Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njoftoi se Qeveria, me kërkesë të ministrit të Energjisë miratoi disa ndryshime në Kodin Penal për vjedhjen e energjisë, duke sjellë ashpërsimin e masave. Po ashtu, Tahiri njoftoi se ka ndryshuar Kodi Penal për lëndët plasëse dhe masa e dënimit do të shkojë nga 5 në 8 vjet burg, ndërsa në rrethana cilësuese kur eksplozivi eksportohet për qëllime kriminale masa e dënimit shkon në 15-20 vjet burg.
”Lidhur me lëndët plasëse, vjen si analizë e ekspertëve të ministrisë së brendshme, që ka marrë në shqyrtim përdorim e lëndëve plasëse për qëllim civil; ndryshim në nenet 278 dhe 282 të Kodit Civil 5-8 vjet burg për mbajtje të eksplozivit, dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen trafikohen për qëllime kriminale. Këto ndryshime në Kodin Penal do t’i kalojnë për miratim Kuvendit”, tha Tahiri.
Sipas tij, edhe për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, masa e dënimit do të shkojë në tre vjet, ndërsa masa ndëshkuese do të ketë edhe për shitjen e palicensuar të kartave telefonike.