Vlera e investimit kap shifrën e 1,4 milionë dollarëve. Një ditë pas akuzave të rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, lidhur me skemën e re të financimit në shkollat e larta, ministri Tafaj u shpreh se në qendër të saj do të jenë studentët. Ai nënvizoi se ashtu siç është rekomanduar nga qeveria, do të ndiqet modeli britanik. “Universitetet publike do të jenë aktorët kryesorë në këtë proces. Skema e re e financimit është plotësisht transparente dhe në funksion të zhvillimit të larsimit të lartë”, deklaroi ministri. Përsa u përket kuotave për transferim nga një universitet në tjetrin, ato do të jenë vetëm 100 për Universitetin e Tiranës, pavarësisht se kërkesat e Universitetit të Tiranës ishin 3 herë më të larta. “Universitetet bëjnë propozimet dhe Ministria e Arsimit, kur ka kompetencë, vendos për shpërndarjen e kuotave.
Këtë vit është parë e udhës që të ketë më pak kuota për transferim studimesh dhe vendimi është marrë duke u konsultuar me specialistët”, tha Tafaj. Reforma e re në arsimin e lartë ka hapur mjaft debate mes komunitetit universitar dhe Ministrisë së Arsimit. Drafti vijon të diskutohet me grupet e interesit, ndërkohë që deri tani nuk ishte përcaktuar se mbi cilin model do të bazohej kjo skemë. Pas sugjerimeve të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për ndjekjen e modelit anglo-sakson, duket se edhe MASH do të bëjë ndryshimet përkatëse në draftin e paraqitur.
Këtë vit shpërndarja e kuotave të paplotësuara, por edhe të transferimeve, ka qenë shumë e reduktuar. Janë shpërndarë vetëm 100 kuota për të gjitha degët, ndërsa një vit më parë ka pasur 280 kuota. Sipas urdhrit për rishpërndarjen e kuotave, të publikuar dy ditë më parë nga MASH, rezulton se numrin më të lartë të shpërndarjes e kanë degët: Financë, Administrim Biznes, Gjuhë angleze, Mjekësi, Farmaci, Stomatologji, Fizioterapi, Drejtësi. Secila prej tyre ka 8 kuota dhe në rastin e Drejtësisë janë vetëm 10 kuota nga dhjetëra kërkesa dhe aplikime për të vazhduar studimet në këtë fakultet. Brenda pak ditëve pritet të shpallen fituesit për 2000 kuotat e lira në formularin A3. Sipas Ministrisë së Arsimit, atyre do t’u lihen disa ditë kohë për t’u regjistruar. Dje u mbyllën gjithashtu regjistrimet për aplikimin në ndjekjen e studimeve part-time. Fituesit pritet të shpallen në nëntor. Konkurrimi do të bëhet me dosje dhe prioritet për të fituar kanë ata kandidatë të cilët nuk kanë kryer një shkollë të lartë.
Akuzat e rektorit te ut
Dy ditë më parë, rektori i Universitetit të Tiranës akuzoi Ministrinë për abuzime me rishpërndarjen e kuotave të mbetura bosh. Ai kërkoi shpjegime dhe denoncoi pakorrektësinë, sipas tij, të këtij dikasteri. “Vendet e mbetura bosh në universitete nuk janë shpërndarë sipas fakulteteve që kanë nevojë dhe që janë më të kërkuara. Ajo çfarë ne kemi konstatuar është se pavarësisht se ata janë menjëherë pas studentit të fundit të regjistruar dhe pavarësisht se ka kuota bosh, ata tashmë nuk mund të regjistrohen, sepse Ministria e Arsimit i ka zhvendosur kuotat nga këto degë në degë më pak të preferuara”, është shprehur Kule.