TIRANË, 18 Nëntor /ATSH/ -Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, zhvilloi sot një takim me Sekretarin Britanik të Shtetit për Politikën e Jashtme, Philip Hammond.
Në takim u diskutuan rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Sekretari Hammond vlerësoi si të shkëlqyer marrëdhënien dypalëshe mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe e vlerësoi atë si marrëdhënien më të mirë në rajon. Ai gjithashtu vlerësoi maksimalisht angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, që solli sukses për t'u shënuar në eleminimin e kultivimit të narkotikëve.
Ministri Tahiri e informoi Sekretarin Hammond për përpjekjet e deritanishme për të luftuar krimin e organizuar, pasuritë kriminale, korrupsionin dhe terrorizmin. Ministri Tahiri theksoi se është e nevojshme që qeveritë të bashkëpunojnë më intensivisht, por edhe më me eficiencë, për të luftuar krimin i cili nuk njeh kufij, por edhe punon më shpejt se qeveritë, sepse nuk njeh burokraci.
Sekretari Hammond mbështeti idenë e ministrit Tahiri për nevojën për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, por edhe terrorizmin si një kërcënim real për të gjithë Evropën dhe rajonin./i.v/./a.ke/