TIRANË, 14 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se në Parlamentin Evropian diskutuam në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe se integrimi europian është i vetmi opsion për Shqipërinë .
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet në statusin e saj Facebook se "Pata kënaqësinë të isha në Strasbourg, ne Parlamentin Europian, për të ndarë më kolegë europarlamentarë e diskutuar ne lidhje më situatën politike në Shqipëri. Integrimi europian është i vetmi opsion për Shqipërinë dhe cdo qeveri, pavarësisht përkatësisë politike, duhet të punojë për të. Shqipëria fatkeqësisht ka humbur shumë mundësi gjatë këtij rrugëtimi, por një punë e admirueshme është bërë nga të gjithë ata që morën pjesë në plotësimin e pyetësorit të parë dhe nga të gjthë ata që përditë në cdo ministri a institucion punojnë për të plotësuar kriteret".
"Fatkeqësisht këto dy vite në pesë fushat kryesore ku duhej të tregonim progres, nuk kemi shumë për të folur, krimi i organizuar e korrupsioni janë në nivele historike të larta, mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk ëshët më prioritet e përditë dëgjojmë për keqtrajtime, burgosje e arrestime pa të drejtë, adminsitrata publike është politizuar e ligji që u miratua me consensus është ndryshuar të paktën 3 herë gjatë këtij viti e ndërkohë që zgjedhjet shënuan një rekord negativ historik me rritjen e forcës e presionit të shtetit. Reforma në drejtësi do të jetë ajo që do të bëjë diferencën. E pavarësisht shumë ndasive, opozita për hir të procesit të integrimit është bërë pjesë e kësaj reforme, por sigurisht që nuk do të lejojë thjesht politizimin e skajshëm të sistemit të drejtësisë e nuk do të lejojë që problemet që ky sistem ka të theksohen gjithnjë e më shumë!", shkruan Tabaku.
"Ka më shumë gjëra që na ndajnë se na bashkojnë me këtë qeveri, por integrimi europian është dicka që na bashkon, e unë mendoj që shqiptarët e meritojnë!", përfundon Tabaku. /a.ke/