Ta vrasim por kjo nuk do ti mbroje femijet

Ta vrasim, por kjo nuk do ti mbroje femijet
Rrjetet sociale dhe kafenetë u mbushën dje me thirrje për referendum e rikthim të dënimit me vdekje. Zemërimi ishte i atillë sa njerëzit shpreheshin për forma ekzekutimi makabre.

Vetë ne, duke mos i shpëtuar dot urrejtjes masive ndaj të akuzuarit për pedofili dhe vrasje të një fëmije, nuk mund të themi se nuk ndjemë dëshirën për linçim apo për hakmarrje.

Ardian Prrenjasi është në qendër të urrejtjes së mijëra njerëzve, përfshi edhe të afërm si e motra apo i vëllai, që ashtu si një pjesë e madhe e shoqërisë kërkojnë që ai të ekzekutohet. “Ju lutem, vareni në mes të Tiranës, që të qetësohen sadopak shpirtrat e atyre nënave” thoshte e motra e Prrenjasit. Por a është vrasja e 45-vjeçarit, i cili ende nuk është gjykuar, zgjidhja e problemit që kemi?! A do të sillte kjo më pak raste të ngjashme dhe a do të zmbrapsej krimi?!  Mundësitë më shumë janë që jo. Një hakmarrje kolektive, edhe pse do të shuante në një farë mase zemërimin e drejtë të familjeve të viktimave dhe do t’u jepte atyre ngushëllim, nuk do të çonte në asnjë rast në zgjidhjen e problemit.

Debati

Për më shumë përqendrimi i gjithë debatit në një temë që nuk të çon asgjëkund, pasi dënimi me vdekje nuk mund të kthehet ashtu siç pranoi dje edhe kryeministri Sali Berisha, është harxhimi i energjive që mund të na duhen për të përmirësuar situatën. “Kam marrë qindra mesazhe në celular dhe në Facebook, që kërkojnë dënimin me vdekje. Unë kam mirëkuptim për të gjithë ata, sepse ngjarja është tmerrësisht tronditëse, por nga ana tjetër ne jetojmë në një hapësirë europiane, e cila me vendosmërinë më absolute e ka hequr dënimin me vdekje”, tha Berisha duke i dhënë në një farë mase edhe fund debatit që sidoqoftë ka gjetur përkrahës. Brenda vetë aleancës që qeveris vendin zërat për rikthim të dënimit me vdekje kanë qenë gjithmonë prezent, edhe pse pothuajse e gjithë politika është e vetëdijshme që kjo është tashmë e parealizueshme, për më shumë e pafrytshme (fakti që vendet e BE, të cilat kanë më pak krime e kanë hequr atë prej vitesh, tregon pikërisht këtë) qoftë edhe në luftën kundër krimit, edhe pse menjëherë pas ngjarjeve të tilla gëzon përkrahje të gjerë në shoqëri.

Propozimi

Nga ana tjetër propozime të frytshme dhe të pa mbarsura me urrejtjen e momentit ka pasu shumë pak. Një i tillë u bë po në rrjetet sociale ne e morëm nga faqja e pedagogut Erion Kristo. Ai kërkon që Shqipëria të bëjë ashtu si FYROM një listë publike të personave të dënuar për pedofili në mënyrë që njerëzit të jenë të lajmëruar dhe të kujdesshëm. Një mundësi e tillë përdoret në një sërë vendesh të tjera dhe në një vend të vogël si ky i yni hamendësojmë se do të kishte sukses përshkak të njohjes dhe lidhjeve që njerëzit kanë me njëri tjetrin, por sidoqoftë nuk është e mjaftueshme për të shmangur rastin e parë atë të fëmijës që dhunohet i pari dhe që do shërbejë që manjaku të vendoset në listë e zezë. Ajo që shtrohet si pyetje pas kësaj ka të bëjë me faktin se sa në gjendje jemi ne t’i mbrojmë fëmijët?! Raste të ngjashme janë trajtuar më herët vetëm si informacion tronditës dhe vendi nuk ka marrë asnjë masë dhe as ka ngritur “hallka” që mund të ndikonin në mbrojtjen më të mirë të fëmijeve. Për më shumë ashtu si edhe në rastin e dy vajzave (A.Vata dhe N.Visha) njëra viktimë dhe tjetra e arrestuar, u pa një tentativë për t’i mbuluar krimet seksuale ndaj të miturve në moshë të hershme (këtëherë vajza) nën pretekse si “turpi” dhe gjykimi kolektiv. Në shkollat shqiptare nuk ka informacion dhe as ndonjë manual të thjeshtë për të kuptuar se si duhet të reagohet në rast se një fëmijë dhunohet dhe si kuptohet që një fëmijë është apo jo i dhunuar.

Dështimi…

Duke iu kthyer në rastit konkret hallkat e dështuara të shtetit për të mbrojtur një fëmijë mbetën zbuluar. (Madje edhe pretendimi i policisë se arriti të parandalonte krimin u pa si i pavërtetë përderisa i akuzuari më shumë u zbulua nga “meraku” i kolegëve për të ).Një arsye pse nuk duhet të mjaftohemi vetëm me listën dhe bërjen publike të emrave është se në rastin në fjalë  precedentët kanë ekzistuar, por as policia e mëtej as prokuroria e gjykata nuk i kanë vënë re. Një prokuror i Tiranës shkruante po në Facebook se policia duhej të kishte një “database” për njerëz me precedentë të ngjashëm. Kjo në fakt është njëra anë e problemit, ana tjetër është se policia, megjithëse në një kohë teknologjie, nuk ka në një sistem as kallëzimet që bëhen dhe as dënimet për raste të ngjashme. I akuzuari ishte kallëzuar dhe dënuar dhe duhej të ishte verifikuar menjëherë pas zhdukjes së Julian Çelës në nëntor. Policia ka dështuar ta bëjë këtë, po ashtu kanë dështuar edhe prokuroria dhe gjykata, ndërsa duket se edhe një kallëzim i hershëm ndaj tij është “mbuluar” duke krijuar mundësinë që ai të zgjeronte rrethin e viktimave. Pikërisht ky mbulim, me një tërheqje kallëzimi, ndoshta për shkak të turpit apo arsyeve të ngjashme është ndoshta problemi më i madh në vend sa i përket viktimave të krimeve të kësaj natyre.

Familja, shkollat, policia dhe institucione të ngjashme duhet të ishin përgatitur për të marrë në mbrojtje fëmijët dhe për të kuptuar drejt krime të kësaj natyre që nëse nuk denoncohen rrezikojnë të shkojnë në ekstreme si vrasja dhe masakrimi. E nëse nga njëra ana nuk ka asnjëlloj përpjekje për të mbrojtur fëmijët dhe identifikuar raste të ngjashme, nga ana tjetër teknologjia e komunikimit dhe majde futja e internetit në shkolla i ka ekspozuar të miturit më shumë ndaj abuzimeve, madje duke rritur edhe mundësinë e “krijimit” të këtyre personave që “ushqehen” që të vegjël me pornografi dhe pamje të dhunës. Sistemi nuk është hera e parë që dështon të mbrojë viktimat e dhunës seksuale. Nuk është as hera e parë (kujtoni masakrimin e Aishe Vatës) që shpërthehet në gjuhë urrjetje ndaj të akuzuarit, problemi është që përpos kësaj urrejtje të shfryrë kafeneve, ne mbetemi në vend numëro dhe viktimat mund të shtohen nëse shoqëria dhe sistemi nuk mësojnë të marrin seriozisht këtë lloj të krimit.

“Kam marrë qindra mesazhe në celular dhe në Facebook, që kërkojnë dënimin me vdekje. Unë kam mirëkuptim për të gjithë ata, sepse ngjarja është tmerrësisht tronditëse, por nga ana tjetër ne jetojmë në një hapësirë evropiane, e cila me vendosmërinë më absolute e ka hequr dënimin me vdekje. Kjo është bërë në respekt të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe për çdo hap prapa që mund të bëjë, Shqipëria merr përsipër dënimin e saj”.

Kryeministri Berisha në lidhje me kthimin e dënimit me vdekje

“Të habit fakti që s’kanë një database me personat që kanë prirje të këtij lloji, për më tepër që ishte i dënuar. Mungesë profesionalizmi ditën për diell. E kemi hallin te gjëra të tjera me policinë, jo me hetimin dhe mbajtjen në survejim te kriminelëve”.

Një prokuror i rrethit Tiranë në Facebook

“ Kjo ka që ka bërë vëllai im është e tmerrshme, rrënqethëse. Kemi fëmijë vetë dhe e ndjejmë dhimbjen e atyre familjeve. Ne e mohojmë atë njeri. Ai nuk është gjaku ynë, ai është një përbindësh, që duhet varë në litar. Ju lutem vareni në mes të Tiranës që të qetësohen sadopak shpirtrat e atyre nënave. Nuk kemi pikë mëshire për atë. Ai nuk është njeri”.

Suzana, motra e të akuzuarit për krimin Ardian Prrenjasi

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama