Takaj Fitorja me shijoi. Partizani? Golat ne fund jane befasues

Takaj: Fitorja më shijoi. Partizani? Golat në fund janë befasues

Ardjan Takaj rigjen qetësinë. Presidenti, edhe pse është parë në ankth gjatë gjithë ndeshjes dje, në fund është larguar me buzëqeshje në buzë nga stadiumi. Numri një i skuadrës korçare e pranon edhe gjatë deklaratës së dhënë për mediat dje se fitorja ndaj Tiranës i ka shijuar shumë. takaj"Ishte një fitore që më shijoi realisht shumë. Jo sa titulli, por ishte një trepikësh që na jep moral, pasi vjen pas dy humbjeve radhazi. Pastaj vështirësia shtohej, pasi luhej në transfertë dhe me Tiranën, kundërshtar, i cili për ne është ekip shumë i madh dhe shumë i fortë. Gjithnjë na kanë hapur punë.

Sa i përket golit të anuluar, edhe unë pata dyshime në ato momente. Por pasi e pashë në fundin e takimit, mendoj se ishte faull. Ndaj nuk kishte vend për shqetësime. Pas golit nuk është se festova shumë, por kjo ndodhi pasi jam natyrë që e përmbaj veten.

Por goli ishte shumë i rëndësishëm, ashtu në fakt si çdo gol që realizohet në javët e fundit të kampionatit. Dihet që në këtë fazë nuk lejohen hapat falsë", u shpreh fillimisht Takaj. Ai flet edhe për ndeshjen e rivalëve për titullin, teksa thotë që golat në minutat e fundit gjithnjë janë befasues.

"Nuk e kam parë ndeshjen, pasi ishim rrugës duke ardhur në Tiranë. Pashë vetëm pjesën e parë. Golat kur bëhen në fund janë gjithnjë befasues, por nuk po komentoj më gjatë", u shpreh presidenti. Ndërsa në mbyllje, kur pyetet për derbin, ai e thotë me bindje të plotë që edhe këtë herë do të bëjë tifozllëk. "Edhe sikur të ishim rrahur sot (dje), sërish tifo për Tiranën do të bëja në derbi. Me Tiranën jam tifoz i vjetër, që fëmijë. Dhe kjo nuk është se është e re, e kam deklaruar disa herë", përfundoi numri një i korçarëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama