Takaj Fillimisht rinovojme me trajnerin pastaj merkatoja

Takaj: Fillimisht rinovojmë me trajnerin, pastaj merkatoja

Pavarësisht se sezoni përfundoi me sukses për Skënderbeun, që arriti të fitojë titullin e gjashtë radhazi, për një pjesë të klubit gjithçka është ende pezull dhe pushimet nuk kanë filluar ende. takajNjë gjë të tillë e specifikon vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili gjatë një prononcimi të shkurtër për "Panorama Sport", ka bërë me dije se nuk kanë filluar ende përgatitjet për merkaton, pasi disa ditë pushim janë të merituara. Puna për sezonin e ri nis nga stoli.

Takaj ka komentuar shkurtimisht edhe pozicionin e trajnerit Mirel Josa, i cili është në fund të kontratës së tij, ku ka fituar katër tituj si timonieri i Skënderbeut. Për Takajn pozicioni i trajnerit është komod dhe ka mbështetjen e plotë të klubit, dhe pas disa ditësh do të ketë takime paraprake për të diskutuar objektivat sezonalë dhe rinovimin. Më pas do të hyjnë në merkato.

"Merkaton nuk e kemi filluar ende, pasi fillimisht po shijojmë pushimet. Jemi akoma në pjesën e festës, që ishte vërtet madhështore. Fillimisht do të merremi me rinovimet. Situata e trajnerit Josa është komode dhe ka mbështetjen e klubit.

Fjalët e dala nuk na shqetësojnë aspak. Nga java e ardhshme do të fillojmë bisedimet me trajnerin, për të saktësuar objektivat e reja sezonale dhe më pas rinovimin. Vetëm pasi të kemi zgjidhur çështjen me trajnerin Josa, atëherë do të mendojmë për merkaton. Është normale që të qarkullojnë shumë emra, por emrat e saktë do t'jua konfirmoj unë çdo herë që do të kemi bisedime zyrtare me lojtarët", u shpreh presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

Të rinjtë

Pas titullit kampion në Superiore, korçarët kërkojnë kurorëzimin edhe te të rinjtë. "Pavarësisht se kemi mbyllur me sukses pjesën e titullit kampion në Superiore, tani jemi të përqendruar te titulli i ekipit U-19. E duam edhe këtë trofe dhe i gjithë përqendrimi ynë është te kjo ndeshje finale kundër Partizanit. Kemi një ekip cilësor dhe do të kërkojmë të marrim titullin edhe me të rinjtë. Ky do të ishte një tjetër sukses i madh për Skënderbeun, pasi jemi në vitin e parë që po investojmë tek Akademia", pohoi presidenti Takaj. Ll. Saro


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama