Tahiri Berisha i dha toke Zaganit makinen ia shita kusherinjve pa u bere minister

Tahiri: Berisha i dha toke Zaganit, makinen ia shita kusherinjve pa u bere minister

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë emisionit ‘Top Story’ foli për akuzat e ngritura nga ish-oficeri Dritan Zagani. Ky i fundit ka dëshmuar se  makina e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me targa AA 003 GB, është përdorur nga njerëz të afërm të tij për të trafikuar drogë. Në lidhje me këtë çështje, Tahiri tha se Zagani nuk është një person i besueshëm, pasi në kohën kur Berisha ishte kryeministër, i ka dhuruar ish-oficerit truall dhe ndërtesë në Orikum. Sipas ministrit, një fakti i tillë shton dyshimet për akuzat ndaj tij.

“Në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër, i ka dhuruar ish-oficerit të policisë, Dritan Zagani një ndërtesë dhe truall pranë detit në Orikum. Me këtë që po them, dua të sqaroj se Zagani ka qenë një njeri shumë i afërt me qeverinë e asaj kohe dhe jo i besueshëm për ato që thotë. Akuzat që ai po bën ndaj meje janë për të fituar azil politik. Zagani është një person i akuzuar për disa çështje” , tha Tahiri. Përsa i përket përdorimit të mjetit në pronësi të tij nga kushërinj të përfshirë në trafikun e dorgës, Tahiri tha se e ka shitur automjetin përpara se të bëhej ministër për të paguar një gjobë.

“Personat që ua kam shitur automjetin, janë kushërinj të mi të largët. Automjetin e kam shitur pa u bërë ministër i Brendshëm. Pavarësisht kësaj, personat që më akuzon mua opozita, nuk kanë qenë kurrë të proceduar, hetuar apo dënuar. Makina është ende në emrin tim sepse gjyqtari i famshëm Gjin Gjoni me ka dënuar me 40 milionë lekë. Për këtë duhet të më merrnin rrogën mujore, për të paguar gjobën e kalamajve të ish-kryeministrit Berisha.

Më bllokuan hipotekën e shtëpisë, llogarinë bankare. Pasi u bëra ministër aplikova për një kredi për të paguar borxhet e kalamajve të Saliut. Kjo ishte një kosto ime për të bërë opozitën. Shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndryshojë pronësinë , gjë që nuk mund të ndryshohej dhe kjo është arsyeja se pse makina rezulton në emrin tim. Me datë 6 shtator  2011, është një dokument që rezulton se makina është shitur. Me të njëjtën makinë kam dalë edhe dy herë të tjera, ua kam marrë kushërinjve për të ikur me pushime me familjen. Ua mora dhe ua ktheva sërish”, iu përgjigj akuzave ministri.

Në lidhje me aksionin antikanabis, Tahiri, tha se pas ndërhyrjes në Lazarat, rreziku i kultivimit të drogës sot është tetë herë më i vogël. Sipas tij, krimi do kërkojë shtigje dhe hapësira të tjera për të mbjellë kanabis, por pavarësisht kësaj ata që bërtasin sot, Luli dhe Muli janë ministrat më të këqij në luftën kundër drogës.

“Ata jo vetëm kanë shkatërruar shumë pak bimë, por kanë shkatërruar edhe nervin e policisë për ta luftuar krimin. Tani bëni një lidhej të shkurtër se kush është i lidhur me krimin, ne që e kemi luftuar apo ata që kanë arritur këto rezultate.  Nuk i kuptoj akuzat e opozitës. Në kapim drogë dhe po ne akuzohemi, ndërsa në ndonjë vend tjetër kjo shihet si sukses.

Ne kemi arrestuar edhe punonjës policie të inkriminuar, ndërkohë që në kohën e Saliut një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Tahiri. Në lidhje me çështje e pilotit italian Giorgo Riformato, avioni i të cilit u rrëzua në Divjake me drogë, Tahiri tha se hetimet tashmë janë në duart e prokurorisë dhe gjykatës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama