Ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thirrur në një takim ditën e sotme krerët e policisë së shtetit. Tahiri e vlerësoi si alarmante dhe emergjencë kombëtare situatën kriminale në vend, dhe kërkoi përkushtimin maksimal të uniformave blu për të garantuar jetën e qytetarëve.
“Sot është koha për të ngritur në këmbë policinë e shtetit dhe për të garantuar jetën e qytetarëve”, tha Tahiri. Ministri i Brendshëm garantoi se do të mbështesë drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se nuk do të ekzistojnë më të paprekshmit, se sipas Tahirit, askush nuk do te kete imunitet para ligjit.
“Mbështetje pa kushte për të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasigurt. Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji. Policia e Shtetit nuk ka asnjë imunitet tjetër përveç ligjit”, tha Tahiri.
Ministri kërkoi t’i jepet shpirti i skuadrës efektivëve,duke shtuar se kush cënon jetën e qytetarëve do të ketë përballë Policinë e Shtetit, kush respekton ligjin ka në krah policinë.
Po ashtu Tahiri kërkoi marrjen e masave për armëmbajtjen, që po bëhet burim i vrasjeve të shumta, si kthimin përmbys të situatës me trafiqet njerëzore dhe lëndët narkotike. Në fjalën e tij, Tahiri kërkoi shkarkimin e menjëhershëm nga puna të dy policëve që u filmuan duke abuzuar me detyrën e tyre. Ditën e djeshme, ministri Tahiri zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.