Taci Oil Mosmarreveshjet me ndermjetesit e Milan ceshtje rutine

Taci Oil: Mosmarreveshjet me ndermjetesit e Milan, ceshtje rutine

Kompania Taçi Oil ka reaguar pas raportimeve se ndërmjetësit e Milanit, Infront Italy, i kërkojnë 2.3 milion euro. Sipas kompanisë, mosmarrëveshjet janë një çështje rutinë.

“Të gjithë ata që shohin me dëshpërim se një pjesë e rëndësishme e medias e ka humbur misionin e saj dhe është vënë në ndjekje të fustaneve të këngëtareve, fotove të fundit nga një plazh të  Lady Gaga-s,  tatuazhit të ri të Kristiano Ronaldos apo premtimit të një modeleje meksikane për t’u zhveshur në rast fitoreje të ekipit kombëtar kanë arsye të ndjehen të ngushëlluar.

Media raporton edhe gjëra më periferike dhe më të parëndëishme për interesin publik se sa këto. Ato kanë bërë të ditur se kompania Taçi Oil gjendet në një mosmarrëveshje me një kompani italiane Infront Italy në lidhje me një kontratë marketimi. Me zell të patreguar, si të flisnin për një katastrofë epidemiologjike, për rritjen e pagave dhe pensioneve, për rënien e një tërmeti apo për zbulimin e ilaçit që mjekon kancerin  mediat raportuan për këtë mosmarrëveshje  të rëndomtë mes dy biznesesh, një mosmarrëveshje që po trajtohet në mënyrën e parashikuar nga legjislacioni civil.

Mosmarrëveshje të tilla janë  aq të zakonshme dhe  aq rutinë  për biznesin kudo në botë  sa ç’është e zakonshme dhe rutinë  lindja e diellit në mëngjes apo edhe shfaqja e lakuriqëve të natës pas perëndimit të tij.  Mosmarrëveshje të tilla mes biznesve janë aq të parëndësihme për publikun dhe qytetarët sa ç’është i parëndësishëm diametri i rrethit të brekëve të  Madonës apo rrethprerja e aktorit kozmopolit amerikan me mbiemër latin Andi Garsia.

Këto media nuk duan t’ia dinë se në këtë mosmarrëveshje dhe në këto biznese nuk preket asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguesve, ato nuk duan t’ia dinë se bëhet fjalë vetëm për një çështje të brendshme, për një dinamikë banale bash si rrjedhja e gazrave (jo në Marinëz) nga pusi i barkut të  vetë këtyre mediave të pangopura që hanë gjithçka dhe nuk dinë të ndalen. Kompania Taçi Oil distancohet me neveri nga aroma e turpshme e këtyre gazrave që në emër të informimit publik apo lirisë së fjalës poshtërojnë publikun dhe padyshim  ndotin ajrin e gjithë shoqërisë.

Fakti që diçka nuk është gënjeshtër nuk do të thotë se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Edhe këso lloj informimesh janë mashtrim pasi ato kërkojnë vetëm të njollosin”, thuhet në reagimin e kompanisë së Taçi Oil.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama