Regjisorë, dramaturgë, kritikë, aktorë diskutojnë për të ardhmen e dramës shqipe në takimin që organizohet nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës
Një takim Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe do të zhvillohet më 15-16 prill në Teatrin Kombëtar, ku do të diskutohen dhe hidhen ide për dramaturgjinë shqipe. Takimi vjen si iniciativë e Teatrit Kombëtar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Dramaturgu Bashkim Hoxha njëkohësisht dhe moderator i këtij takimi dyditor që do të mbledhë regjisorë, artistë, kritikë teatri nga Kosova dhe Shqipëria, shprehet se përgjithësisht mungon diskutimi midis komunitetit të teatrit. “Dikush që shkruan në Tiranë, është pak i njohur në Shkup a Prishtinë dhe anasjelltas. Por edhe në një këndvështrim më të ngushtë, lokal, debati përgjithësisht është personal dhe jo institucional”, – shprehet ai. Ndaj pyetja thelbësore që ai shtron për diskutim në tryezën e këtij takimi është: A ka ardhur koha për një bashkëpunim më gjithëpërfshirës midis vetë krijuesve, për diskutime serioze e debate që lidhen me krijimtarinë, duke shmangur vështrimet lokale? A ka ardhur koha e integrimit midis vetes?
Mos ka ardhur koha të ngrihet e të funksionojë si një shoqatë e dramaturgëve shqiptarë një forum i dramës shqipe? Mihal Luarasi dhe Haqif Mulliqi (regjisorë, dramaturgë) pasi bëjnë një panoramë të përgjithshme të dramaturgjisë shqipe dalin në konkluzionin se drama shqipe lëvrohet nga dramaturgët, madje ka prurje të mëdha. “Kemi një mori dramash të shkruara. Vetëm në konkursin e 100-vjetorit të Pavarësisë u paraqitën 31 drama, në një konkurs të shpallur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ish-Teatri i Komedisë) për dramën shqipe u paraqiten 15 vepra; në konkursin e përvitshëm për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi” në Prishtinë për çdo vit konkurrojnë autorë të ndryshëm me mbi 50 vepra; pra numri i dramave të pretenduara është goxha i madh”. Ndaj diskutimin e tyre dy regjisorët e ngrenë në faktin se, pavarësisht se ka prurje të dramës shqipe nga dramaturgë shqiptarë, shumë pak vlera të saj evidentohen.
Një nga kritikat që i bëhet shpesh dramës shqipe është për tematikat që ajo trajton. Sipas kritikëve të artit, Emin Kabashi dhe Josif Papagjoni, Shqipëria ofron një pafundësi temash që do të mirëpriteshin nga publiku, por përgjithësisht prurjet dramatike qasen jo natyrshëm, shpesh abstrakte dhe nuk krijojnë asnjë alkimi me lexuesin apo spektatorin. Ndaj ata sugjerojnë: “Historia e Shqipërisë, biografitë e udhëheqësve, luftërat e panumërta që shqiptarët kanë përballur, shumë pak janë trajtuar në shkrimet e dramaturgëve tanë. Drama e mirëfilltë investiguese, drama e mirëfilltë biografike, drama provokuese historike, janë me pikatore në fondin e dramaturgjisë shqipe”,- shprehen ata. Studiuesit Përparim Kabo dhe Besim Rexhaj do ta ngrenë diskutimin e tyre në përballjen e dramaturgjisë shqipe me dramaturgjinë bashkëkohore botërore. Ata bien në një mendje se krijimtaria jonë dramaturgjike është gati e pavënëshme në raport më dramaturgjinë aktuale botërore. “Ka pasur disa shenja domethënëse në përballjet ndërkombëtare, si veprat e Stefan Çapalikut, Haqif Mulliqit, Anton Pashkut, Milazim Krasniqit, Fadil Hysajt etj., por e përgjithshmja është jo shumë optimiste.
Ne vëmë në skenë drama serbe, ruse, greke, italiane, kroate, ndërkohë që asnjë teatër i rëndësishëm nuk ka vënë në skenë drama shqipe”, – konstatojnë ata. A mundet dramaturgjia jonë të tërheqë vëmendjen si një vlerë e shtuar në dramaturgjinë aktuale botërore? Sa dhe ku është inskenuar drama shqipe e Kosovës jashtë hapësirës sonë gjuhësore? A ka krijuar dramaturgjia shqipe identitetin e saj mbarëkombëtar? Janë këto disa nga çështjet që do të shtrojnë ata në këtë takim të parë mbarëkombëtar ku do të diskutohen problemet e dramës shqipe. Dramaturgu Fadil Kraja që ka mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjitha teatrot profesioniste të Shqipërisë por dhe në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoni etj., fton të diskutohet dramaturgjia e traditës.
“Edhe pse e pakët në numër krahasuar me vendet e tjera, ajo asnjëherë nuk ka marrë hapësirën e duhur në programet e teatrove tona. Jemi i vetmi vend ku në repertorin e teatrove qendrore nuk figuron drama e parë shqipe. Më 1986, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është inskenuar drama “Emira” e A. Santorit, me rastin e 100-vjetorit të kësaj drame, me regji të Ismail Ymerit. A ka ardhur koha të rivlerësohet tradita? A mund të kemi Teatër Kombëtar pa ngjitur në skenë Çajupin, Pashkun, Dervishin, Haxhiademin e shumë të tjerë? A duhet rishkruar historia e re e dramës shqipe përmes rivlerësimeve?”- shprehet Kraja. Këto janë dhe disa nga pyetjet që ai shtron për diskutim. Regjisori dhe dramaturgu nga Kosova, Fadil Hysaj e sheh problemin në një tjetër këndvështrim. Në fakt është diskutuar shumë këto vite se drama shqipe shkruhet, por ajo nuk preferohet nga regjisorët dhe aktorët. Në këtë linjë do të jetë dhe diskutimi i Hysajt në këtë takim. “Regjisorët dhe aktorët shqiptarë nuk i preferojnë dramat shqipe. Nëse një regjisor e pyet për dëshirat e tij skenike, gjithmonë emrat që lakohen janë kolosët botërorë. Aktorët po t’i pyesësh për ëndrrat e tyre përmendin karaktere nga veprat e dramaturgëve të huaj”, – thotë Hysaj.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli vjen me një projekt-ide në këtë takim; krijimin e “laboratorit të Dramës shqipe”. Ajo çfarë nënkupton Çuli është një traditë e hershme e shkrimit të dramave, që ka qenë ajo e punës pranë Teatrit vite më parë edhe në Shqipëri. “Dramaturgët më të mëdhenj të botës i kanë shkruar kryeveprat e tyre së bashku me aktorët e kompanive që drejtonin. Kjo traditë shumë vite më parë ka qenë edhe në Shqipëri dhe veprat e shkruara kanë qenë shumë më cilësore. Në të njëjtën kohë përzgjedhja e dramave për programin e teatrove, këto 20 vjetët e fundit përgjithësisht ka qenë rrjedhim i njohjeve personale. Nuk ka funksionuar asnjë strategji për të evidentuar prurjet më të mira”. Por, a është një zgjidhje për dramën shqipe krijimi i laboratorit të dramës shqipe dhe si duhet të funksionojë ai, këto do të jenë pjesë e diskutimeve të shumta që do të zhvillohen në Takimin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, që mbahet sot dhe nesër në Teatrin Kombëtar.