Takaj Spo kerkoj trajner e kemi

Takaj: Spo kërkoj trajner, e kemi

Oferta nga një klub azerbajxhanas për Mirel Josën ka bërë që në javët e fundit të shtohen edhe më shumë zërat se trajneri i Skënderbeut do të largohet pas përfundimit të sezonit. Së fundmi kanë qarkulluar zëra se klubi po negocion me disa trajnerë, për t'i paraprirë largimit të Josës. takajGugash Magani, Ilir Daja dhe Armando Cungu duket se janë më të përfolurit, por presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, mohon gjithçka. I kontaktuar dje nga "Panorama Sport" për vërtetësinë e këtyre lajmeve, kreu i klubit theksoi se te Skënderbeu nuk ka asnjë çështje sa i përket pankinës.

"Këto ditë kam dëgjuar shpesh të flitet për largime lojtarësh apo edhe për zëvendësime trajnerësh, por një gjë të tillë nuk kemi nisur ta kemi si ide dhe jo më të arrijmë në konkretizime. Zëra të tillë dalin shpesh sa herë që kemi ndeshje të rëndësishme për të luajtur, në mënyrë që të shpërqendrohet disi vëmendja nga takimi i radhës. Por, ne jemi duke iu afruar titullit të gjashtë dhe shohim vetëm kampionatin. Për merkaton ka kohë, por dua të sqaroj edhe rolin e trajnerit. Skënderbeu e ka trajnerin dhe ai është Mirel Josa. Gjithmonë me Josën kemi folur në fund të sezonit për kontratën. Kështu do të bëjmë edhe këtë vit", ka theksuar presidenti i Skënderbeut, duke mohuar çdo tratativë për zëvendësuesin e Josës.

Megjithatë, përtej qëndrimit të kreut të klubit, gazeta mëson se një prej emrave bindës që shihet si pasardhës i Josës është Magani, që aktualisht drejton me sukses Teutën. Kontrata e trajnerit aktual të bardhekuqve përfundon me mbylljen e këtij sezoni futbollistik.

Përgatiti: Llazi Saro


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama