Legjenda e filmave komikë anglezë, Sër Norman Uisdom, u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Shumë i dashur për publikun shqiptar, ai u njoh më së shumti me alteregon e tij, personazhin e njohur Pitkini. Vdekjen e komedianit me origjinë nga Londra e njoftoi i biri mbrëmjen vonë të së hënës.
Në pushimet e dhjetorit të 1968-ës po udhëtoja me anije drejt ishullit të Sazanit. Daja im, Kadriu, ishte emëruar komisar i ishullit. Daja më ftonte në vendet ku lëvizte me gjithë familje. Na desh shumë Fiqja, e shoqja kuptohet, pa ndodhte kjo. Anija shkonte njëherë në javë nga Vlora në ishull dhe çonte furnizimet e javës për ushtarët. Kish shumë ushtarë në ishull atë vjeshtë kur Shqipëria sa kish dalë nga Traktati i Varshavës.
“Kur të shkosh atje, takoma vëllanë, Luanin, dhe jepi këtë dhjetëlekësh t’i blej ingranazhe!”, më porositi moshatari im Ylli i Azizit, që më tregoi se në ishull do të shihja shumë lepuj, aq sa sipas tij mund t’i gjuaja me shqelm si një top futbolli. Anija çante dallgët me bashin e ngritur nga pasha e furnizimit të ri.
Mes dengjeve me presh të zverdhur, arkave me bukë e marmelatë molle dhe thasëve me fasule rrinte urtë Pitkini, mbledhur kruspull në teneqetë e filmit. Atë çast nuk e dija që ai ish aty, por në të gjitha mbrëmjet e atij dyjavori në ishull do ta takoja përmes çarçafit të kinemasë çdo mbrëmje, duke qeshur e bërtitur si i marrë brenda kabinës së kinooperatorit, të vetmit vend të lirë për nipin e komisarit në sallën e mbushur ding ku era e fortë e djersës së 18-vjeçarëve qimepadirsur dhe e duhanit të pirë tinëz të shponte hundët edhe përtej xhamit njëlloj si të qeshurat dhe fishkëllimat për çdo grimasë të burrit të shkurtër Pitkin që bënte gallata herë në spital dhe herë i veshur si ushtar.
Ushtarët tanë vinin një orë para për të parë Pitkinin dhe zinin radhë në të ftohtë jashtë kinemasë pa fjalë.
Kinemaja ishte i vetmi vend argëtimi për ta në ishull, ku komedianët e Estradës nga Tirana apo Vlora nuk mund të vinin. Nuk mund të vinin se duhej të gjithë, pa përjashtim, të kishin biografinë e mirë. Ta kishin të tillë, që të mos arratiseshin. Sazani e kish dy pashë larg Italinë!
Por Pitkini e kish biografinë e mirë. Te filmat e tij nuk kish shfrytëzim të njeriut, nuk kish priftërinj fare, nuk kish as skena me puthje e ca gjëra të tjera më të forta që në atë kohë na thoshin se duheshin bërë vetëm me gruan tënde kur të martoheshe dhe me drita të fikura! Piktini lejohej të hynte në Ishull pa problem. Tani po thonë se ai ish i vetmi komedian i huaj i Perëndimit që ish i lejuar të shfaqej në kohën e Enver Hoxhës. Po ta pranoja këtë, do të mohoja biletat e shitura me të shtrenjtë që kam bërë gjatë gjimnazit te kinema “17 Nëntori” për filmat me Fernandelin apo Lui De Fynenë, Gina Lolobrixhidën apo Zharar Filipin…
Gjithsesi…
Dje në mëngjes kur lexova lajmin e vdekjes të Norman Uisdom në faqen e BBC-së, nxitova t’ua them prindërve.
-Kush është ky? – tha ime më.
- Ai futbollisti...
- Jo moj! Është Pitkini…
-Ç’thua?! Gjynah! Ishte njeri i mirë. T’i rrojnë fëmija!
E kam takuar Norman Uisdom-in për herë të parë në 1995-n. Këshilli Britanik e kish ftuar dhe ish në hall a do të vinin njerëz për ta pritur. Mbaj mend Li Pazarin, rojtarin grindavec të biçikletave, gjatë ndeshjeve të futbollit në “Qemal Stafa”, që atëherë mbante një palë mustaqe spic. Ashiqare dukej që kish pasur biografi të keqe. Ai ishte veshur si për dasmë për ta takuar Pitkinin dhe e takoi duke e puthur si puthet një mik i vjetër që gjen kohën pas shumë vitesh të të bëjë vizitë në shtëpinë tënde.
Nga një tjetër vizitë e Norman Uisdom-it, mbaj mend që hyri në fushën e blertë të futbollit kur luanim me Anglinë, i veshur pjesën e parë kuqezi dhe në pjesën e dytë bardhekuq. Në të dy herët u duartrokit shumë më tepër se Devid Bekam, ylli i asaj kohe në Angli. Gjatë vajtje-ardhjeve të mia në Angli shpesh e kam pasur vështirë t’u shpjegoj miqve në tavolina pse në Shqipëri Norman Uisdom duhej shumë më shumë se në Angli. Mbaj mend t’u kem treguar historinë time në ishull me Pitkinin, atë histori që rrëfeva më lart, ca anglezëve moshatarë në shtëpinë e Patricia Nuxhit në Fullham. Kur u theksova se Pitkinin në spital e kam parë 12 herë, ata më panë me një palë sy sikur unë të paskësha qenë i marrë dhe të kisha nevojë për spital.