Tahiri Kur Cuni i babit hidhte ne ere jete njerezish babi e mbronte ne parlament

Tahiri: Kur Cuni i babit hidhte ne ere jete njerezish, babi e mbronte ne parlament

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot rreth orës 11.00 seancën e radhës, e cila ka nisur me debate dhe batuta ndërmjet deputetëve. Në programin e kuvendit, ku 60 minuta janë diskutimet e lira, janë edhe tre projekt-ligje të tjera që duhet të miratohen.

Menjëherë ka nisur me akuzat ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi qeverinë se është një turp ky që po bën, duke lidhur marrëveshje me kompaninë britanike “Crown Agents”.

Lidhja e kontratës me “Crown Agents” është një turp i vërtetë për qeverinë. Bota juaj është bota e xhepit, bota e interesit. Çne që bëhet një marrëveshje e tillë me “Crown Agents”? Kjo është për ta thyer parlamentin, kaq mund të them unë”, -u shpreh Berisha. Më pas duke marrë fjalën për replikë, Berisha tha se qeveria Rama tradhtoi dëshmorët e kombit duke shfaqur foton e diktatorit, Enver Hoxha.

“Festuat ditën e tradhtisë më të madhe, datën në të cilën Enver Hoxha njehsoi festën me serbët. Në dokumentet e tij ishte data 28 ajo e çlirimit, por ai e çoi në datën 29 si një datë të tradhtisë kombëtare, për të ecur drejt Stalinit dhe Titos. Më 29 nëntor ju bëtë poshtërimin më të madh në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke ngritur portretin e Hoxhës në varreza. Ju përdhosët vuajtjet dhe sakrificat e qindra mijërave shqiptarëve të dergjur në kampet e përqendrimit, të qindra mijërave të tjerë që vdiqën urie, që nga Vermoshi deri në Konispol”, -tha në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha.

Replikat

Vangjel Dule, i cili drejton seancën, i bie zilës për t’i treguar Berishës se mbaroi koha e fjalës së tij. Por Berisha i kthehet: “Zilja bie për kohën apo se është Enver Hoxha, Vangjel?”

Më tej ai vazhdoi: “Ju ngritët flamurin e rreckosur të Hitlerit, në një kohë kur Parlamenti Evropian voton rezolutën e Shqipërisë për vendin kandidat. Atë që ju ka bërë Enver Hoxha shqiptarëve, nuk ja u ka bërë askush tjetër.  Ky njeri (kthehet nga Rama), shpërndau në Facebook-un e tij portretin e Hoxhës në të katër anët e botës. Zotëri protokollin e shtetit e ka qeveria, dhe ju shkuat në Vlorë dhe ndërpretë transmetimin direkt të ceremonisë së ngritjes së flamurit. Më pas del Meta e thotë se jam i lumtur që kam kryeministrin këtu, a thua se e kishte në hënë më përpara. I kërkoj parlamentit të shqyrtojë të gjithë legjislacionin e Enver Hoxhës.

Dule i bie sërish zilës për mbarimin e kohës

Berisha: Kjo është ora e qytetarit.

Dule: Hajde ta sanksionojmë pra si orën e qytetarit në rregullore atëherë.

Berisha: mirë mirë...

Berisha: Vetëm treshja: Meta-Braho dhe Ylli janë për zotin Meta, se skrapalinjtë e tjerë i quan alienë ai. Ja pra ky është qëndrimi i Ilir Metës ndaj skraparllinjve, ja si i trajton ai skraparlinjtë. Fillove dënimet politike ( i drejtohet Ramës), por ta dini se i gjithë populli do të ngrihet në protesta.

Braho: Doktor ju nuk keni të drejtë të zini në gojë as Skraparin e askënd, sepse ti Skraparin dojë ta rrethoje me tela gjembash, ti i ke lënë pa rrugë ata. Të them edhe një gjë tjetër, mos e ul veten të dalësh në konferenca shtypi me drejtorin e IT-së.

Tahiri: Vrasja e djeshme ishte shumë e rëndë. Por më e trishtueshme u bë dita, për shkak se dolën disa korbë që donin të bëheshin pëllumba duke përfituar nga fatkeqësia e një familjeje të gjorë. Kryetari juaj, që s’mund të quhet kryetar (i referohet Bashës), nuk mori mundimin ta zërë në gojë ngjarjen, por bëri xhiron e ardhjes. Por të paktën nuk bëri si disa karkaleca që u sulën të hanin në turmë. Vendi është i militarizuar nga armët e ’97-ës, të cilat i la ky njeri që doli më parë këtu (i referohet Berishës). Ndaj qeveria do të sjellë në parlament dy projektligje, një për mbajtjen e armëve dhe një për përdorimin e tyre.

Kur çuni i babit (i referohet Shkëlzen Berishës), bënte pazare me armët dhe hidhte në erë jetë njerëzish, nuk i hynte asnjë gjemb në këmbë, sepse  e mbronte babi në parlament. Natyrisht që edhe brezi i ri s’ka se çfarë modeli të marrë.Dje ju çirreshit për ngjarjen, por nuk keni reaguar njëherë për tetë vjet me radhë, kur kanë ndodhur të paktën 15 ngjarje të tilla. Tani u bëtë qytetarë ju?! Tani u kujtuat për popullin ju?! 

E kam vënë re që ju keni qejf ta sulmoni policinë. Por mund të tregoheshit më të zgjuar, duke më sulmuar mua të paktën dhe ta linit të qetë policinë të kryente detyrën. Edhe në arratisjen e shtatë të dënuarve, doli supaxhiu (i referohet ish-ministrit të Brendshëm) dhe akuzoi policinë. Dhe ju që folët për Hitlerin dhe Enverin këtu, se dhe ju njëlloj si ata flisni (i drejtohet Berishës), mos dilni të dërdëllisni këtu kot.

Berisha: Së pari, dua t’i them zotit Braho se për Skraparin, qeveria e mazhorancës së kaluar, ka bërë më shumë se për çdo vend tjetër. Ka bërë TAP-in, i cili do të sjellë një zhvillim shumë të madh në vend. Por ju Skraparin e shihni nga gota e rakisë, ndërsa unë i shoh nga njerëzit.

Së dyti, ftoj parlamentin një minutë heshtje për viktimën. (Ngrihet vetëm opozita, deputetët e mazhorancës nuk ngrihen).

Dule: Zoti Berisha ky duhet të jetë një veprim i koordinuar dhe jo kështu siç po bëni ju. Nuk bëhet politikë me ngjarje të tilla zoti Berisha.

Me ngjarjen e rëndë dhe tronditëse nuk bëhet politike. Krimi nuk lindi në të gdhirë të 24 qershorit, por ai krim është kultivuar në vite, pasi ju i latë armët sheshit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama