Takim me shkrimtarin piktorin e kritikun

Takim me shkrimtarin, piktorin e kritikun
Susan Sontag e ka cilësuar si "një që shkruan vetëm gjëra të rëndësishme, jo vetëm interesante". Michael Ondaatje i ka propozuar ta shoqërojë në piano, nëse në një jetë tjetër do të arrijë të realizojë ëndrrën për të rilindur këngëtar. Por ndoshta përcaktimin e duhur për John Berger e kanë dhënë studentët e Ramallahut që kanë marrë pjesë në një seminar mbi të treguarin: e thërrisnin "The Wizard", magjistari. Dhe ka vërtet diçka magjike në figurën e John Berger, kritik arti dhe romancier, skenarist dhe piktor anglez, i vendosur në Francë, por me origjinë hebraike. Nga njëra anë të ngjan se është një i famshëm i panjohur nga ana e lexuesve dhe nga ana tjetër një autor kult për shkrimtarë në pjesën më të madhe të botës. Pas thuajse 83 viteve jetë, Berger ka një roman që i ka vlejtur çmimin "Man Booker Prize" ("G."), një film legjendar ("Jonas do të jetë 20 vjeç në vitin 2000") ashtu sikundër edhe një publicistikë thelbësore për historinë e artit ("Mënyra këndvështrimi"). Është gjithashtu një pedagog i angazhuar, pjesëmarrës në konferenca në vende të ndryshme të botës, e që megjithatë pavarësisht atyre që ka thënë, një ditë deklaron në një intervistë: "Mos u shqetësoni të citoni fjalët e mia, me të vërtetë nuk ka asgjë të shenjtë në ato që them". Dashurinë e shikon si një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë, por lexuesi nuk duhet të presë prej tij ndonjë roman rozë. Publicist dhe romancier, por i rritur si piktor, ai është ende i pasionuar pas vizatimit e fotografisë. Shpesh historitë e Bergerit mbështeten në imazhe fotografike.

Në vitin 1975, së bashku me zviceranin Jean Mohr, i ka kushtuar një libër një "historie emigrantësh në Europë" të titulluar "Njeriu i shtatë". "Italia dhe Spanja, që vetëm 30 vite më parë ishin pika nisjeje, sot janë pika mbërritjeje. Por, arsyeja që i shtyn njerëzit gjithnjë të largohen mbetet e njëjta: varfëria, uria, dëshira për t‘i dhënë mundësi familjes për të jetuar sa më mirë". Karrierën e nisi si piktor me ekspozita në galeri të ndryshme londineze në fundin e viteve ‘40. Ndërsa punonte si mësues pikture, Berger u kthye në kritik arti, duke publikuar shkrime të ndryshme. Një herë ka treguar se rrëfen ato që shikon, ndërsa vizaton, mendimi i tij, ndjesia e të prekurit të letrës, shenja që lapsi lë tek ajo duke skicuar pikërisht atë që mendimi i thotë të bëjë e shtyn të shkruajë. "Shpesh, imazhi në kokën time ishte më i qartë se sa ai në letër. Vazhdoja të pikturoja e të ripikturoja. Më pas, për shkak të fshirjeve të herëpashershme, letra ishte bërë gri... Sforcimi prej korrektimeve të mia dhe rezistenca e letrës kanë nisur t‘i ngjajnë elasticitetit të trupit të Marias. Sipërfaqja e vizatimit, lëkura e saj, jo imazhi, më bëjnë të mendoj se ka momente në të cilat një kërcimtar mund të të drithërojë. Ne që vizatojmë nuk e bëjmë vetëm për t‘u bërë diçka të dukshme të tjerëve, por për të shoqëruar diçka të padukshme fatit të tij të pallogaritshëm", ka thënë Berger në lidhje me një vizatim që ka realizuar, duke parë një balerinë. Ai vijon më tej duke thënë se vizatimi përmbledh përgjigjet. "Natyrshëm, dalëngadalë akumulon edhe korrektimet. Të vizatosh është të korrigjosh", vijon ai. Humanizmi i tij marksist dhe bindjet e tij mbi artin modern e kanë kthyer në një figurë kontroverse qysh në fillim të karrierës së tij. Një vëllim me përmbledhje publicistike e ka titulluar "Permanent Red" (E kuqja e qëndrueshme), që pjesërisht vinte si një deklaratë e përfshirjes së tij në politikë.

I lindur në Londër në vitin 1926, ai është një prej figurave më të spikatura të kulturës bashkëkohore. Berger në krijimtarinë e tij letrare është veçanërisht i interesuar për ndjenjat dhe marrëdhënies së ndjenjave në atë që mund ta cilësojmë si "intimiteti"; dhe në këtë kuptim ai mund të cilësohet si një trashëgimtar i madh i traditës romantike angleze dhe i shkrimtarëve e poetëve filozofë si Coleridge apo Wordsworth. John Berger ka qenë gjithnjë një vëzhgues i kujdesshëm i realitetit dhe mënyrave të përfaqësimit të saj. Ai është edhe një intelektual shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive të shumta që konsumohen në botë, kritik i dinamikave sociale e politike të globalizimit. Në një intervistë të para disa kohëve në lidhje me ndryshimet në krijimtarinë e tij, ai ka thënë: "Po, ndonjëherë mendoj se në një mënyrë më të drejtë, duhej të isha vetëm duke vizatuar a pikturuar. Sot kjo është e pamundur për mua, edhe pse mund të ndryshojë. Por ndoshta çelësi është ky: deri në moshën 30-vjeçare isha një piktor. Në atë moment vendosa të mos pikturoja më. Përse? Jo sepse nuk më pëlqente të pikturoja e as se mendoja se nuk kisha talent. Por ishim në pranverën e viteve ‘50 dhe ajo që po ndodhte në botë ishte kaq urgjente - Lufta e Ftohtë, kërcënimi i një lufte të tretë botërore - saqë ndjeva se duhej të bëja diçka më të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë. Kështu nisa të shkruaja për gazetat. Me kalimin e kohës e shkruara u transformua në diçka më shumë për mua, jo vetëm urgjencë politike", tregon ai. Në vitin 1958, Berger publikon romanin e tij të parë "A Painter of Our Time", që rrëfen historinë e zhdukjes së Janos Lavin, një piktor hungarez në arratisje dhe zbulimin e një ditari nga një mik i tij kritik arti. Aktualiteti politik i librit dhe përshkrimi i kujdesshëm i punës së një artisti shtyu shumë lexues të besojnë se bëhej fjalë për një histori të vërtetë. Pasi qëndroi nëpër librari për një muaj, libri u tërhoq nga shtëpia botuese nën presionin e shoqatës për lirinë e kulturës. Romani më i ri i Berger, është "From A to X". Ai ka qenë finalist i edicionit të vitit 2008 të konkursit "Booker Prize"; Berger dhe Salman Rushdie ishin të vetmit mes finalistëve të atij viti që e kishin fituar edhe në të shkuarën atë çmim.

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama