Tahiri Kazinote 98 te paligjshme

Tahiri: Kazinote, 98 % te paligjshme

Ministri i Brendshëm: Për emërimin e Artan Didit përgjigjem unë, është i ligjshëm. Lëvizjet tjera i firmosi Burgaj.

“Dyshojmë se nga 22 mijë kompjutera, vetëm 2200 janë të regjistruar”

Operacionin komb-ëtar për goditjen e paligjshëm të lojër-ave të fatit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka cilësuar si një aksion që u rikthen familjeve shqiptare buxhetin e shkatërruar, rikthen qetësinë dhe ul kriminalitetin.


I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Tahiri deklaroi se nga verifikimet që janë bërë deri tani rezulton që në të gjithë vendin janë vetëm 2200 kompjutera të ligjshëm, nga 22 mijë që vlerësohen të jenë në total. Pra, sipas tij, pjesa tjetër, 98 për qind, janë të paligjshëm. Sipas tij, tashmë ka nisur një hetim duke filluar nga inaktiviteti i strukturave policore, nga dekonspirimi dhe mungesa e eficencës. Pjesa tjetër e hetimit shkon për operatorët, njerëzit që janë marrë me këtë biznes dhe mbështetësit e tyre. I pyetur nga gazetarët e ftuar për ligjshmërinë e emërimeve në Polici, Tahiri ka premtuar se do mbajë çdo përgjegjësi për emërimin e Artan Didit si drejtor i Përgjithshëm i Policisë, që sipas tij i plotëson të gjitha kriteret, ndërsa emërimet e tjera që po ashtu sipas tij janë të ligjshme, janë kryer nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj.

LOJERAT E FATIT


Ishin aktivitete që ishin shndërruar në fole kriminaliteti dhe në problem real për gjendjen e sigurisë në vend. Lufta kundër paligjshmërisë është në misionin e Policisë së Shtetit; Seksioni Kundër Krimit Financiar, që ka një pjesë që merret me lojërat e fatit. Për mua është tërësisht në misionin dhe përgjegjësinë e këtij seksioni të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm dhe unë personalisht mund të ndërmarrim veprime që kthejnë sigurinë në publik, pa pasur nevojë për kërkesa. Këtu bëhet fjalë për një aksion të paralajmëruar nga ne. E ka bërë të qartë Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës. Për t’u garantuar qytetarët nga këto fole që shkatërruar buxhetet familjeve, ne vetëm përmbushëm angazhimin tonë programor. Po vazhdojmë për të ndërmarrë një iniciativë për një ligj të ri për lojërat e fatit. Kemi një periudhë tranzitore që do mbahen në kontroll të rreptë. Kemi pasur takim bashkë me përfaqësues të Tatimeve të Ministrisë së Financave, me operatorët e ndryshëm që e kanë mirëkuptuar qëllimin tonë për të vënë rregull në këtë sektor. Janë 2200 kompjutera të ligjshëm nga 22 mijë që vlerësohen të jenë në total, pra pjesa tjetër, 98 për qind, janë të paligjshëm. Unë besoj që Policia ka pasur në drejtim njerëz që nuk kanë përmbushur misionin, që e kanë tradhtuar misionin, që kanë qenë të përfshirë dhe për këto shkaqe ka dalë nga misioni dhe ka dalë nga çdo lidhje me realitetin. Si për shembull, lojërat e fatit, ku dje luanin edhe vetë efektivët. Në informacionin që ish-ministri i Brendshëm ka marrë thuhet se të gjithë personat e arrestuar janë klientë të lojërave të fatit. Informacion për Burgaj, 1173 subjekte të paligjshme të lojërave të fatit. Ne morëm një aksion për krimin ekonomik, të cilët i mbajtëm në vëzhgim për të parë si i zbatonin detyrat dhe në dy raste zbuluam se dekonspiruan operacionin. Pezulluam gjithë strukturën, 80 punonjës. Numri i procedimeve nga struktura e Krimit Ekonomik në Tiranë janë vetëm 3 referime gjithsej, asnjë i dënuar, që vetëm për lojërat e fatit ishte 11 persona. Në të gjithë Shqipërinë nuk kalon 70 dhe nga këta asnjë i dënuar. Paligjshmëria e lojërave të fatit i përplasej në fytyrë çdo qytetari. Të binin ballit në çdo cep të Tiranës dhe të Shqipërisë.


PEZULLIMI I SEKTORIT TE KRIMIT EKONOMIK


Në dijeninë time dhe në besimin tim, lojërat e paligjshme të fatit ishin kthyer në burim kriminaliteti dhe shkatërrim të buxhetit të familjarëve. Janë afërsisht 80 punonjës që duhej të merreshin vetëm me krimet e fushës ekonomike financiare në të gjithë vendin, nuk është fshirë struktura, por janë pezulluar dhe po hetohet se çfarë pune kanë bërë deri më sot që nuk janë marrë me lojërat e paligjshme të fatit. Kjo figurë, zhvillimi i paligjshëm i lojërave të fatit, është vepër penale dhe trajtohet nga kjo strukturë që marrin rrogën për këtë punë. Këta njerëz meritojnë të hetohen për çfarë kanë bërë që nuk e kanë penguar këtë aktivitet dhe janë pezulluar për t’iu nënshtruar hetimit për çdo punë që kanë bërë, duke filluar nga sa dosje e të tjera me radhë. Ata do t’i nënshtrohen shqyrtimit të praktikave të punës dhe nëse rezulton se ata kanë dashur ta bëjnë punën dhe janë penguar nga ndonjë person tjetër, sigurisht do të qëndrojnë në punë. Ata që nuk e kanë bërë, por të kundërtën, nuk do rrinë më në Policinë e Shtetit. Po shqyrtohet në person secili prej tyre, nuk po dënohet askush kolektivisht. Si mund të tolerohen drejtues të Policisë që në raportin e SHKB për ngjarjet e 21 janarit, thuhet performancë jo e duhur, dhunë e tepërt dhe e pajustifikuar, mungesë informacioni etj., etj. Hetimin e kemi nisur nga inaktiviteti i strukturave policore, nga dekonspirimi dhe mungesa e eficencës. Pjesa tjetër e hetimit shkon për operatorët, njerëzit që janë marrë me këtë biznes dhe mbështetësit e tyre.

EMERIMET NE POLICI


I kam dëgjuar shqetësimet e shprehura edhe nga kreu i PD dhe përfaqësues të tjerë. Janë të njëjtët njerëz që kanë punuar me Hysni Burgajn dhe nuk besoj se dyshojnë tek integriteti i tij, pasi të gjitha lëvizjet në Polici janë firmosur nga Burgaj dhe s’ka se si të firmosë Burgaj akte të paligjshme. Së pari nuk është shkarkuar njeri nga Policia, por janë lëvizur brenda strukturës së Policisë. Të gjitha emërimet janë bërë brenda kuadrit ligjor, të gjithë drejtuesit e emëruar përmbushin kuadrin ligjor. Opozita i ka të gjitha informacionet dhe ju duhet ta kuptonin që nuk ka asnjë shkelje ligji. Drejtori aktual i Policisë së Shtetit ka qenë edhe më parë drejtues, ka qenë edhe pedagog. Ka një karrierë pune të pakrahasueshme me të gjithë ata njerëz që ne kemi testuar para emërimit. Kemi zhvilluar një proces intervistimi mbi karrierën dhe të shkuarën e të gjithë atyre që sot mbajnë poste të larta në karrierën e Policisë. Mbi integritetin moral dhe profesional dhe sa të pakorruptueshëm ishin ata. Kjo ka filluar që me emërimin tim. Kishim ngritur një grup pune, me ekspertë me profesionistët më të mirë të fushës, njerëz që kanë mbajtur barrën e përgjegjësisë së policisë në shumë vite. Të gjithë këta krijuan grupin që më pas filtroi emërtesat në Policinë e Shtetit.

DREJTORI I PERGJITHSHEM I POLICISE


Akuza e dytë është se të gjithë këta njerëz nuk kanë vitet e punës për karrierën dhe për të marrë gradën. Drejtori i Policisë së Shtetit e ka filluar karrierën që në vitet ’90, ka mbaruar edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë që drejtuesi që ka më pak vite punë ka 12 vjet punë, të tjerët kanë deri edhe në 23. Drejtori i Përgjithshëm e plotëson këtë kriter. Mund t’i referohemi kurrikulës së tij, edhe eksperiencës së tij. Mund të bëni edhe ekuivalencën e viteve të punës së angazhimit policor dhe angazhimit para viteve ‘90. Ligji i parashikon fort mirë të gjitha rrethanat e emërtesës së drejtorit të Përgjithshëm. Të jeni i bindur se ne kemi respektuar çdo kriter ligjor. Do jap përgjigje për çdo firmë timen dhe të Kryeministrit në emërimet në Policinë e Shtetit. Sipas nenit 21 të ligjit të Policisë, drejtori i Policisë duhet të ketë punuar 3 vjet me gradën “Drejtues i Parë”. Artan Didi në vitin 2005 ka punuar dhe ka mbajtur gradën ekuivalentuese për 3 vjet e 7 muaj, ka shërbyer me gradën kolonel që ekuivalentohet me gradën “Drejtues i Parë”. Ditën e dytë bëra një kontroll në Policinë Rrugore të Tiranës. Gjeta praktika korruptive që as nuk ishin munduar t’i mbulonin. Nuk ka pasur asnjë shkëputje të marrëdhënies me punën që nga viti 1986 deri në vitin 2006. Emërimi si drejtor i Artan Didit plotëson të gjitha kriteret.

REFORMAT LIGJORE


Pranë zyrës sime në Ministri, janë në zyrë dy këshilltarë që i kam kërkuar vetë, një i ICITAP dhe tjetri i PAMECA-a. Bashkëpunojnë me ne për çdo reformë që ne po planifikojmë. Kemi pasur një debat konstruktiv për sa i përket reformës, lidhur me mundësinë reale për të ndërtuar një strukturë brenda kapacitetit dhe ligjit. Kemi nisur fazën përfundimtare të reformës që shkon me ndryshimin e ligjit të Policisë, Gardës së Republikës, ligjin për gradat e Policisë, me ligjin për armët dhe përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga policia, me reformën radikale në Institutin e Policisë që duhet kthehet në Akademi, madje në Universitet të Policisë. Duhet të kemi efektivë policie me arsim të lartë. Janë ngritur disa grupe pune ku kemi asistencën e partnerëve ndërkombëtarë dhe bashkë me ta po ndërtojmë paketën e ligjeve dhe të reformës që do të kryejmë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama