Tahiri Disa nga ngjarjet e fundit me mesazh politik

Tahiri: Disa nga ngjarjet e fundit me mesazh politik

Disa nga ngjarjet e rënda kriminale kanë mesazhe të qarta politike. Një nga këto ngjarje është dhe vendosja e tritolit në shtyllën e tensionit të lartë. Pohimi vjen nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Gjatë një debati në emisionin “Opinion” përballë gazetarëve, Tahiri pohon se: “Unë besoj që ka natyrë politike vendosja e tritolit në shtyllën e tensionit të lartë.

Kur them ka natyrë politike nuk drejtoj gishtin te opozita. Unë pohoj se nafta dhe taksat ishin mesazhet në shtyllë kur opozita kundërshtonte buxhetin e shtetit me këto argumente”, - deklaroi ai. Ministri drejtoi akuzat ndaj opozitës për përdorimin e një gjuhe kriminale. “Gjuha e opozitës është thuajse kriminale. Në disa raste gjuha e Sali Berishës është tërësisht kriminale, mendësi kriminale. Unë besoj se opozita po nxit panik publik por dhe disa segmente të medias të lidhur me opozitën”, - deklaroi ai.

I pyetur për ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura veçanërisht   në muajt dhjetor dhe janar, ministri ngriti si shqetësim për këtë situatën e rënduar të Policisë së Shtetit. Mungesa e informatorëve në terren, mungesa e informacioneve nga Shërbimi Informativ Shtetëror, mungesa e infrastrukturës ,e policisë së arsimuar ishin disa nga shkaqet e renditura nga ministri, si arsyet e kësaj situate të rënduar.

“Situata ka një rritje deri në kufijtë e të pajustifikueshmes por policinë e kemi trashëguar pa informatorë për çështje tritoli. Nga SHISH-i nuk kemi marrë informacion. Ngjarjet kriminalet me eksploziv janë ndër më të rëndat por mbi të gjitha janë të vështira të hetohen nga pikëpamja teknike. Fatmirësisht kemi parandaluar ngjarje të rënda si rasti i prefektit të Vlorë. Ngjarjet me tritol në të njëjtin periudhë të vitit të kaluar ishin 25.

Sot janë diçka më shumë. Ky nuk është justifikim por që përbën shqetësim real, si ka mundësi që nuk kemi gjetur as gjurmë hetimore, markim të tritolit, bllokim numrash celularë e këtu me radhë, gjëra që sot po i bëjmë”, - deklaroi Tahiri.   Por ai shtoi se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar Policia e Shtetit ka rritur zbardhjen e ngjarjeve. Ministri shtoi gjithashtu se kjo situatë nuk mund të ndryshojë nga njëra ditë në tjetrën.

“Kriminaliteti nuk mund të shuhet me ndërrimin e një qeverie apo për katër muaj. E dyta, shkaqet e krimit janë po ato, varfëria, mosfunksionimi si duhet i drejtësisë, marr këtu konflikte pronash, larje hesapesh, hesape mafioze që kanë lindur këtu apo kanë ardhur nga jashtë. Këto nuk kanë lindur pas 23 qershorit apo sa jam unë këtu.

 Unë kriminalitetin nuk e mat dot, këtu ku jam, me opinionin tuaj as me opinionin e të ftuarve në studio, unë e mat me shifra. Sepse kriminaliteti përtej sensacionit në televizionin tuaj apo në televizionet e tjera që kanë vendosur ta bëjnë më alarmante situate, ju keni ndezur fitilin e tritolit mediatik, shifrat e kriminaliteti flasin më fort se zëri im. Mund t'u them që në 4 muaj, nga 16 shtatori në 21 janar janë 34 vrasje, në të njëjtën kohë të vitit të kaluar janë 53 vrasje”, - deklaron ai.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama