Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaron se shumë shpejt do rriten rrogat e policisë së shtetit. Pjesë e emisionit “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, Tahiri deklaroi se është duke u hartuar një ligj special bashkë me Ministrinë e Financave për të bërë të mundur rritjen e standardit të pagesave të punonjësve të policisë, pjesë e synimeve të rritjes së cilësisë së punës në luftën ndaj krimit. I pyetur se sa do të jetë niveli i ri i pagave, ministri tha se aktualisht nuk mund të thuhet një shifër e saktë, porse është parashikuar që polici të marrë një pagë dinjitoze për punën dhe sakrificat e punës që bën.
Por nëse i referohemi pretimeve dhe programit të PS për 300 ditët e para, është llogaritur që një inspektor i thjeshtë i policisë ta ketë rrogën mujore 57 mijë lekë të reja dhe pagat e tjera sipas kategorive arrijnë deri tek drejtori i përgjithshëm policisë në 147 mijë lekë të reja. Nëse qeveria e PS do të zbatojë këtë premtim, padyshim ky do jetë një nga revolucionet më të mëdha në policinë e shtetit që pas vitit 1990 në Shqipëri. Paralelisht me premtimin për pagat, ministri Tahiri deklaroi se synon të ulë moshën mesatare të policisë që aktualisht 49 vjeç ndërkohë që mosha mesatare e popullsisë shqiptare është 28 vjeç. Gjatë emisionit u transmetuan shifrat e kriminalitetit në Shqipëri në 23 vjet. Kështu nga vitit 1990 e deri me sot në Shqipëri janë vrarë 5700 persona me armë zjarri dhe të ftohta, ose mesatarisht 243 persona në një vit, pa llogaritur ata që kanë vdekur në aksidente automobilistike. Duhet theksuar se nga këta 5700 persona, 220 janë punonjës të policisë të vrarë në krye të detyrës.