Tahiri Militantet i therrisnin Berishes Hitler

Tahiri: Militantet i therrisnin Berishes 'Hitler'

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë prezantimit të analizës vjetore së Policisë së Shtetit, ka thënë se e ka gjetur këtë institucion në gjendje të mjerueshme. Tahiri u shpreh se policia ishte kthyer në militantë  dhe nga sekserë, të cilët bënë pazar me krimin. Ai tha se militantë që edhe publikisht guxonin ta quanin kryetarin e opozitës së djeshme Hitler( për Sali Berishën).

“Kemi gjetur policinë e shtetit në gjendje më të keqe në historinë e vet. E gjetëm policisë e shtetit që drejtohej nga militantë që edhe publikisht guxonin ta quanin kryetarin e opozitës së djeshme Hitler dhe po publikisht të quanin për baba shpirtëror, suprem liderin e opozitës së sotme. Kuptohet se e drejtonin policinë me një sy nga vetja dhe një sy nga partia. Korrupsion gjerësisht i përhapur  nga ryshfeti në rrugë, te pazari me krimin për trafiqe droge dhe të tjerë deri aty sa partneritet me agjencitë ligjzbatuese për kapjen e të kërkuarve, që duhet të vuajnë dënimet në vendet e tjera u kishin vënë çmimin e pazarit, që duhet të paguhej ndërmjet sekserit dhe kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit dhe të kërkuarit vetë. Për të mos folur për paaftësinë e militantizmit që qeveria ka luajtur dhe që kishte ngjitur në drejtim të policisë, pa pyetur për asnjë standardi dhe merite apo rezultati në detyrë”, tha Tahiri.

Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi është shprehur se zbulueshmëria e krimeve të rënda mbetet e ulët. “Specialistët e krimit janë mbyllur në zyra dhe e kanë harruar terrenin, duke lënë pas dore veprimtarinë operative, informative dhe gjurmuese duke e justifikuar me ngarkesë për dokumentacionin procedural të deleguar nga  Prokurori. Burime të pamjaftueshme informacioni që vjen si rezultat i mungesës së profesionalizmit, mungesës së besimit si dhe pune formale të specialistëve të njësisë kriminale në terren”, tha Didi.

Sipas Didit një nga problemet është implementimi i ligjit antimafia, sidomos në çështjen e konfiskimit të aseteve të sekuestruara. “Duhet të rritet numri i hetimeve pro aktive ndaj pasurive që rrjedhin nga aktivitetet kriminale jashtë Shqipërisë por që riinvestohen brenda vendit. Pasuritë e luajtshme të konfiskuara shkojnë afërsisht në vlerën e 571 mijë e 355 euro, përfshirë edhe rastet e konfiskuara të pasurive të paluajtshme të pavlerësuara. Pra siç duket edhe nga shifrat  numri i revokimeve nga gjykata është i lartë dhe ka dhënë një impakt negative në rënien e treguesve të konfiskimeve”, tha Didi.

Sipas Didit, vrasjet me dashje kanë shënuar një rënie gjatë këtij viti, por shtoi se duhet të rihetohen edhe rastet e vjetra. “Vrasjet me dashje kanë ruajtur një tendencë me pak luhatje dhe pak a shumë të njëjtë gjatë viteve të fundit duke pasqyruar një rënie prej 18 vrasje më pak se viti 2012. Gjithashtu janë evidentuar 107 raste të zbuluara. Një nga faktorët që ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e kriminalitetit është rihetimi i krimeve të vjetra, të pazbuluara ku gjatë një viti është bërë zbulimi i 12 raste të vjetra. Në Shqipëri lidhur me motivet e krimit vazhdojnë të evidentohen motivet e gjakmarrjes, hakmarrje, motivet e pronësisë dhe motive të dobëta  si dhe janë shënuar 24 raste të krimit në familje”, tha Didi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama