Në të gjitha situatat e tjera, kryesore është zgjedhja e këpucës së rehatshme. "Ato që bëjnë më shumë gabime në këtë drejtim janë femrat, të cilat mbi gjithçka vënë pamjen estetike, duke lënë mënjanë rehatinë e këmbës. Pikërisht për këtë, në 70% të rasteve janë femrat, më shumë sesa meshkujt, që kanë probleme me këmbët".
Me sa duket beteja e ortopedëve është e vështirë, sepse ata që e bëjnë ligjin nuk janë mjekët, por moda dhe stilistët. Nëse do të ishte e kundërta, takat e larta do të ishin zhdukur me kohë.
Taka më e përshtatshme për këmbët tona është 3-4 cm. "Kjo lartësi ndihmon që pesha e trupit të mos peshojë vetëm në një vend, por të shpërndahet mes shputës dhe thembrës. Takat e larta dhe shumë të holla e shtyjnë këmbën përpara dhe e gjithë pesha bie mbi shputë, duke u shkaktuar kështu dëme të mëdha muskujve të këmbës dhe shpinës. Edhe pse shkaktojnë kaq shumë dëme, stilistët vazhdojnë t‘i propozojnë këto modele, sepse me to veshjet duken më tërheqëse dhe femra duket më elegante. Për shkak të takave të larta, edhe ecja është më e çekuilibruar, sepse pas çdo hapi trupi sforcohet për të gjetur stabilitet në një pozicion që nuk është natyror".
Dhimbja e shpinës, që mund të shfaqet kur mbahen takat e larta, i detyrohet faktit që trupi duhet të përshtatet me një ekuilibër të ri. Nëse kjo dhimbje zhduket pas disa orësh, nuk është ndonjë sinjal alarmi. Gjithsesi, takat e larta mund të shkaktojnë probleme edhe në shtyllën kurrizore. Kjo lloj këpuce duhet të vishet vetëm me raste të veçanta dhe për disa orë, duke mos e bërë një zakon të përhershëm.
Edhe balerinët me këpucët e tyre të sheshta nuk duhet t‘i përdorin për një periudhë të gjatë, apo të ecin me to gjatë gjithë ditës, sepse lodhin thembrat dhe mund të shkaktojnë ënjtjen e këmbëve.
Përveç takave të larta, edhe sandalet dhe shapkat me gisht, që nga pamja e jashtme duken mjaft komode, fshehin shumë gjëra.
Këto lloj sandalesh dhe shapkash mund të përdoren nëpër pishina, ose plazhe. Përdorimi i tyre në qytet dhe ecja me orë të tëra duhen shmangur medoemos. Ortopedët amerikanë theksojnë se kjo lloj sandaleje nuk është e përshtatshme për këmbën gjatë ditës. Zakonisht këto lloj sandalesh dhe shapkash janë të përbëra me materiale jo cilësore dhe mund të shkaktojnë dhimbje kyçesh, thembrash dhe ënjtje mes gishtave të këmbës. Më të papërshtatshme janë ato plastiket. "Mes gishtit të parë dhe të dytë të këmbës ka arterie dhe muskuj nervorë që mund të dëmtohen nga këto lloj shapkash, apo sandalesh dhe kryesorja nuk i mbrojnë këmbët".
Shapkat me gisht
Preferohen më shumë nga vajzat, por duhen përdorur vetëm për plazh. Për pjesën tjetër të ditës duhen zgjedhur këpucë të rehatshme
Analizimi i modeleve të ndryshme
Shapka
Defektet
Edhe pse janë shumë të lehta, shollat nuk janë të përshtatshme për harkun e këmbës
Problemet
Ënjtje këmbësh, lodhje të thembrave
Kujdesi
Nuk duhet t‘i vishni për rrugë të gjata, apo periudha të zgjatura
Duhet të zgjidhni modelet me taban të butë
Të keni gjithmonë parasysh që sholla të mos jetë shumë e përkulshme
Sandale me gisht
Defektet
Mungesë mbështetjeje për këmbën, mungesë mbrojtjeje
Problemet
Irritim mes gishtit të parë dhe të dytë, lodhje dhe ndrydhje
Kujdesi
Duhet të shmangni materialet plastike
Nuk duhet të vishni sandale apo shapka me një gisht, nëse udhëtoni për orë të tëra
Këpucët e balerinave
Defektet
Mungesa e takave i lodh më tepër thembrat; materialet me të cilat përbëhen mund t‘i dëmtojnë këmbët
Problemet
Lodhje, ënjtje të thembrave, ashpërsim
Kujdesi
Nëse shapka fërkohet pas këmbëve, duhen përdorur medoemos antikallo; nuk duhet të vishen në rrugë të gjata
Takat e larta
Defektet
Nëse lartësia e takës e kalon 5 cm, këmbët sforcohen, bariqendra e trupit spostohet përpara
Problemet
Dhimbje të këmbëve dhe shpinës, ndrydhje
Kujdesi
Duhet të përdorni sandale me takë 3-4 cm; nëse sandalja fërkohet pas këmbës, përdorni antikallot e duhura; sandalet me taka të larta mos i vishni çdo ditë; përdorimi maksimal duhet të jetë 2-3 orë
Sandalet me takë ortopedike
Defektet
Bariqendra e trupit është e spostuar përpara. Shpesh sholla e ul ndjeshmërinë e këmbës në lidhje me terrenin dhe mund të jetë shumë e rëndë
Problemet
Dhimbje shpine dhe kyçesh, ndrydhje, dhimbje dhe ashpërsim të tabanit të këmbëve
Kujdesi
Nuk duhen veshur çdo ditë, përdorini 2-3 orë; evitojini shollat plastike, pasi nuk janë në gjendje të ndiejnë goditjet
Çekuilibri
Takat e larta, përveç problemit të deformimit, mund t‘u shkaktojë dëme muskujve dhe tendinave. Nëse përdorni këpucë të rehatshme, pesha e trupit përhapet në të gjithë këmbën, pa sforcuar pjesë të ndryshme
Kirurgjia estetike
Për të ndjekur modën, femrat "korrigjojnë" këmbët
Ashtu si zakonisht, tendenca e fundit vjen nga përtej oqeanit, pikërisht nga Los Anxhelosi dhe Nju Jorku. Moda e fundit, të cilës nuk mund t‘i bësh bisht, nëse do të jesh "cool" siç thuhet sot, janë takat e larta që mbahen gjithmonë dhe kudo: në zyrë, në festa me miqtë, në fundjavë.
Një shembull? Victoria Beckham është fotografuar në çdo moment të ditës me taka të larta, të paktën 12 cm. Por si është e mundur ta përdorë këtë stil pa ndjerë dhimbje? Me siguri është një problem i vështirë, por ja zgjidhja: ndërhyrjet periodike kirurgjikale në tabanin e këmbës.
Ky lloj "transformimi" trupor (që kushton rreth 500 dollarë për një ndërhyrje) është i brendshëm: ndërhyrja përsëritet çdo 5-6 muaj, sepse materiali merret nga organizmi.
Për të mbajtur sandale elegante e me gurë të çmuar, duhet të kesh këmbë dhe gishtërinj të bukur. Për t‘i rimodeluar këto të fundit, nëse nëna natyrë nuk është treguar shumë bujare, të gjithë mund t‘i drejtohen kirurgjisë estetike, ku çmimi nuk i ka kalon tremijë dollarë.
Nga : Gazeta Shqip