova të shponte veshët në një dyqan tatuazhesh. Ishte një moment vërtet i bukur e argëtues.