Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një deklartë për mediat tha se avionic i kapur sot në plazhin e Divjakës nuk ka pasur ngarkesë drogë në të. Droga e kapur nga policia është gjetur në një makinë aty pranë në pyllin e Divjakës dhe sipas ministrit po punohet për të vërtetuar nëse avioni dhe makina e kapur me hashash kanë lidhje me një trafik droge me anë të avionëve.
Ministri nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
Deklarata e plote e ministrit Tahiri:
“Sot në ora 14:40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku edhe është dëmtuar duke thyer njërën nga rrotat dhe elikën. Policia e Shtetit ka ndaluar pilotin, i cili është shtetasi italian Giorgio Riformato.
Nga hetimet paraprake rezulton që avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:26 me leje Nr. 193, lëshuar nga Aviacioni Civil, dhe me destinacion Italinë.
Nga të dhënat paraprake, kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë.
Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit Italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të defektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet.
Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe policia kufitare e zonës, së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makine tip “Mitsubishi” me targe “AA 794 EU” me një ngarkese drogë të llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.
Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis.
Sapo jam informuar nga Policia se në këto momente është arrestuar drejtuesi i mjetit, Saimir Bajrami, vjeç 35, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro. Nga të dhënat paraprake, ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbrritur në Shqipëri vetëm 2 ditë më parë.
Në vijim të hetimeve, Policia e Shtetit do ju informojë më shumë për këtë ngjarje, sigurisht edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në atë zone janë pjesë e një tentativë për trafik të paligjshëm.”