Tahiri Arken e emergjencave e gjetem me 570 dollare

Tahiri: Arken e emergjencave e gjetem me 570 dollare

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, gjatë seancës së sotme plenare ka replikuar me deputetët e opozitës, duke shkëmbyer një sërë akuzash ndaj njeri-tjetrit.

Tahiri i bëri një bilanc gjendjes në jug të vendit pas përmbytjeve, duke thënë se situata është plotësisht nën kontroll. Ministri i Brendshëm falënderoi strukturat e shërbimeve të emergjencës, institucionet dhe vullnetarët për menaxhimin e situatës, duke theksuar se suksesi më i madh ishte shmangia e humbjes së jetëve.

Pas tij ka replikuar deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili i kërkoi qeverisë dhe kryeministrit Rama të shpallë gjendjen e emergjencës për jugun e përmbytur.

Ai tha se qeveria nuk do ta marrë këtë veprim pasi nuk do të dëmshpërblejë banorët e prekur nga përmbytjet.

“Do bëni shtet ju, do bëjë shtet dordomuzi duke futur njerëzit në burg. Duhen mbrojtur jetët dhe pasuritë e shqiptarëve. Atëherë mund të themi se po fillojmë të bëjmë shtet. Të shembësh dhe të prishësh është kollaj. Të ndërtosh, të vësh zemrën në punë është e vështirë. Kjo kërkon burra të rritur dhe jo kalamaj. Rama duhet të vinte këtu dhe të jepte llogari. Ai fshihet dhe lë fukarenjtë në mëshirë të fatit. Ajo që ne kërkojmë është të zbatohet ligji për emergjencat civile. Nuk e shpallin gjendjen e emergjencës se nuk duan t’ju dëmshpërblejnë për dëmet e shkaktuara”, tha Ristani.

“Ju thanë se kanë folur me Brukselin se do t’iu dëmshpërblejnë, por nuk është e vërtetë sepse Brukseli nuk lëshon fonde në rast se nuk shpallet gjendja e emergjencës”, tha më tej Ristani.

Si përgjigje ndaj akuzave të Ristanit, Tahiri tha se shqiptarët duhet të dinë se qeveria “Berisha” e kishte boshatisur fondin e emergjencave, duke lënë në arkë vetëm 570 dollarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama