Tahiri i kunderpergjigjet Berishes

Tahiri i kunderpergjigjet Berishes

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri i është kundërpërgjigjur akuzave të ish-kryeministrit, Sali Berisha sa i takon çështjes “Doshi”. Pas marrjes në pyetje nga prokurorët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Berisha tha para medieve se, “Tahiri pas 6 muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin”.

Ish-kryeministri nënvizoi se, “në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin”.

Përgjigja e Tahirit për këto akuza ishte se, pret që pas herës së parë të Berishës në prokurori, herën e dytë të mos paraqitet si dëshmitar, por si i akuzuar. “Më vjen mirë që pas 25 vitesh e gjeti rrugën të shkojë në prokurori.  Shpresoj që hera e parë të mos jetë e fundit, por nëse kësaj here shkoi si dëshmitar herën tjetër të shkojë si i akuzuar”, tha Tahiri.

Duke këmbëngulur se i gjithë skenari i vrasjes së Tom Doshit është e sajuar, ministri i Brendshëm i bëri thirrje prokurorisë të mbyllë hetimet në mënyrë të shpejtë e ligjore. “Unë jam në krye të detyrës dhe jam shumë i vendosur të bëj atë për të cilën qytetarët më kanë mandatuar mua dhe qeverinë. Kemi bërë gjithçka ka qenë në dorën tonë. Është koha të flasë prokuroria, shpresoj dhe nxis që të mbyllë hetimet në mënyrë të shpejtë e ligjore, që të dalin para përgjegjësisë të gjithë ata që e sajuan”, u shpreh ministri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama